Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Ibrahimaj: Marrëveshja me EIB Global dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania mbështet transformimin teknologjik dhe të gjelbër të ekonomisë shqiptare

Në prani të Kryeministrit Edi Rama, u zhvillua ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes ndërmjet EIB Global dhe Intesa Sanpaolo Bank Albania, në kuadër të instrumentit Western Balkans Innovation and Green Transformation Facility (IGTF), një iniciativë e përbashkët e Bankës Europiane të Investimeve dhe Komisionit Europian për mbështetjen e transformimit teknologjik dhe të gjelbër të ekonomive të Ballkanit Perëndimor.

Ceremonia u zhvillua në kuadër të vizitës së parë zyrtare në Shqipëri të Presidentes së Bankës Europiane të Investimeve (EIB Group), Nadia Calviño, që prej marrjes së detyrës në vitin 2024, vizitë e cila konfirmon mbështetjen e Bashkimit Europian për transformimin ekonomik, modernizimin dhe integrimin europian të Shqipërisë.

Gjatë këtij nënshkrimi, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi se kjo marrëveshje përfaqëson një hap të rëndësishëm për ekonominë shqiptare dhe sektorin privat, duke mbështetur investimet në teknologji, inovacion dhe transformim të gjelbër.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj u shpreh se ekonomia shqiptare po hyn në një fazë të re zhvillimi, ku rritja po udhëhiqet gjithnjë e më shumë nga produktiviteti, teknologjia, inovacioni dhe integrimi në tregun europian.

Ajo theksoi se gjatë dekadës së fundit Shqipëria ka kaluar një transformim të rëndësishëm institucional dhe teknologjik, duke u bërë një ekonomi më e formalizuar, më transparente dhe më konkurruese. Sipas Ministres, Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur nga 13 miliardë euro në mbi 27 miliardë euro, ndërsa rreth 70% e eksporteve shqiptare tashmë drejtohen drejt tregut europian.

Ministrja Ibrahimaj nënvizoi gjithashtu se Shqipëria ka ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe ka forcuar financat publike, ndërsa borxhi publik është ulur nga mbi 70% e PBB-së një dekadë më parë në më pak se 50% sot.

Duke u ndalur te procesi i digjitalizimit, ajo evidentoi se mbi 95% e shërbimeve publike ofrohen tashmë online dhe mbi 1,200 shërbime janë plotësisht funksionale, duke reduktuar burokracinë dhe kostot për qytetarët dhe bizneset.

Ministrja theksoi se vetë bizneset shqiptare po kalojnë një transformim të rëndësishëm teknologjik, ku 99.4% e ndërmarrjeve përdorin internetin dhe teknologjitë digjitale në aktivitetin e tyre, ndërsa investimet në automatizim, sisteme digjitale dhe inovacion rriten vit pas viti.

Ajo u shpreh se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian kërkon investime të mëtejshme në produktivitet, teknologji, inovacion dhe integrim në zinxhirët europianë të vlerës, duke theksuar se marrëveshja e sotme krijon instrumentet e nevojshme financiare për të mbështetur këtë proces.

Instrumenti për Inovacionin dhe Transformimin e Gjelbër është ndërtuar nga Banka Europiane e Investimeve dhe Komisioni Europian dhe synon të mbështesë investimet në tranzicionin e gjelbër dhe digjital në rajon.

Ministrja Ibrahimaj nënvizoi se fakti që Shqipëria është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor ku prezantohet ky instrument reflekton besimin e partnerëve europianë tek ekonomia shqiptare, stabiliteti makroekonomik dhe potenciali i bizneseve shqiptare për t’u modernizuar dhe për të konkurruar në tregjet europiane.

Marrëveshja e nënshkruar me Intesa Sanpaolo Bank Albania do të vërë në dispozicion të bizneseve shqiptare 20 milionë euro financim të ri në kushte të favorshme, për investime në automatizim industrial,  inteligjencë artificiale,  softuerë dhe sisteme cloud, logjistikë inteligjente,  energji të rinovueshme,  eficiencë energjetike  dhe projekte që lidhen me qëndrueshmërinë klimatike.

Një komponent i rëndësishëm i instrumentit është mekanizmi “cash-back”, përmes të cilit deri në 10% e investimeve të kryera nga bizneset në inovacion, digjitalizim dhe tranzicion të gjelbër do të rimbursohen pas zbatimit të suksesshëm të projekteve.

Ky mekanizëm synon të ulë kostot e investimeve për bizneset dhe të krijojë stimuj më të fortë për modernizimin dhe adoptimin e teknologjive të reja.

Programi mbështet gjithashtu startup-et, inkubatorët, qendrat kërkimore dhe ekosistemin e inovacionit, në përputhje me prioritetet e Shqipërisë për zhvillimin e ekonomisë digjitale dhe kapitalit njerëzor.

Në përfundim të fjalës së saj, Ministrja Ibrahimaj falënderoi Bankën Europiane të Investimeve, Komisionin Europian, Intesa Sanpaolo Bank Albania dhe të gjithë partnerët që kontribuuan në realizimin e kësaj marrëveshjeje, duke theksuar se kjo shënon fillimin e një faze të re bashkëpunimi për transformimin afatgjatë të ekonomisë shqiptare dhe zhvillimin e një sektori privat më modern, më konkurrues dhe më inovativ.

FOTO ALBUM