Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi në Kuvend projektligjin “Për tregjet e kriptoaseteve”, i cili synon krijimin e një kuadri ligjor bashkëkohor, mbrojtjen e investitorëve, garantimin e integritetit të tregut dhe nxitjen e sipërmarrjeve inovative.

Projektligji zëvendëson ligjin e vitit 2020 dhe përafron legjislacionin shqiptar me rregulloren e Bashkimit Europian për tregjet e kriptoaseteve (MiCA), duke vendosur standarde të reja për licencimin, funksionimin dhe mbikëqyrjen e operatorëve të këtij sektori.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë e mbrojtjes së qytetarëve përmes garantimit të transparencës, informimit mbi rreziqet e investimeve, mbrojtjes së aseteve të klientëve dhe krijimit të mekanizmave për trajtimin e ankesave.

Ministrja nënvizoi se miratimi i këtij projektligji nuk nënkupton garantimin nga shteti të investimeve në kriptoasete, por krijimin e kushteve që qytetarët të marrin vendime të mirëinformuara.

Ibrahimaj u ndal gjithashtu te potenciali ekonomik i këtyre teknologjive, veçanërisht në reduktimin e kostove të transfertave ndërkufitare, financimin e sipërmarrjeve, zhvillimin e industrisë fintech, tërheqjen e investimeve dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Një nga risitë e projektligjit është krijimi i një mjedisi të kontrolluar testimi (sandbox), që do t’u mundësojë startupeve dhe kompanive të testojnë produkte, teknologji dhe modele të reja biznesi nën mbikëqyrjen e institucioneve përgjegjëse.

Mbikëqyrja e tregut do të realizohet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka e Shqipërisë, sipas kompetencave përkatëse.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se harmonizimi i legjislacionit me standardet europiane përbën një hap të rëndësishëm drejt integrimit të Shqipërisë në tregun e përbashkët europian të shërbimeve financiare, duke përgatitur kompanitë shqiptare për mundësitë që do të sjellë anëtarësimi në Bashkimin Europian.

 

Fjala e plotë e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj në Kuvend për projektligjin “Për kriptoasetet”

I nderuar Kryetar i Kuvendit, të nderuar kolegë deputetë,

Vij përpara jush për të prezantuar projektligjin “Për tregjet e kriptoaseteve”.

Teknologjia po ndryshon arkitekturën e ekonomisë globale, mënyrën se si qarkullon kapitali, si financohen bizneset, si kryhen pagesat dhe se si investojnë qytetarët. Kriptoasetet janë një nga ato zhvillime që të transformojnë tregjet financiare ndërkombëtare.

Nga një fenomen teknologjik i konsideruar eksperimental pak vite më parë, sot ato përbëjnë një treg global, kapitalizimi i të cilit në fund të tetorit arrinte në 2.66 trilion dollarë, me mbi 22.000 asete aktive dhe një volum fitimi që varion nga 65 deri në 110 miliardë dollarë.

Bankat, institucionet financiare, kompanitë teknologjike po investojnë në këtë industri, ndërkohë që ekonomitë e zhvilluara po ndërtojnë legjislacione për të administruar mundësitë, por edhe rreziqet që ky treg sjell.

Shqipëria tashmë është pjesë e këtij realiteti. Qytetarët shqiptarë investojnë, kryejnë transaksione në kriptoasete, kryesisht përmes platformave të huaja, jashtë mbikëqyrjes së autoriteteve vendase. Përgjegjësia jonë është t’i përgjigjemi këtij realiteti me një legjislacion bashkëkohor që mbron interesat e qytetarëve, garanton integritetin e tregut dhe krijon hapësirë për sipërmarrjet inovative. Dhe pikërisht këtë synojmë ne nëpërmjet propozimit të projektligjit për tregjet e kriptoaseteve.

Shqipëria miratoi në vitin 2020, në fakt, ligjin ‘“Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, që u plotësua me aktet nënligjore në vitin 2023. Ndërkohë, Bashkimi Europian ka miratuar rregulloren për tregjet e kriptoaseteve, të njohur si MiCA, e cila zbatohet plotësisht prej dhjetorit të vitit 2024.

Projektligji që po diskutojmë sot zëvendëson ligjin e vitit 2020 dhe përafron legjislacionin shqiptar me këtë standard europian.

Operatorët mund të aplikojnë drejtpërdrejt pranë institucioneve përgjegjëse, pa pasur nevojë për subjekte ndërmjetëse. Gjithashtu, ligji rregullon 10 kategori shërbimesh, duke përfshirë operimin e platformave të tregtimit, kujdestarinë e kriptoaseteve, transfertat, këshillimin dhe administrimin e portofolave.

Kriptoasetet janë përfaqësime digjitale në vlerë të një të drejte që mund të ruhet, të transferohet elektronikisht nëpërmjet teknologjive të tilla si blockchain. Ato mund të përfaqësojnë një kriptomonedhë si Bitcoini, të drejtën për të përdorur një shërbim apo një vlerë të lidhur me një monedhë zyrtare si euro apo edhe leku.

Ligji trajton këto produkte sipas funksionit ekonomik dhe nivelit të rrezikut që ato paraqesin.

Një vëmendje të posaçme në ligj i dedikohet dhe atyre që njihen si stablecoin, të cilat synojnë të ruajnë një vlerë të qëndrueshme duke u lidhur me një monedhë zyrtare, një aset apo një grup asetesh. Për emetuesit e tyre vendosen kërkesa për rezerva, mbrojtjen e fondeve, likuiditetin dhe të drejtën e shlyerjes, sipas kategorisë së kriptoasetit.

Kërkesat për kapitalin minimal të ofruesve të shërbimeve janë gjithashtu të diferencuara: 50.000 euro për veprimtari të tilla të këshillimit, transferta apo administrimi i protokolleve; 125.000 euro për kujdestarinë dhe këmbimin e kriptoaseteve; 150.000 euro për operimin e platformave të tregtimit. Këto kritere janë proporcionale me natyrën dhe rrezikun e aktivitetit, në përputhje me standardin e Bashkimit Europian.

Rregullorja që ne e kemi përafruar është jashtëzakonisht teknike, por në fakt ajo ka të bëjë me çdo qytetar. Një qytetar që vendos të investojë në këtë aspekt, duhet të dijë se çfarë produkti po blen, cilat janë kostot, çfarë të drejtash i jepen, por dhe çfarë rreziku po merr përsipër në momentin që investon.

Për këtë arsye, vendosen detyrime për publikimin e dokumentit informues dhe standarde për materialet promovuese. Informacioni duhet të jetë i saktë, i kuptueshëm dhe të mos keqorientojë investitorët.

Operatorët do të jenë të detyruar të mbajnë asetet e klientëve të ndara nga asetet e tyre, duke i mbrojtur ato nga pretendimet e kreditorëve në rast të falimentimit të kompanive. Qytetarët mund të verifikojnë në regjistrat publikë nëse një operator është i autorizuar dhe do të kenë në dispozicion mekanizma për paraqitjen dhe trajtimin e ankesave.

Eksperiencat ndërkombëtare, përfshirë falimentimin e platformës FTX, kanë dëshmuar pasojat financiare që mund të sjellë keqpërdorimi i fondeve të klientëve, mbikëqyrja e pamjaftueshme. Dhe dua të theksoj se miratimi i këtij ligji nuk nënkupton që ne garantojmë investimet në kriptoasete nga shteti, por këto investime, që mbartin rreziqe, duhet që të jenë të mirëinformuara dhe qytetarët të jenë të siguruar që të kenë informacionin e duhur.

Një tjetër këndvështrim është dhe mundësia ekonomike që vjen. Nga këndvështrimi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, potenciali i këtyre teknologjive shtrihet përtej tregtimit të kriptomonedhave. Është një fushë me interes për Shqipërinë ajo e pagesave dhe transfertave ndërkufitare. Për një vend me një diasporë të konsiderueshme, zhvillimi i shërbimeve financiare digjitale mund të kontribuojë në reduktimin e kostove dhe kohës së transfertave, duke krijuar alternativa për familjet shqiptare, për eksportuesit dhe për profesionistët që ofrojnë shërbime në tregjet ndërkombëtare.

Një tjetër mundësi lidhet drejtpërdrejt me financimin e sipërmarrjes. Teknologjitë e reja mund të mbështesin zhvillimin e instrumenteve alternative për mobilizimin e kapitalit dhe financimin e projekteve të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, në përputhje me legjislacionin e tregjeve financiare.

Bankat dhe institucionet e tjera financiare do të kenë gjithashtu një mundësi të zgjerojnë gamën e produkteve dhe shërbimeve që ato ofrojnë, sipas kërkesave përkatëse.

Një potencial i rëndësishëm qëndron dhe te zhvillimi i industrisë fintech në Shqipëri. Programimi, siguria kibernetike, administrimi i të dhënave, zhvillimi i platformave financiare dhe konsulenca profesionale janë fusha që mund të tërheqin më shumë investime dhe të gjenerojnë punësim, por edhe vlerë të shtuar.

Shqipëria ka një brez të ri profesionistësh teknologjikë që mund të zhvillojnë produkte konkurruese për tregun vendas, por edhe për tregun ndërkombëtar. Ndaj interesi ynë ekonomik është që këto veprimtari të krijojnë vlerë në Shqipëri: kompani që investojnë këtu, profesionistë që punojnë këtu dhe produkte që zhvillohen në vendin tonë dhe eksportohen në tregjet ndërkombëtare.

Një nga risitë e projektligjit është gjithashtu krijimi i një mjedisi të kontrolluar testimi, të njohur si sandbox. Ky mekanizëm do t’u mundësojë startupeve dhe kompanive të testojnë produkte, teknologji dhe modele të reja biznesi nën mbikëqyrjen e institucioneve, përpara se t’i ofrojnë ato në treg dhe përpara se të kenë nevojë që të licencohen.

Një startup shqiptar mund të zhvillojë një shërbim për transferta ndërkomunitare, për shembull, mund të testojë funksionimin, kostot dhe sigurinë e produktit, duke identifikuar në kohë kërkesat që duhet të përmbushen.

Për institucionet, ky mekanizëm shërben për të kuptuar zhvillimet teknologjike edhe për të vlerësuar rreziqet e produkteve të reja.

Mbikëqyrja e tregut për këtë sektor do të bëhet nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, i cili do të autorizojë dhe mbikëqyrë ofruesit e shërbimeve të kriptoaseteve, respektimin e detyrimeve dhe zbatimin e rregullave kundër abuzimit në treg.

Banka e Shqipërisë gjithashtu ka një përgjegjësi këtu. Ajo do të jetë përgjegjëse për autorizimin dhe mbikëqyrjen e emetuesve të aseteve dhe të parasë elektronike, duke adresuar rreziqet që lidhen me stabilitetin financiar dhe funksionimin e sistemit të pagesave.

Të nderuar kolegë,

Shqipëria është pjesë e procesit të integrimit të Shqipërisë në tregun e përbashkët europian të shërbimeve financiare. Ai përcakton procedurat për njohjen në Shqipëri të operatorëve të autorizuar në Bashkimin Europian, duke krijuar një konkurrencë të barabartë, dhe ai përcakton procedurat pra për njohje dhe në fazën e parë të anëtarësimit, një autorizim shqiptar nuk e jep automatikisht të drejtën për të operuar në Bashkimin Europian.

Megjithatë, harmonizimi i standardeve që sot u mundëson kompanive tona të përgatiten për integrimin e ardhshëm dhe, me miratimin e ligjit, ne do të jemi të përgatitur që me hyrjen në Bashkimin Europian, të gjitha kompanitë shqiptare të licencuara me legjislacionin shqiptar, i cili është i përafruar me legjislacionin europian, do të mund të operojnë lirshëm në të gjithë tregun e përbashkët europian.

Ndaj ju ftoj ta miratoni.

Faleminderit!