Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Kuvendi i Shqipërisë miratoi në seancën plenare të 17 shtatorit projektligjin “Për disenjot”, duke shënuar një tjetër hap në reformën e pronësisë industriale dhe në përafrimin e kuadrit ligjor shqiptar me legjislacionin e Bashkimit Europian.

Gjatë prezantimit të projektligjit në Kuvend, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi se mbrojtja e dizajnit, krijimtarisë dhe inovacionit lidhet drejtpërdrejt me rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë dhe krijimin e më shumë sigurisë juridike për bizneset dhe krijuesit.

Projektligji sjell një kuadër të përshtatur me zhvillimet teknologjike, thjeshton procedurat administrative dhe forcon sigurinë juridike në fushën e mbrojtjes së disenjove. Ai vjen pas miratimit të kuadrit të ri ligjor për markat dhe patentat, duke plotësuar një pjesë të rëndësishme të reformës në fushën e pronësisë industriale.

Mbrojtja e pronësisë intelektuale ka një rol të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, nxitjen e inovacionit dhe konkurrueshmërinë. Në Bashkimin Europian, aktivitetet e lidhura me pronësinë intelektuale kontribuojnë me 47,9% në PBB, ndërsa sektorët e lidhur me këto të drejta karakterizohen nga nivele pagash rreth 41% më të larta.

Miratimi i ligjit kontribuon gjithashtu në përmbushjen e detyrimeve të Shqipërisë në Kapitullin 7 të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian, për të Drejtat e Pronësisë Intelektuale.

Në vijim, puna do të fokusohet në informimin e biznesit për kuadrin e ri ligjor dhe në ristrukturimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Intelektuale, me synim forcimin e zbatimit të tij dhe ofrimin e shërbimeve më të përshtatura për subjektet që kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre.

Me miratimin e ligjit “Për disenjot”, Shqipëria forcon më tej kuadrin për mbrojtjen e dizajnit dhe vlerës krijuese, duke krijuar kushte më të përshtatshme për inovacionin dhe zhvillimin e sipërmarrjes.