Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi politikat e reja të strehimit, duke theksuar nevojën për një qasje të re që i përgjigjet ndryshimeve demografike, zhvillimit urban dhe nevojës për banesa më të përballueshme.

Në aktivitet ishte i pranishëm Kryeministri Edi Rama, si dhe ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo.

Që nga viti 2018, rreth 30 mijë familje, ose rreth 100 mijë qytetarë, janë mbështetur përmes politikave të ndryshme të strehimit. Në total, 7,219 familje kanë përfituar kredi të lehtësuara, 14,512 familje subvencionim qiraje, janë ndërtuar 1,058 banesa sociale dhe janë përmirësuar kushtet e banimit për 6,078 familje.

Vetëm gjatë vitit 2026 janë hapur 300 kuota për kredi me normë interesi zero për punonjësit e administratës publike, ndërsa 700 milionë lekë do të alokohen për përmirësimin e kushteve të banimit për 663 familje në 26 bashki fituese.

Sipas ministres Ibrahimaj, ndryshimet demografike, zhvillimi urban dhe rritja e kostove të banimit kërkojnë zgjerimin e politikës së strehimit, nga një fokus kryesisht te shtresat në nevojë, drejt një modeli që përfshin edhe strehimin e përballueshëm për çiftet e reja, mjekët, mësuesit, punonjësit e policisë, të rinjtë dhe shtresën e mesme.

“Ne duhet ta zgjerojmë konceptin e politikës sonë të strehimit dhe duhet të kalojmë nga një sistem ku kemi një numër instrumentesh të fragmentuara, në një sistem kombëtar të integruar të strehimit”, u shpreh Ibrahimaj.

Politika e re do të lidhë strehimin me planifikimin e territorit, tokën publike, zhvillimin urban, transportin dhe tregun e punës. Në këtë kuadër parashikohet një rol më i qartë i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, zgjerimi i kompetencave të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit, si dhe transformimi i Entit Kombëtar të Banesave në një shoqëri publike që do të ndërtojë dhe menaxhojë banesa sociale dhe të përballueshme.

Ministrja bëri të ditur se është përgatitur edhe paketa ligjore për reformimin e politikës së strehimit, ndërsa instrumentet e reja do të prezantohen në vijim.

FOTO ALBUM