Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, kërkoi forcimin e reformës së inspektimeve, me fokus te ulja e barrës për biznesin, rritja e cilësisë së kontrolleve dhe transparenca mbi kërkesat që duhet të përmbushë sipërmarrja.

Në takimin me inspektoratet, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama dhe Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, Ibrahimaj theksoi se biznesi duhet të ketë informacion të qartë dhe të përditësuar për kërkesat ligjore dhe standardet që duhet të përmbushë, përpara se të përballet me një inspektim.

“Informacioni dhe dokumentacionet e publikuara pranë QKB-së duhet të përditësohen sa herë ndryshojnë kërkesat ligjore, në mënyrë që bizneset të mos përballen me kërkesa të reja vetëm në momentin e kontrollit”, u shpreh ministrja.

Një tjetër fokus ishte përdorimi i paralajmërimit si masë e parë, kur shkelja e konstatuar e lejon këtë qasje. Ibrahimaj nënvizoi se qëllimi i inspektimit nuk është gjobitja e biznesit, por orientimi dhe edukimi i tij për përmbushjen e standardeve.

Ministrja kërkoi gjithashtu që të përcaktohen qartë rastet kur aplikohet paralajmërimi dhe ato kur vendoset gjoba, duke bërë që këto rregulla të jenë të qarta si për inspektoratet, ashtu edhe për bizneset.

“Qëllimi i inspektimit nuk është të gjobisim biznesin, por ta informojmë, ta orientojmë dhe ta ndihmojmë të përmbushë standardet”, deklaroi ministrja.

Në vijim, Ibrahimaj kërkoi Brenda muajit shtator përcaktimin e treguesve të performancës, cilësisë dhe sasisë, si dhe forcimin e sistemit të integruar të inspektimeve.

FOTO ALBUM