Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit zhvilloi sot një takim konsultues me përfaqësues të universiteteve dhe ekspertë të fushës, në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe dialogut të vazhdueshëm me grupet e interesit për hartimin dhe përmirësimin e politikave që ndikojnë në zhvillimin ekonomik të vendit.

Takimi u drejtua nga zëvendësministri i MEI, Martin Kajo, dhe u fokusua në prezantimin dhe diskutimin e dy dokumenteve strategjike me rëndësi për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë: Strategjinë Kombëtare të Industrisë 2026-2030 dhe Dokumentin e Politikave për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM) 2026-2030.

Gjatë diskutimeve, pjesëmarrësit trajtuan prioritetet kryesore të politikës industriale, mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, rritjen e konkurrueshmërisë dhe inovacionit, përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër dhe transformimit digjital, si dhe forcimin e integrimit të ekonomisë shqiptare në tregjet evropiane dhe globale.

Ekspertët ndanë vlerësime dhe rekomandime të vlefshme, të cilat do të kontribuojnë në pasurimin e mëtejshëm të këtyre dokumenteve strategjike dhe në harmonizimin e tyre me objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm dhe procesit të integrimit evropian.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit mbetet e angazhuar për një proces gjithëpërfshirës konsultimi me institucionet akademike, komunitetin e biznesit dhe partnerët e tjerë të interesit, me qëllim hartimin e politikave efektive që nxisin zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe rritjen e qëndrueshme të vendit.

 

FOTO ALBUM