Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi në Kuvend projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin shtesë të Konventës për kontratën e transportit rrugor ndërkombëtar të mallrave (CMR) në lidhje me faturën elektronike të ngarkesës, të datës 20.02.2008, Gjenevë”.

Në fjalën e saj Ministrja Ibrahimaj vlerësoi, se aderimi në protokollin shtesë të Konventës për kontratën e Transportit Rrugor Ndërkombëtar të Mallrave (CMR), lidhur me faturën elektronike të ngarkesës, synon modernizimin dhe përmirësimin e sistemit të transportit ndërkombëtar të mallrave.

Duke thekuar se ky hap është pjesë e procesit të vazhdueshëm të modernizimit dhe digjitalizimit të ekonomisë shqiptare, Ibrahimaj tha se kalimi nga dokumenti letër te fatura elektronike përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një sistemi më efikas, më transparent dhe më të besueshëm në fushën e transportit dhe logjistikës ndërkufitare.

“Me faturën elektronike të ngarkesës çdo mall që del apo hyn në Shqipëri, mund të gjurmohet në kohë reale dhe të verifikohet automatikisht duke u përcjellë menjëherë te autoritetet doganore dhe strukturat e autoritetit rrugor. Kjo do të thotë më pak burokraci, më shumë transparencë dhe më pak kosto si për bizneset ashtu edhe për shtetin”, shtoi ajo.

Vitet e fundit Shqipëria ka bërë hapa të jashtëzakonshme me digjitalizimin e sistemeve, si doganore,  të transportit dhe platformat publike.

 

Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Ministres Delina Ibrahimaj në Kuvend

 

 

I nderuar Kryetar i Kuvendit
Të nderuar kolegë deputetë,

Të nderuar qytetarë

Projektligji që paraqitesim sot për miratim është ai “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin Shtesë të Konventës për kontratën e transportit rrugor ndërkombëtar të mallrave (CMR), në lidhje me faturën elektronike të ngarkesës (eCMR)”, që është pjesë  e procesit të vazhdueshëm të modernizimit dhe digjitalizimit të ekonomisë shqiptare.

Kalimi nga dokumenti letër, te fatura elektronike e ngarkesës, përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt një sistemi më efikas, më transparent dhe më të besueshëm në fushën e transportit dhe logjistikës ndërkufitare.

Me faturën elektronike të ngarkesës çdo mall që del nga Shqipëria ose hyn në të, mund të gjurmohet në kohë reale, të verifikohet automatikisht dhe të përcillet menjëherë te autoritetet doganore dhe strukturat e kontrollit rrugor.

Kjo do të thotë më pak burrokraci, më shumë transprarence dhe më pak kosto, si për bizneset ashtu edhe për shtetin.

Në këndvështrimin e përgatitjes së sistemit, në 10 vitet e fundit Shqipëria ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në digjitalizimin e sistemeve të saj.

Sistemet doganore, ato të transportit dhe platformat publike të digjitalizimit funksionojnë tashmë në mënyrë të ndërveprueshme, ndaj është e natyrshme të kalojmë nga pilotimet e para drejt një zbatimi të qëndrueshëm dhe të standardizuar.

Adoptimi i eCMR është pjesë e Axhendës së Konektivitetit dhe Procesit të Berlinit, është një hallë e zinxhirit rajonal që lidh vendet e Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët europian.

Në thelb, ky projektligj lidhet me politikën tonë për zhvillimin ekonomik që synon të bëjë më të lehtë më të shpejtë dhe më efikase lëvizjen e mallrave dhe shërbimeve.

Kur një kamion kalon kufirin në më pak kohë, kur një kompani kursen shpenzime që më parë shkonin në procedura administrative dhe burrokratike, kur administrata publike mund të kontrollojë proceset në mënyrë më të saktë dhe më të shpejtë, atëherë përfitimi për të gjithë ne, është shumë më i qartë, është i qartë për ekonominë biznesin dhe gjithë shtetin.

Ndaj ju ftojmë t’a miratojmë projektligjin.

 

Faleminderit!