Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ishte pjesë e delegacionit shqiptar të kryesuar nga Kryeministri Edi Rama në Konferencën e IX Ndërqeveritare Shqipëri – Bashkimi Evropian, e zhvilluar në Bruksel, ku u shënua një tjetër hap i rëndësishëm në procesin e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Në kuadër të konferencës u zyrtarizua mbyllja provizore e tre kapitujve negociues: Kapitulli 25 – Shkenca dhe Kërkimi, Kapitulli 26 – Arsimi dhe Kultura dhe Kapitulli 31 – Marrëdhëniet me Jashtë.

Ky zhvillim dëshmon progresin e Shqipërisë në përmbushjen e detyrimeve të procesit të integrimit evropian dhe në përafrimin me legjislacionin e Bashkimit Evropian.

Tre kapitujt e mbyllur mbulojnë fusha me rëndësi të veçantë për zhvillimin e vendit. Kapitulli 25 synon forcimin e bashkëpunimit në kërkimin shkencor dhe inovacion, duke zgjeruar pjesëmarrjen e Shqipërisë në programet evropiane të kërkimit.

Kapitulli 26 mbështet përafrimin me politikat e Bashkimit Evropian në fushën e arsimit, kulturës, rinisë dhe formimit profesional, si dhe rrit mundësitë për mobilitet akademik. Ndërsa Kapitulli 31 konsolidon harmonizimin e politikës së jashtme të Shqipërisë me atë të Bashkimit Evropian, duke forcuar bashkëpunimin dhe koordinimin në arenën ndërkombëtare.

Mbyllja provizore e këtyre kapitujve përfaqëson një tjetër arritje konkrete në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe konfirmon ecurinë pozitive të reformave të ndërmarra.

Gjatë konferencës, përfaqësuesit e institucioneve evropiane vlerësuan progresin e Shqipërisë dhe riafirmuan mbështetjen për vijimin e negociatave deri në përfundimin e procesit të anëtarësimit.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit mbetet e angazhuar në përmbushjen e prioriteteve që lidhen me procesin e integrimit evropian, duke kontribuar në avancimin e reformave në fushat e inovacionit, kërkimit shkencor, arsimit dhe zhvillimit të politikave që nxisin konkurrueshmërinë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare.

 

FOTO ALBUM