Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Përshëndetje të gjithëve!

Siç jeni bërë me dije, INSTAT ka publikuar sot të dhënat e fundit për PBB-në, e cila në nivel të tremujorit të tretë të vitit rezultoi 3,75% mbi tremujorin e tretë të vitit 2024.

Rritja 3,75% është brenda pritshmërive të qeverisë për këtë rritje dhe është një rritje e cila është ndjeshëm më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila për tremujorin e tretë ishte në nivelin 1,6%, dhe gjithashtu është më e lartë sesa mesatarja e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku rritja ishte 3,4%.

Në nivel nëntëmujor, rritja ekonomike për vitin 2025 ishte 3,73%, nga 3,9% që është parashikimi i qeverisë shqiptare për këtë rritje për vitin 2025. Ne jemi besimplotë nga të gjitha informacionet paraprake që kemi për dy muajt, muajin tetor dhe për muajin nëntor, që në fund të vitit 2025 do të arrihet rritja 3,9%, ndonëse parashikimet e institucioneve ndërkombëtare janë më të ulëta se kaq.

Për të shkuar më në detaj tek elementët e rritjes sipas sektorëve, pra sipas kërkesës, situata paraqitet e ngjashme me situatën e tremujorit të kaluar.

Në sektorin e bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit ka vijuar rënia me 1,73%. Kjo rënie është ndikuar kryesisht nga niveli i çmimeve. Në sektorin e industrisë, industria nxjerrëse dhe industria përpunuese e tekstileve kanë vijuar rënien. Në total i gjithë sektori është ngadalësuar me 4,75%, ndërsa industria nxjerrëse dhe përpunuesit e tekstileve kanë qenë kontribuuesit kryesorë në ngadalësimin e këtij sektori. Nga ana tjetër, energjia elektrike, ushqimi dhe uji janë tre industri të cilat kanë rezultuar me rritje në terma realë në tremujorin e tretë të vitit 2025 në krahasim me tremujorin e tretë të vitit 2024.

Të gjithë elementët e tjerë, të gjithë sektorët e tjerë në tremujorin e tretë kanë ardhur në rritje, duke filluar nga ndërtimi, i cili është rritur me 4,75%. Tregtia, transporti dhe akomodimi, një grup i cili përfshin edhe sektorin e turizmit, i cili në tremujorin e tretë ka pikun e vet, është rritur me 2,62%. Informacioni dhe komunikacioni, një sektor i cili po merr gjithmonë e më shumë peshë në strukturën e Prodhimit të Brendshëm Bruto, është rritur me 10,4%.

Aktivitetet financiare dhe të sigurimit janë rritur me 0,65%. Aktivitetet e pasurive të paluajtshme janë rritur me 10,55% dhe administrimi publik, artet, argëtimet, aktivitetet profesionale, të gjithë janë komponentë të cilët, ndonëse kanë një peshë më të vogël në Prodhimin e Brendshëm Bruto, kanë ardhur në rritje si kontribut. Kontributi kryesor ka ardhur nga administrata publike, arsimi dhe shëndetësia. Kontributi në rritjen prej 3,75% i këtij grupi është 1,68 pikë përqindje. Që do të thotë që investimet në sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë kanë dhënë një kontribut pozitiv në zhvillimin ekonomik të vendit, por gjithashtu edhe pagat vazhdojnë të japin një kontribut pozitiv.

Nga ana tjetër, kontribut pozitiv të rëndësishëm ka dhënë edhe tregtia, transporti dhe akomodimi dhe shërbimi ushqimor. Është 0,62 pikë përqindje kontributi i këtij grupi, siç thashë i ndikuar kryesisht nga sektorët e lidhur me turizmin. Aktivitetet e pasurive të paluajtshme gjithashtu kanë dhënë një kontribut prej 0,5% dhe ndërtimi 0,48%.

Dua të ndalemi në sektorin e turizmit, i cili, siç thashë, ka pasur sezonalitetin e vet në tremujorin e tretë të vitit. Rritja në sektorin e turizmit është e mbështetur nga të dhëna të tjera plotësuese, siç janë hyrjet e shtetasve të huaj, që për 11-mujorin e vitit 2025 kanë arritur në 12 milionë, në rritje në krahasim me vitin 2024 dhe sigurisht edhe me vitet përpara. Siç duket edhe nga grafiku, rritja e hyrjeve të të huajve në Shqipëri ka ardhur me një rritje progresive nga viti 2021 e në vijim dhe ne presim që kjo rritje të vijojë edhe më tutje.

Nga ana tjetër, një tjetër tregues që flet për cilësinë e sektorit të turizmit janë netqëndrimet, të cilat janë rritur nga viti në vit dhe për vitin 2025 niveli i një turisti i cili vjen në Shqipëri është mesatarisht nëntë ditë.

Si kontribut dhe si rritje në Prodhimin e Brendshëm Bruto, akomodimi dhe sektori i lidhur me akomodimin dhe hotelet dhe restorantet është rritur me 16% në terma nominalë dhe me 3,43% në terma realë. Të dhënat për ecurinë pozitive të turizmit konfirmohen në fakt edhe nga të dhënat e bilancit të pagesave. Në përgjithësi ekonomia shqiptare është mbështetur, rritja e ekonomisë shqiptare është mbështetur nga shërbimet dhe kryesisht nga turizmi dhe nga udhëtimet në këtë tremujor.

Në nivel nëntëmujor, shërbimet kanë sjellë në ekonominë shqiptare 6,5 miliardë euro, duke u rritur me 14%, ndërsa shërbimet e udhëtimeve janë rritur me 14%, duke sjellë 4,4 miliardë euro të ardhura në ekonominë shqiptare.

Në nivel tremujor, shërbimet janë rritur me 27%, ndërsa shërbimet e udhëtimeve kanë sjellë 2,3 miliardë euro.

Nëse do të kalojmë nga këndvështrimi i shpenzimeve, treguesit sipas komponentëve të shpenzimeve janë pozitivë. Konsumi ka vijuar të jetë në rritje. Konsumi i familjeve shqiptare është rritur me 1,25%, duke treguar një rritje të qëndrueshme, por një rritje e cila gjithashtu nuk ka pasur një ndikim në rritjen e çmimeve dhe në inflacion, i cili ka vijuar të mbetet në terma të kontrolluar poshtë targetit të Bankës së Shqipërisë.

Nga ana tjetër, investimet kanë vijuar të kenë një rritje të lartë. Rritja për tremujorin e tretë të vitit ka qenë 4,78%, duke mbështetur rritjen ekonomike edhe për periudhat në vijim dhe duke treguar një besim të investitorëve shqiptarë dhe të huaj në ekonominë shqiptare.

Nga ana tjetër kemi një përmirësim të pozicionit të jashtëm të ekonomisë.

Importet neto dhe eksportet neto janë rritur respektivisht: eksportet me 12,55%, ndërsa importet me 5,47%. Kjo do të thotë që përmirësimi i pozicionit të jashtëm dhe rezultati pozitiv për tremujorin e tretë të vitit ka rezultuar me suficit prej 658 milionë eurosh, që do të thotë se në Shqipëri është gjeneruar më shumë valutë se më parë.

Në nivel nëntëmujor jemi gjithashtu në suficit rreth 50 milionë euro. Suficiti në nivel nëntëmujor ndodh për herë të parë, pasi në nëntëmujorin e katërt të vitit të kaluar ne vijonim të ishim me deficit.

Megjithatë, sa i takon tregtisë së mallrave, deficiti i mallrave është i ndikuar kryesisht nga rritja e importeve të energjisë dhe nga rënia e eksporteve të metaleve bazë.

Ndërkohë që në total, siç e shpjegova edhe më parë, eksportet e shërbimeve janë rritur dhe kanë dhënë një kontribut të madh pozitiv, duke i dhënë peshën kryesore në pozicionin e jashtëm të ekonomisë shqiptare shërbimeve dhe turizmit.

Sa i takon flukseve të investimeve të huaja direkte, që përafrojnë edhe interesin që investitorët e huaj kanë në vend, ato kanë ardhur në rritje.

Në nivel nëntëmujor, investimet e huaja direkte janë 1,2 miliardë euro, duke u rritur me 51 milionë euro në krahasim me vitin e kaluar.

Shpërndarja e flukseve të investimeve të huaja direkte sipas sektorëve: pasuritë e paluajtshme zënë 31%, ndërmjetësimi financiar zë 16%, sektori i hidrokarbureve zë 6%, energjetika 5% dhe komunikacioni 4%.

Këto janë sektorë të cilët kanë një interes më të madh nga ana e investitorëve të huaj. Nga ana tjetër, disa të dhëna të fundit për sa i përket biznesit dhe qarkullimit tregojnë gjithashtu një ecuri në rritje të ekonomisë së brendshme dhe të besimit të investitorëve të brendshëm.

Në periudhën janar–nëntor 2025, pra për 11-mujorin e vitit, kemi 19.385 biznese të reja, ose 18,2% më shumë se një vit më parë, ndërsa në nivel qarkullimi janë 160 milionë lekë më shumë, ose 5% më shumë qarkullim në 2025 në krahasim me 2024-ën.

Sa i takon sektorëve, në këtë 11-mujor kemi pasur një rritje prej 47% të qarkullimit të sektorit të tregtisë, 20% rritje të qarkullimit të sektorit të shërbimeve, 16% të sektorit të prodhimit, 14% të sektorit të ndërtimit dhe 3% të sektorit të transportit.

Në fund dua të ndalem tek të dhënat e tregut të punës.

Papunësia ka vijuar në rënie dhe për tremujorin e tretë të vitit 2025 niveli i papunësisë është 8,1%, duke treguar një rënie graduale nga tremujori në tremujor. Punësimi nga ana tjetër është rritur me nivele të ulëta, me 69,6%. Pjesëmarrja e forcës së punës është 76,5%, ndërsa paga bruto mesatare në ekonomi është 83.300 lekë, duke u rritur me 7,25% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2024.

Këto janë të dhënat e fundit që flasin për ekonominë: flasim për një rritje të qëndrueshme të ekonomisë, flasim për një interes të shtuar të investitorëve vendas dhe të huaj për të investuar në vend.

Dhe siç e thashë më parë, pritshmëritë për tremujorin e katërt dhe për përfundimin e vitit janë për arritjen e parashikimit të rritjes ekonomike prej 3,9%.

Nga ana tjetër, pak më parë sot është publikuar gjithashtu edhe raporti i Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili gjithashtu nënvizon një rritje ekonomike stabël të ekonomisë shqiptare dhe tregues makroekonomikë të fortë dhe të qëndrueshëm.

Si risk kryesor për ekonominë jo vetëm shqiptare, por edhe të rajonit, theksohet paqëndrueshmëria e situatës globale dhe risqet që mund të vijnë nga kërkesa e huaj, të cilat për tremujorin e tretë të vitit nuk janë materializuar. Sipas të dhënave që ne sapo analizuam, kërkesa e huaj ka ardhur në rritje, e materializuar nga rritja e eksporteve, por edhe rritja e investimeve të huaja direkte.

Shumë faleminderit!

Unë, përpara se ta përmbyll dhe përpara se t’u jap fjalën për pyetjet, gjithashtu dua që, duke qenë se sot është data 24 dhjetor, t’u uroj të gjithëve festa të mbara, Krishtlindje të gëzuara dhe një Vit të Ri sa më të mbarë.

 

Pyetje-përgjigjet

Televizioni Scan

U bënë gati 29 e ca, ndoshta praktikisht 30 vite që kemi ëndërruar për një bankë zhvillimi. Ju si arritët pas gati 30 vitesh ta krijoni këtë bankë zhvillimi? Ju faleminderit. Dhe pyetja e dytë, nëse realisht besoni që krahas 400 milionë eurove të këtyre katër viteve që do të jenë kontribut për këtë bankë nga buxheti i shtetit, do të kemi kontribute edhe nga partnerët ndërkombëtarë, nga bankat e tjera të zhvillimit ndërkombëtar. Faleminderit.

Përgjigjja:

Shumë faleminderit për pyetjen. Sa i takon Bankës së Zhvillimit, është një iniciativë e cila tashmë është iniciativë ligjore.

Ne, në gjysmën e parë të vitit të kaluar, miratuam ligjin për krijimin e Bankës së Zhvillimit. Ka qenë një ide e hershme, ju vetë po e thatë, për të ndërtuar një institucion të tillë. Institucioni po ndërtohet, është regjistruar dhe në vitin 2026 do të fillojë operativitetin e tij. Është ndërtuar në bashkëpunim me Cassa Depositi e Prestiti, që është një bankë me një traditë më shumë se 100-vjeçare që operon në Itali. Modeli i parashikuar në ligj, në fakt, është një model i cili është shumë i ngjashëm me atë të Cassa Depositi e Prestiti dhe është një instrument i cili, në këtë moment të ekonomisë shqiptare, është jashtëzakonisht i nevojshëm, duke qenë se ne kemi përpara integrimin europian, kemi përpara sfida të cilat kërkojnë investime dhe kërkojnë akses në financë të shtuar për sektorin privat shqiptar.

Ndaj edhe besojmë fort që nëpërmjet operimit të Bankës së Zhvillimit ne do të mbështesim modernizimin e sektorit privat, duke i dhënë mundësi sektorit privat që të ketë akses në financë me kosto të reduktuara, sigurisht në bashkëpunim me sektorin bankar ekzistues. Banka është menduar që të jetë një bankë “shumice”, pra “wholesale”. Nuk është menduar që të jetë një bankë që të japë kredi direkte ndaj privatit dhe, në rastet kur do të japë kredi direkte ndaj privatit, do të jetë në bashkëpunim me banka të tjera, si një konglomerat bankash që do të financojnë projekte madhore.

Është një instrument i cili, edhe në strukturimin e tij, do të vijojë të monitorohet nga Cassa Depositi e Prestiti. Do të vijojë një bashkëpunim me këtë institucion, ndërkohë që ka institucione të tjera ndërkombëtare, si për shembull Banka e Investimeve e Francës, e cila gjithashtu do të bashkëpunojë me Bankën e Zhvillimit të Shqipërisë, duke e ndihmuar në sektorë të veçantë, kryesisht në monitorimin e riskut. Struktura e bankës parashikon një sistem qeverisjeje të mirë, të fortë dhe të qëndrueshëm, i cili garanton një vendimmarrje të pandikuar nga politika, të pavarur dhe të drejtuar drejt zhvillimit ekonomik, por edhe drejt përfitimeve dhe fitimit të bankës.

Top Channel

Në raportin me Fondin Monetar Ndërkombëtar, një koment për marrëveshjen e paqes fiskale, teksa theksohet se rrezikon qëndrueshmërinë fiskale. Mund ta kemi edhe një koment nga juaj se si e vlerësoni?

Përgjigjja:

Unë e kam lexuar me shumë vëmendje raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Sa i takon paqes fiskale, besojmë fort që është një paketë e cila, në momentin që ndodhet ekonomia shqiptare, është tejet e rëndësishme, pasi është e rëndësishme që të ndërtohet një marrëdhënie besimi ndërmjet institucioneve publike dhe biznesit. Nga njëra anë, është e rëndësishme që biznesi të ketë parashikueshmëri për pagesat që do të kryejë pranë buxhetit të shtetit, por edhe buxheti i shtetit të ketë parashikueshmëri për të ardhurat që do të gjenerojë nga biznesi.

Sa i takon komponentit të së kaluarës, pra komponenti i parë është kontrata që bizneset do të lidhin me tatimet, një kontratë tërësisht vullnetare, pasi paketa e “Paqes Fiskale” në tërësi është vullnetare dhe nuk detyron askënd të hyjë në marrëveshje. Komponenti i dytë lidhet me të kaluarën. Është e rëndësishme që bizneset, në këtë moment në të cilin duhet të kryejnë investime, në të cilin risqet për konkurrueshmërinë, duke qenë se ne do të hyjmë në tregun e përbashkët europian, janë të larta, të hyjnë me një situatë financiare të qetë dhe pa ngarkesa nga e kaluara. Kjo është arsyeja pse ne menduam që është pikërisht ky momenti për të sjellë “Paqen Fiskale”, për të garantuar pikërisht këtë: që bizneset të mund të ndërmarrin hapa të mëtejshëm investimi, modernizimi, të përqendrohen në rritjen e produktivitetit të tyre dhe rritjen e konkurrueshmërisë me tregun e përbashkët europian dhe të jenë të lehtësuara nga e kaluara.

Nuk besoj se “Paqja Fiskale” e rrezikon qëndrueshmërinë fiskale, pasi të gjitha parashikimet janë për një performancë pozitive të ekonomisë në vitin e ardhshëm dhe një performancë pozitive të të ardhurave në vitin e ardhshëm.

Mos harrojmë që Ministria e Financave ka publikuar edhe dokumentin e Strategjisë Afatmesme të të Ardhurave, i cili është në linjë me të gjitha politikat tatimore të Bashkimit Europian dhe rruga jonë është drejt adaptimit të politikave tatimore të Bashkimit Europian. Nuk shoh komponentë të cënimit të qëndrueshmërisë fiskale dhe ne kemi treguar që në vitet e fundit kemi pasur një fokus të veçantë pikërisht në stabilitetin financiar makroekonomik të vendit. Këto nuk janë fjalë, shifrat e tregojnë fare mirë këtë.

News 24”

Në fakt është folur shpesh për një reformë të re të pensioneve. A do të jetë gati ajo në vitin 2026 dhe, nga informacionet që ju keni, çfarë do të ndodhë konkretisht me këtë reformë? Faleminderit.

Përgjigjja:

Shumë faleminderit për pyetjen. Pensionet janë një shtyllë e rëndësishme e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit. Janë një fushë në të cilën ne prej dy vitesh tashmë po punojmë, me qëllim që të analizojmë të dhënat, të analizojmë trendet më të fundit dhe të analizojmë parashikimet për një periudhë afatgjatë. Kur flitet për pensionet, flitet për parashikime që lidhen me 20, 30, 50 vitet e ardhshme dhe kjo është edhe arsyeja pse paketa e reformimit të pensioneve nuk është ende gati.

Për ne prioritet në këtë periudhë të parë të qeverisjes dhe të mandatit të katërt ishte rritja e të ardhurave pensionale dhe është një element të cilin ne e garantuam me buxhetin e miratuar, me buxhetin afatmesëm të miratuar dhe me buxhetin e vitit 2026.

Nga ana tjetër, për sa i përket elementeve strukturore të reformës së pensioneve, ne jemi akoma në diskutim.

Sigurisht që jemi duke diskutuar me ekspertë ndërkombëtarë. Po bashkëpunojmë me Bankën Botërore me qëllim që të dalim me një rezultat i cili është edhe i dobishëm, edhe i qëndrueshëm në afatgjatë.

Nuk mund t’ju jap detaje në këtë moment. Por, pa diskutim, gjatë vitit 2026 ne do të jemi gati për të paraqitur ndërhyrjet që do të bëhen në skemën e pensioneve.

Report Televizion.

Meqenëse kjo është konferenca e fundit për vitin 2025, një pyetje kam për ekonominë e 2026-s. Sa e mbarë parashikohet që të jetë?

Përgjigjja:

Unë besoj fort që ekonomia në vitin 2026 do të vijojë të ruajë trendet rritëse sipas parashikimit të qeverisë dhe Ministrisë së Financave. Të gjitha sinjalet janë që do të vijojmë të kemi një ecuri të mirë të atyre sektorëve që kanë pasur një ecuri të mirë gjatë vitit 2025.

Siç thashë, shërbimet do të vijojnë të kenë performancë pozitive. Kërkesa e huaj do të vijojë të japë një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike. Investimet, sipas parashikimeve të buxhetit të vitit 2026, do të vijojnë të jenë në nivele të larta. Pra, do të vijojë të ketë një stimul fiskal të lartë.

Ne në vitin 2026 parashikojmë një rritje të pagave që lidhet ngushtë me rritjen e konsumit. Pra, edhe konsumin e presim që të jetë në rritje në vitin 2026.

Nga të dhënat që ne kemi në dispozicion, nuk shoh asnjë element pasigurie për vitin 2026. Të gjitha masat janë marrë me qëllim që të kemi një vit të rritjes ekonomike. Nga ana tjetër, siç është theksuar edhe në raportet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, e vetmja pasiguri mund të lidhet me kërkesën e jashtme dhe situatat gjeopolitike, të cilat nuk janë në dorë të politikave tona qeverisëse, por gjithsesi edhe në atë drejtim risqet janë të moderuara.

Pra, besoj fort që do të vijojmë të mbetemi në një trajektore rritëse dhe në linjë me parashikimet për një rritje në marzhin e 3,7 deri në 4%.

FOTO ALBUM