Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në forumin “Future Hospitality Forum 2026”, ku u mblodhën zhvillues projektesh shqiptare, investitorë dhe marka ndërkombëtare të mikpritjes.

I pranishëm ishte edhe Kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e saj, Ibrahimaj deklaroi se Shqipëria po hyn në një fazë të re të zhvillimit të turizmit, ku fokusi nuk është më vetëm te rritja e numrit të vizitorëve, por te krijimi i më shumë vlere nga çdo vizitë, zgjatja e sezonit dhe rritja e cilësisë së ofertës turistike.

Ministrja theksoi se të ardhurat nga turistët ndërkombëtarë janë rritur nga 2.8 miliardë euro në 5.7 miliardë euro, ndërsa në vitin 2025 Shqipëria mirëpriti 12.5 milionë turistë. Sipas Ibrahimajt, mes viteve 2023 dhe 2025, hyrjet e shtetasve të huaj u rritën me 23%, ndërsa të ardhurat nga turizmi me më shumë se 40%.

“Mundësia jonë nuk është më thjesht të tërheqim më shumë investitorë apo më shumë vizitorë. Është të krijojmë më shumë vlerë nga çdo vizitë”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja theksoi se faza e ardhshme e turizmit nuk mund të jetë vetëm ndërtimi i më shumë dhomave, por një mikpritje më cilësore, përmes markave ndërkombëtare, menaxhimit, shërbimit, teknologjisë dhe eksperiencave që nxisin qëndrime më të gjata.

Në këtë drejtim, ministrja vuri në dukje se netëqëndrimet jashtë pikut të sezonit veror u rritën me pothuajse 80% gjatë periudhës 2023-2025.

Duke iu referuar perspektivës së sektorit, Ibrahimaj tha se deri në vitin 2030 të ardhurat nga udhëtimet ndërkombëtare mund të arrijnë rreth 8.5 miliardë euro, me synimin që Shqipëria të jetë një destinacion ku vizitorët qëndrojnë më gjatë, përjetojnë më shumë dhe rikthehen.

“Future Hospitality Forum 2026” prezanton mbi 100 projekte shqiptare dhe krijon mundësi për takime B2B mes zhvilluesve vendas, investitorëve dhe markave ndërkombëtare, me modele bashkëpunimi që përfshijnë management, franchise dhe lease. Projektet janë të ndara në tre segmente: Urban, Coastal dhe Mountain & Nature.

FOTO ALBUM