Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë sot në forumin mbi “Riskun nga fatkeqësitë natyrore, reziliencën dhe stabilitetin fiskal”, të organizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në Tiranë.

Forumi mblodhi përfaqësues të institucioneve financiare, autoriteteve rregullatore, industrisë së sigurimeve, sektorit bankar dhe ekspertë ndërkombëtarë, për të diskutuar mbi ekspozimin ndaj fatkeqësive natyrore, menaxhimin e riskut dhe forcimin e mekanizmave të reziliencës ekonomike dhe stabilitetit fiskal.

Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj theksoi se fatkeqësitë natyrore duhet të trajtohen si rreziqe që ndikojnë drejtpërdrejt jo vetëm jetën e qytetarëve, por edhe mirëqenien ekonomike dhe stabilitetin afatgjatë të vendit.

Ministrja kujtoi pasojat e tërmetit të vitit 2019, si edhe fenomenet e përsëritura të përmbytjeve dhe zjarreve, të cilat po bëhen gjithnjë e më të shpeshta.

Ministrja nënvizoi se qeveria shqiptare ka ngritur prej disa vitesh një grup teknik, të drejtuar nga Ministria e Financave, për hartimin e ligjit mbi menaxhimin e fatkeqësive natyrore, me fokus të veçantë tërmetet dhe përmbytjet.

Sipas Ministres, diskutimet dhe rekomandimet e dala nga forumi do të japin një kontribut të rëndësishëm në ndërtimin e mekanizmave ligjorë dhe institucionalë për përballimin e këtyre rreziqeve.

Duke iu referuar vlerësimeve të Bankës Botërore, ministrja Ibrahimaj theksoi se Shqipëria mbetet ndër vendet më të ekspozuara ndaj fatkeqësive natyrore në Europë, ku rreth 86% e territorit dhe mbi 88% e popullsisë janë të rrezikuara nga këto fenomene.

Ajo solli në vëmendje edhe koston e lartë të tërmetit të vitit 2019 për financat publike, e cila arriti në rreth 1 miliard euro, duke theksuar nevojën për mekanizma të qëndrueshëm mbrojtës dhe instrumente financiare parandaluese.

Ministrja Ibrahimaj ngriti shqetësimin për nivelin shumë të ulët të sigurimit të banesave dhe bizneseve ndaj rreziqeve nga tërmetet dhe përmbytjet, duke theksuar se kultura e sigurimit në vend mbetet ende e kufizuar.

Në këtë kuadër, Ibrahimaj vlerësoi si thelbësor hartimin dhe miratimin e legjislacionit për sigurimin e detyrueshëm ndaj fatkeqësive natyrore.

“Nuk duhet të përqendrohemi vetëm te politikat afatshkurtra apo afatmesme. Qeveritë duhet të ndërtojnë politika afatgjata që garantojnë stabilitet ekonomik, siguri fiskale dhe qëndrueshmëri për vendin”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.

Fjala e plotë e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit në forumin mbi “Riskun nga Fatkeqësitë Natyrore, Reziliencën dhe Stabilitetin Fiskal”:

Përshëndetje të gjithëve!

Faleminderit Adela!

Është kënaqësi që jam sot këtu për të mbajtur një fjalë hapëse në konferencën e cila i dedikohet rreziqeve, të cilat duhen parë në një këndvështrim të gjerë. Duhet të shihen jo vetëm në një këndvështrim strikt burokratik, të vendosur brenda një institucioni, por si rreziqe që prekin jo vetëm jetët e qytetarëve, por edhe mirëqenien e përgjithshme të vendit.

Kur erdha sot në mëngjes këtu, pashë disa banerë të cilët shpjegonin tërmete të ndryshme që kanë ndodhur në vend në periudha të ndryshme të historisë. Gjithashtu, u përmend më parë se ne të gjithë kemi qenë prezentë dhe kemi përjetuar tërmetin e vitit 2019, por në mënyrë të vazhdueshme përjetojmë edhe përmbytje dhe zjarre, të cilat po bëhen gjithmonë e më frekuente në territorin e vendit tonë, por edhe në përgjithësi në botë.

Ndaj është shumë e rëndësishme që të ngremë të gjithë mekanizmat e duhur, me qëllim që, aty ku mundemi, të parandalojmë dëmet, por mbi të gjitha, aty ku fatkeqësitë ndodhin, të mundohemi të jemi sa më të sigurt nga ana ekonomike dhe fiskale, me qëllim që ekonomia e vendit të ndikohet sa më pak nga këto fenomene, të cilat nuk janë në dorën tonë, pasi janë fatkeqësi natyrore.

Për këtë arsye, prej disa vitesh tashmë, qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion një grup teknik, i cili po merret intensivisht me hartimin e një ligji, të drejtuar nga Ministria e Financave, për fatkeqësitë natyrore, kryesisht të specifikuar për tërmetet dhe përmbytjet.

Është shumë e rëndësishme që edhe bisedimet e sotme, të cilat jam e sigurt që do të jenë në një nivel teknik, të japin një kontribut shumë të mirë për mënyrën se si ky ligj duhet të adresojë problematikat dhe për formën më të mirë se si duhet të strukturohen institucionet, me qëllim që të kemi, siç thashë, sa më pak humbje.

E vërteta është që shpesh na duket sikur politikëbërja apo ligjet që ne bëjmë duhet të shohin vetëm disa korniza të mbyllura, apo kanë drejtime që lidhen me politika afatshkurtra. Por ne nuk duhet të përqendrohemi te politikat afatshkurtra apo afatmesme. Qeveritë duhet të përqendrohen te politikat afatgjata, të cilat ruajnë stabilitetin dhe sigurinë ekonomike, stabilitetin fiskal dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të vendit.

Shqipëria, sipas vlerësimeve të Banka Botërore, mbetet një ndër vendet me ekspozimin më të lartë ndaj fatkeqësive natyrore në Europë. Rreth 86% e territorit dhe mbi 88% e popullsisë janë të ekspozuara ndaj këtyre rreziqeve.

Mësimi që morëm gjatë tërmetit të vitit 2019 ishte se duhet të kujdesemi për të garantuar që mekanizmat të jenë në fuqi, pasi kostoja e tërmetit ishte jashtëzakonisht e lartë. Përveç kostos njerëzore, buxheti i qeverisë shqiptare pati një kosto të përafërt me 1 miliard euro, të cilat nuk mund t’i parashikosh dhe për të cilat nuk mund të jesh plotësisht gati.

Ndaj unë theksoj rëndësinë e krijimit të mekanizmave ligjorë, me qëllim që në të ardhmen, të paktën nga ana fiskale dhe ekonomike, ne të jemi më të mbrojtur dhe më të sigurt.

Aktualisht, niveli i sigurimit të banesave ndaj rrezikut nga tërmetet apo përmbytjet është tmerrësisht i ulët. Edhe biznesi, në përgjithësi, nuk e ka kulturën e sigurimit ndaj këtyre fenomeneve.

Siç e tha edhe moderatori, në fakt ne sigurohemi vetëm atëherë kur duhet të marrim një kredi, pra kur një kuadër tjetër na detyron të sigurohemi.

Ndaj, hartimi në mënyrën e duhur dhe miratimi i legjislacionit për sigurimin e detyrueshëm ndaj tërmeteve dhe përmbytjeve është thelbësor dhe duhet të jetë një nga rekomandimet kryesore të ditës së sotme.

Shumë faleminderit!

FOTO ALBUM