Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Ministria e Ekonomisë dhe e Inovacionit, në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe përmbushjes së detyrimeve që lidhen me Kapitullin 3 “E drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime”,  zhvilloi një proces konsultimi me palët e interesit nëpërmjet Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian (PPIE), me fokus prezantimin dhe përmirësimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Transparencën dhe Proporcionalitetin e Kritereve për Ushtrimin e Profesioneve të Rregulluara.

Procesi u drejtua nga Zëvëndësministre e MEI, Olta Manjani, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe me mbështetjen e projektit GIZ SANECA, me synimin për të siguruar një qasje gjithëpërfshirëse dhe të koordinuar ndërinstitucionale për finalizimin e këtij dokumenti strategjik.

Plani Kombëtar i Veprimit përbën një instrument të rëndësishëm në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke synuar reformimin dhe harmonizimin e kuadrit rregullator për profesionet e rregulluara në Shqipëri. Dokumenti fokusohet në rritjen e transparencës dhe garantimin e proporcionalitetit të kritereve ligjore për ushtrimin e këtyre profesioneve, në përputhje me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.

Ndër masat kryesore të parashikuara në plan përfshihen:

  • Hartimi i regjistrit kombëtar të profesioneve të rregulluara;
  • Identifikimi i autoriteteve përgjegjëse për secilin profesion;
  • Rishikimi i barrierave ligjore dhe administrative;
  • Përafrimi me skemat e njohjes automatike të kualifikimeve profesionale në BE;
  • Forcimi i proceseve të digjitalizimit dhe bashkëpunimit administrativ, përfshirë përgatitjen për integrimin me sistemin IMI.

Ky proces zhvillohet në zbatim të nenit 59 të Direktivës 2005/36/KE për njohjen e kualifikimeve profesionale, i cili kërkon nga shtetet anëtare dhe vendet kandidate të kryejnë një proces “vlerësimi të ndërsjellë” për profesionet e rregulluara, duke garantuar transparencën dhe proporcionalitetin e kërkesave rregullatore.

Gjatë sesionit të konsultimit u prezantuan metodologjia e hartimit të planit, gjetjet kryesore dhe masat e propozuara për sektorët përkatës. Pjesëmarrësit u ftuan të kontribuojnë me komente dhe sugjerime për përmirësimin e mëtejshëm të dokumentit.

Në vijim të këtij procesi, synohet përfshirja aktive e institucioneve rregulluese dhe aktorëve të tjerë relevantë, me qëllim reflektimin e kontributeve të tyre në versionin përfundimtar të planit.

Palët e interesit do të paraqesin komentet e tyre me shkrim gjatë muajit qershor, ndërsa do të zhvillohen konsultime të mëtejshme për konsolidimin e draftit përfundimtar. Pas përfundimit të procesit konsultativ, dokumenti do të procedohet për miratim sipas procedurave përkatëse, duke kontribuar në përmbushjen e një prej kërkesave kyçe për avancimin e procesit të negociatave dhe forcimin e funksionimit të tregut të brendshëm në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

FOTO ALBUM