Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën plenare projektligjin për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve”, një nismë e rëndësishme që synon forcimin e ekosistemit të startup-eve dhe inovacionit në vend.
Shqipëria ka ndërtuar vitet e fundit një bazë të re sipërmarrësish të rinj, inovativë dhe të lidhur me tregjet dhe trendet ndërkombëtare, veçanërisht në fushat e teknologjisë së informacionit, shërbimeve online, inteligjencës artificiale, turizmit dhe edukimit. Aktualisht, vendi numëron rreth 450 startupe aktive, kryesisht të përqendruara në Tiranë, duke shënuar një rritje të ndjeshme krahasuar me vitet e mëparshme.

Sipas vlerësimeve ndërkombëtare, Shqipëria renditet si “Inovator në Zhvillim”, ndërsa dinamika e brendshme e ekosistemit tregon një komunitet aktiv, bashkëpunues dhe gjithëpërfshirës. Një tregues i rëndësishëm është përfshirja e grave në sipërmarrjen inovative, ku mbi 40% e startupeve drejtohen nga gra dhe vajza, një nivel dukshëm mbi mesataret rajonale dhe globale.
Gjatë periudhës 2023-2025, qeveria shqiptare ka alokuar mbi 10 milionë euro për mbështetjen e startup-eve, duke financuar rreth 200 iniciativa, duke nxitur lançimin e produkteve të reja në treg dhe duke zgjeruar pjesëmarrjen e diasporës dhe botës akademike në këtë ekosistem. Paralelisht, janë zhvilluar dhjetëra aktivitete trajnimi, mentorimi dhe rrjetëzimi, si dhe është lançuar platforma “Startup Albania”, që ofron informacion dhe aplikim të unifikuar për skemat mbështetëse.
Projektligji i ri vjen si përgjigje ndaj nevojës për të lidhur më ngushtë startup-et me inovacionin dhe për të krijuar një kuadër ligjor të përditësuar, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe me Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor. Ai synon të konsolidojë në një ligj të vetëm politikat për startup-et dhe inovacionin, duke shmangur fragmentimin dhe duke garantuar siguri juridike për sipërmarrësit dhe investitorët.
Ndryshimet e propozuara zgjerohen përtej granteve tradicionale, duke parashikuar instrumente të reja financiare, si bashkë-investimi, mbështetja për kapital, mekanizma për uljen e rrezikut dhe skema të dedikuara për faza të ndryshme të zhvillimit të biznesit. Po ashtu, ligji qartëson masat mbështetëse jofinanciare, si aksesin në infrastrukturë kërkimore, shërbime konsulence, transferim teknologjie dhe zhvillim kapacitetesh.

Një risi e rëndësishme është përfshirja e përkufizimeve të qarta për inovacionin dhe aktivitetet e inovacionit, të harmonizuara me praktikat e OECD-së dhe kuadrin evropian, duke lehtësuar aksesin e sipërmarrjeve shqiptare në programe dhe fonde ndërkombëtare.
Nëpërmjet këtij projektligji, qeveria synon të ndërtojë një ekosistem më të fortë dhe më konkurrues të sipërmarrjes inovative, të rrisë numrin e vendeve të punës, të forcojë bashkëpunimin mes sektorit publik, privat dhe akademik, si dhe të krijojë kushtet për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Ky është një hap konkret drejt integrimit evropian, rritjes së konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare dhe shndërrimit të inovacionit në një motor real të zhvillimit të vendit.