Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi se Shqipëria duhet të përshpejtojë adoptimin e inteligjencës artificiale në ekonomi, me fokus te rritja e produktivitetit, zhvillimi i biznesit dhe krijimi i avantazheve të reja konkurruese.

Në Forumin e Inovacionit 2026, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, ministrja Ibrahimaj prezantoi prioritetet për hartimin e Programit Kombëtar për Inteligjencën Artificiale, duke vënë theksin te nevoja për një angazhim të përbashkët të institucioneve, biznesit, universiteteve dhe aktorëve të ekosistemit të inovacionit.

Ibrahimaj theksoi se inteligjenca artificiale po ndryshon mënyrën e prodhimit, ofrimit të shërbimeve dhe aftësive të kërkuara në tregun e punës, duke sjellë një transformim të rëndësishëm për ekonominë.

“Ne besojmë fort se vetëm nëpërmjet përdorimit të inteligjencës artificiale do të arrijmë që të mund ta mbyllim këtë hendek që ekziston te produktiviteti”, u shpreh ministrja.

Sipas saj, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë rreth 99.8% të bizneseve në Shqipëri, rreth 80% të punësimit dhe rreth 78% të vlerës së shtuar në ekonomi. Megjithatë, niveli i përdorimit të teknologjive të reja dhe veçanërisht i inteligjencës artificiale mbetet ende i ulët. Vetëm 9% e ndërmarrjeve shqiptare përdorin ose kanë mundësi të përdorin inteligjencën artificiale.

Ministrja vuri në dukje gjithashtu hendekun e produktivitetit me Bashkimin Evropian, duke theksuar se teknologjia dhe inteligjenca artificiale duhet të shfrytëzohen për të rritur efikasitetin e ekonomisë dhe për të krijuar modele të reja zhvillimi.

Forumi i Inovacionit 2026 është organizuar në tre seksione, me diskutime të fokusuara te infrastruktura e nevojshme për transformimin digjital përmes inteligjencës artificiale, arsimi, talenti dhe kërkimi, përdorimi i AI në mbrojtje dhe siguri, si dhe aplikimi i saj në sektorin publik.

Synimi është hartimi i një dokumenti strategjik të përbashkët, i cili do të përcaktojë angazhimet dhe veprimet konkrete për zhvillimin e inteligjencës artificiale në Shqipëri gjatë vitit të ardhshëm.

Forumi i Inovacionit zhvillohet për të dytin vit radhazi dhe mbledh së bashku përfaqësues të biznesit, teknologjisë, institucioneve, akademisë dhe partnerëve, në funksion të ndërtimit të një ekosistemi të qëndrueshëm për inovacionin dhe transformimin digjital të ekonomisë shqiptare.

FOTO ALBUM