Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj bëri të ditur sot se ekonomia shqiptare u rrit me 3,61% në tremujorin e dytë të vitit 2026, duke vijuar një ecuri të qëndrueshme të rritjes ekonomike.

Ibrahimaj theksoi se rritja u mbështet kryesisht nga aktivitetet e shërbimeve, ndërsa konsumi, investimet dhe eksportet shënuan gjithashtu rritje.

“Ekonomia shqiptare në tremujorin e dytë të vitit 2026 është rritur me 3,61%. Kjo është një rritje e cila është afërsisht në mesataren e rritjes tremujore që kemi pasur gjatë viteve të fundit, pas pandemisë, dhe tregon se ekonomia shqiptare vijon të ketë një rritje të qëndrueshme dhe një stabilitet të mëtejshëm makroekonomik”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.

Sipas të dhënave, aktivitetet e administratës publike, arsimit dhe shëndetësisë shënuan rritjen më të lartë, me 12,14%, duke dhënë një kontribut prej 1,38 pikë përqindjeje në rritjen ekonomike. Ndërkohë, aktivitetet e tregtisë, transportit dhe akomodimit u rritën me 5,53%, me një kontribut prej gati 1 pikë përqindjeje.

“Rritjen më të madhe e kemi te administrata publike, arsimi dhe shëndetësia, me 12,14%, të cilat kanë dhënë edhe kontributin më të madh në rritjen e PBB-së, me 1,38 pikë përqindjeje. Ndërkohë, tregtia, transporti dhe akomodimi janë rritur me 5,53% dhe kanë kontribuar me gati 1 pikë përqindjeje”, tha Ibrahimaj.

Rritje është shënuar në të gjitha aktivitetet që përfshihen në tregti, transport dhe akomodim. Zgjerimi i tregtisë me shumicë dhe pakicë lidhet me rritjen e konsumit të familjeve, ndërsa transporti dhe akomodimi vijojnë të ndikohen nga rritja e kërkesës turistike. Edhe arsimi dhe shëndetësia, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, kanë shënuar rritje, të lidhur me kërkesën në rritje dhe investimet në këto fusha.

Aktiviteti i pasurive të paluajtshme gjithashtu është rritur, në një kohë kur kërkesa për pasuri të paluajtshme vijon të zgjerohet. Sipas ministres, kërkesa, turizmi dhe ndërtimi janë të ndërlidhura dhe krijojnë një tablo pozitive për vijimin e aktivitetit ekonomik gjatë pjesës tjetër të vitit.

Një rritje prej 2,58% është shënuar edhe në aktivitetet e informacionit dhe komunikimit, ndërsa shërbimet e teknologjisë së informacionit janë rritur me më shumë se 10%. Industria u rrit me 0,47%, ndërsa aktiviteti i energjisë elektrike shënoi rritje prej 6,14%. Industria përpunuese e ushqimit vijoi me ecuri pozitive, e lidhur me prodhimin vendas dhe eksportet. Ndërkohë, aktivitetet e bujqësisë, pylltarisë dhe peshkimit shënuan rënie.

Shërbimet vijojnë të përbëjnë pjesën më të madhe të ekonomisë, me 47,21% të PBB-së. Bujqësia përbën mbi 18%, nga 16% në fund të vitit të kaluar, ndërsa ndërtimi zë 11,9% dhe industria 9,23%.

Nga ana e shpenzimeve, konsumi final i familjeve u rrit me 4,55%, konsumi i qeverisë me 4,15%, ndërsa investimet me 1,76%. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 9,78% në tremujorin e dytë, ndërsa në gjashtëmujorin e parë vlera e eksporteve arriti në 3,7 miliardë euro, nga të cilat 2.4 miliardë euro lidhen me shpenzimet e udhëtarëve. Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 7.55%.

“Edhe nga këndvështrimi i shpenzimeve, të gjithë komponentët kanë pasur rritje. Konsumi është rritur me 4,55%, konsumi qeveritar me 4,15%, ndërsa investimet me 1,76%. Në të njëjtën kohë, eksportet e mallrave dhe shërbimeve janë rritur me 9,78%”, deklaroi ministrja Ibrahimaj.

Në të njëjtën periudhë, ministrja Ibrahimaj theksoi se borxhi publik është ulur me 5 pikë përqindjeje krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2025, nga 54% në 49%. Investimet e huaja direkte arritën në 1.14 miliardë euro në gjashtëmujorin e parë të vitit, ndërsa stoku i tyre arriti në 18.42 miliardë euro. Fluksi i investimeve të huaja direkte ishte mbi 50% më i lartë se një vit më parë, ndërsa stoku u rrit me 15,3%.

Ministrja bëri të ditur se rreth 53,3% e investimeve të huaja direkte janë përqendruar në pasuritë e paluajtshme, ndërsa sektorë të tjerë të rëndësishëm janë financa dhe sigurimet, industria përpunuese, tregtia, energjia dhe informacioni e komunikimi. Vendet kryesore të origjinës së investimeve të huaja direkte janë Austria, Turqia, Italia, Holanda dhe Kosova.

Treguesit e të ardhurave dhe tregut të punës kanë shënuar gjithashtu përmirësim. Paga mesatare në tremujorin e dytë arriti në 92,150 lekë, me një rritje vjetore prej 9.8%. Pensionet u rritën me 7% gjatë vitit 2026, ndërsa remitancat u rritën me 16.9% në gjashtëmujorin e parë. Të ardhurat e disponueshme për frymë, u shpreh Ibrahimaj, u vlerësuan në rreth 71,485 lekë, me rritje 4% krahasuar me një vit më parë.

Aktiviteti i biznesit vijoi të zgjerohet. Në tetë muajt e parë të vitit, theksoi ministrja, u regjistruan 11,826 biznese të reja, 3,3% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa qarkullimi u rrit me 10,9%. Qarkullimi në tregti u rrit me 11%, në prodhim me 5% dhe në ndërtim me 10%, ndërsa në transport shënoi rënie me 4%, e ndikuar nga ulja e çmimeve ndërkombëtare të karburanteve.

Në tregun e punës, vuri në dukje ministrja, shkalla e papunësisë zbriti në 8,3%, 0,2 pikë përqindjeje më pak se në tremujorin e dytë të vitit 2025. Shkalla e punësimit arriti në 69,2%, ndërsa pjesëmarrja në forcat e punës në 76,3%.

“Shifrat e tremujorit të dytë tregojnë një ekonomi që vijon të rritet, me zgjerim të konsumit, rritje të investimeve dhe eksporteve, si dhe me përmirësim të treguesve të punësimit dhe të të ardhurave. Të gjitha degët e ekonomisë kanë pasur rritje të importeve, çka tregon edhe rritjen e konsumit dhe të inputeve të përdorura në prodhim”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.

Sipas ministres Ibrahimaj, të dhënat e tremujorit të dytë japin një tablo pozitive për ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe krijojnë premisa për vijimin e rritjes gjatë pjesës së mbetur të vitit.

 

FOTO ALBUM