Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Enkelejd Musabelliu, Zëvendësministër i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit qe prej tetorit 2024, është një ekonomist politik me përvojë të gjerë në fushat e zhvillimit ekonomik, planifikimit strategjik dhe politikave sociale.

Ai ka ndërtuar një karrierë të konsoliduar në sektorin publik, si në institucionet qendrore ashtu edhe në pushtetin vendor, dhe ka shërbyer si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në disa institucione publike. Ekspertiza e tij përfshin hartimin dhe zbatimin e politikave zhvillimore, menaxhimin institucional dhe forcimin e kapaciteteve vendore.

Gjatë periudhës 2018–2024, Musabelliu ka qenë i angazhuar si konsulent për një sërë organizatash ndërkombëtare dhe institucione publike, me fokus të veçantë në planifikimin strategjik dhe zhvillimin e pushtetit vendor. Paralelisht, ai ka ofruar konsulencë edhe për sektorin privat, duke kontribuar në studime fizibiliteti dhe projekte investimi në sektorët e energjitikës, turizmit dhe infrastrukturës.

Në periudhën 2015–2018, ai ka shërbyer pranë Bashkisë së Tiranës si Drejtor i Përgjithshëm i Zhvillimit Ekonomik, ku ka qenë përgjegjës për zhvillimin ekonomik vendor dhe rural, planifikimin strategjik, menaxhimin e ndërmarrjeve publike, si dhe ngritjen e sistemit të statistikave ekonomike lokale.

Më herët, gjatë viteve 2013–2015, ai ka mbajtur pozicionin e Këshilltarit të Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, duke qenë i angazhuar kryesisht në reformën e pensioneve të vitit 2014, një nga reformat më të rëndësishme strukturore të asaj periudhe.

Enkelejd Musabelliu është diplomuar në Filozofi pranë Universitetit të Tiranës dhe në Ekonomi Politike Europiane pranë London School of Economics, në Mbretërinë e Bashkuar. Ai flet rrjedhshëm shqip, anglisht dhe italisht.