Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur sot se Këshilli i Ministrave ka miratuar bonusin e verës prej 5,000 lekësh për 777,200 përfitues të skemave të pensioneve dhe trajtimeve të veçanta financiare.

Bonusi do të nisë të shpërndahet duke filluar nga 1 korriku, së bashku me pagesën e pensionit.

“Që në fillim të këtij mandati kemi deklaruar se të ardhurat shtesë të gjeneruara nga performanca pozitive e ekonomisë shqiptare do të shkojnë në mbështetje të të ardhurave të pensionistëve. Duke parë performancën e ekonomisë gjatë pesëmujorit të parë të vitit, si edhe të ardhurat shtesë të mbledhura nga administrata tatimore dhe doganore, vendosëm sot në Këshillin e Ministrave të akordojmë një bonus vere prej rreth 5,000 lekësh për 777,200 qytetarë”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.

Nga ky bonus do të përfitojnë:

-656,325 pensionistë të pensionit të pleqërisë dhe pensionit social;

-65,636 përfitues të pensionit të invaliditetit;

-48,400 përfitues të pensionit familjar;

-6,840 përfitues të trajtimeve të veçanta financiare, përfshirë minatorët, punonjësit e ndihmës së ndërmarrjeve ushtarake dhe ushtarakët në pension të parakohshëm.

Vlera totale e këtij bonusi arrin në rreth 3,7 miliardë lekë.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se ky është bonusi i parë që akordohet në mesin e vitit dhe se ai pasqyron angazhimin e qeverisë për të ndarë me qytetarët përfitimet e rritjes ekonomike.

“Ky bonus jepet për herë të parë në mes të vitit dhe do të fillojë të shpërndahet nga dita e nesërme. Pensionistët që marrin pensionin më 1 korrik do ta kenë bonusin të reflektuar së bashku me pagesën e pensionit. Ne do të vazhdojmë të kemi një vëmendje të veçantë për të shtuar të ardhurat e pensionistëve, me synimin që zhvillimi ekonomik dhe të ardhurat shtesë që gjeneron ekonomia të rishpërndahen tek shtresat dhe kategoritë në nevojë”, deklaroi ministrja.

Gjatë deklaratës për mediat, ministrja Ibrahimaj njoftoi gjithashtu se Këshilli i Ministrave miratoi rritjen e masës së Garancisë Sovrane në kuadër të programit “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, i cili do të jetë i disponueshëm gjatë këtij muaji në të gjitha bankat, me një normë mesatare interesi prej rreth 2%.

Në mbledhjen e sotme u miratuan edhe tre projektligje në fushën e pronësisë industrial, “Për dizajnot”, “Për treguesit gjeografikë” dhe “Për të drejtat e autorit”, të cilat harmonizojnë legjislacionin shqiptar me standardet e Bashkimit Europian dhe përmbyllin kuadrin ligjor të nevojshëm për Kapitullin 7 të negociatave të anëtarësimit.

Fjala e plotë:

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave sot miratuam Aktin Normativ, por edhe një sërë vendimesh të Këshillit të Ministrave.

Vendimi të cilin dua të ndaj së pari është një vendim që lidhet me të ardhurat e pensionistëve.

Ne, që në krye të herës, që prej fillimit të këtij mandati, kemi deklaruar se të ardhurat shtesë të gjeneruara nga performanca pozitive e ekonomisë shqiptare do të shkojnë në mbështetje të të ardhurave të pensionistëve. Pikërisht për këtë arsye, duke parë performancën e ekonomisë gjatë 5-mujorit të parë të vitit, e cila pjesërisht u përdor për Aktin Normativ, por edhe performancën e të ardhurave shtesë të mbledhura nga institucionet e administratës tatimore dhe doganore, për sa i përket rritjes së çmimit të naftës, vendosëm sot në Këshillin e Ministrave të akordojmë një bonus për pensionistët.

Ky do të jetë bonusi i verës, me një vlerë prej 5,000 lekësh, i cili do t’u akordohet 777,200 qytetarëve.

Janë 656,325 pensionistë të pensionit të pleqërisë dhe pensionit social, të cilët do të përfitojnë nga ky bonus; 65,636 përfitues të pensionit të invaliditetit; 48,400 përfitues të pensionit familjar; si dhe 6,840 përfitues të trajtimeve të veçanta financiare, përfshirë minatorët, punonjësit e ish-ndërmarrjeve ushtarake dhe ushtarakët në pension të parakohshëm.

Siç thashë, vlera totale e efektit financiar të këtij bonusi është rreth 3,7 miliardë lekë.

Mbulohet i gjithë numri i përfituesve të pensioneve sipas kategorive që listova.

Ne do të vazhdojmë të kemi një vëmendje të veçantë për të shtuar të ardhurat e pensionistëve, me synimin që zhvillimi ekonomik dhe të ardhurat shtesë që marrim nga ecuria e ekonomisë të rishpërndahen për shtresat dhe kategoritë në nevojë.

Një tjetër akt që u miratua sot lidhet me Garancinë Sovrane. Rritet masa e Garancisë Sovrane për mbështetjen e bizneseve.

Ky vendim lidhet me programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, për të cilin kemi folur edhe më parë. Programi do t’u dedikohet të gjitha bizneseve në Republikën e Shqipërisë, do të jetë i disponueshëm nga ky muaj në të gjitha bankat dhe norma e interesit që do të aplikohet nga bankat nëpërmjet Garancisë Sovrane do të jetë mesatarisht 2%.

Është një instrument financiar jashtëzakonisht i rëndësishëm në momentin ku Shqipëria ndodhet sot, pasi bizneset kanë nevojë për mbështetje dhe për akses në financë, me qëllim arritjen e standardeve europiane, rritjen e investimeve në biznese, me qëllim rritjen e produktivitetit dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.

Gjithashtu, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u miratuan tre projektligje që lidhen me Kapitullin 7, për pronësinë industriale.

Bëhet fjalë për projektligjin “Për dizajnot”, projektligjin “Për treguesit gjeografikë” dhe projektligjin “Për të drejtat e autorit”. Janë të tre projektligje që na sjellin më afër standardeve europiane.

Janë piketat përmbyllëse ligjore për sa i përket Kapitullit 7, brenda Klasterit 2. Nëpërmjet këtyre projektligjeve që u miratuan sot, do të arrijmë ta mbyllim kapitullin në kohë, sipas parashikimeve të bëra më parë në programin që kemi me Bashkimin Europian.

Dua t’i rikthehem edhe një herë bonusit të pensionistëve. Ky bonus jepet për herë të parë në mes të vitit. Ai do të fillojë të shpërndahet nga dita e nesërme.

Pra, të gjithë pensionistët që do të marrin pensionin nesër, rreth 30 deri në 40 mijë pensionistë, të cilët e marrin pensionin në datën 1 korrik, do të kenë mbi pensionin e tyre një bonus prej 5,000 lekësh, i cili i shtohet bonusit që pensionistët po marrin në bazë mujore që nga muaji janar.

Faleminderit!