Ministry of Economy and Innovation

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj,  në fjalën e saj në seancën e sotme plenare, ku u diskutua projektbuxheti në parim, theksoi, se projektbuxheti 2026 përmbush premtimet e qeverisë për rritjen e mirëqenies dhe konsolidimin ekonomik të vendit.

Ajo tha se dokumenti financiar reflekton progresin e arritur në negociatat me Bashkimin Europian dhe performancën e qëndrueshme të ekonomisë shqiptare, ku nënvizoi se Shqipëria ka mbyllur të gjithë kapitujt e negociatave me BE, një zhvillim që, sipas saj,  dëshmon transformimin ekonomik të dekadës së fundit.

Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit solli në vëmendje se ekonomia është rritur 2,5 herë, eksportet janë trefishuar, të ardhurat për frymë janë trefishuar, ndërsa paga mesatare ka arritur në 850 euro dhe borxhi publik ka vijuar rënien.

“Rritja e të ardhurave nuk ka ardhur si pasojë e rritjes së taksave, por falë administrimit të përmirësuar dhe performancës së ekonomisë,”, tha Ajo, ku vuri në dukje, se biznesi i vogël mbetet i pataksuar, ndërsa tatimfitimi i biznesit të madh është rritur në mënyrë progressive”.

Sipas Ibrahimajt, një nga pikat kryesore të projektbuxhetit është rritja historike e pensioneve. “Për vitin 2026 parashikohet një fond prej 10 miliardë lekësh për kompensim mujor, nga 600 deri në 1800 lekë sipas kategorive të pensioneve. Brenda mandatit, synohet që pensioni urban të arrijë 40 mijë lekë, ai urban i pjesshëm 22 mijë lekë, rurali 18 mijë lekë, ai familjar 18 mijë lekë dhe ai i invaliditetit 30 mijë lekë”, u shpreh Ibrahimaj.

Po ashtu, theksoi ajo, në vitin 2026 do të aplikohet indeksimi i pagave për të gjithë administratën publike, ndërkohë që rritje të diferencuara parashikohen për arsimtarët, mjekët, policinë dhe ushtrinë.

Ministrja tha se qeveria synon që paga minimale të arrijë në 600 euro në vitin 2028 dhe 700 euro në 2030-ën.

 

-Më poshtë gjeni fjalën  e plotë e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj,

 

I nderuar zoti kryetar,

Të nderuar deputetë,

Të dashur qytetarë,

Në fakt ka një arsye pse Partia Socialiste fiton dhe fiton dhe fiton zgjedhjet, sepse ne besojmë, themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi dhe këtë qytetarët shqiptarë e dinë sepse ka vite e vite me radhë që e kanë provuar. Dhe çfarë thamë ne gjatë zgjedhjeve të këtij viti, të Majit të këtij viti.

Ne premtuam progres në anëtarësimin në BE, ne premtuam rritje pensionesh dhe rritje mirëqenie për qytetarët dhe janë këto ato që kanë ndodhur që nga zgjedhjet e deri sot dhe janë këto shtyllat që karakterizojnë buxhetin që ne prezantojmë.

Jo, ai shënoi një moment historik në marrëdhënien tonë me BE pasi u mbyllën të gjithë kapitujt negociatorë njëlloj si kishim premtuar. Jo rastësisht komisionerja Marta Kos e quajti këtë një progres mbresëlënës. Kjo arritje nuk është një arritje me fjalë, kjo arritje është një pasqyrë e transformimit që vendi ynë ka kryer në këtë dekadë. Ne sot jemi si kurrë më pranë BE-së, sepse Shqipëria e sotme nuk është Shqipëria e 10 viteve më parë. Ajo është rritur 2.5 herë, eksportet janë trefishuar, të ardhurat për frymë janë trefishuar, paga mesatare ka arritur në nivelin 850 euro, ndërsa ekonomia është konsoliduar e borxhi publik ka ardhur në rënie. Stabiliteti financiar që kemi treguar në këto vite ndonëse kemi kaluar kriza të njëpasnjëshme tregon për maturimin e politikave që kemi përshtatur. Shpesh herë këtu dëgjojmë për politika fiskale, të cilat taksojnë biznesin, për politika fiskale, të cilat ndikojnë dhe duan të ndihmojnë biznesin e madh apo një pakicë, por e vërteta qëndron ndryshe.

Që kur kemi marrë detyrën kemi aplikuar një taksim, i cili është më i lartë për biznesin e madh sesa për biznesin e vogël, ne kemi pragun më të lartë të tatim fitimit dhe TVSH. Pra biznesi i vogël në Shqipëri nuk tatohet. Më parë biznesi i vogël tatohej me 10% njëlloj si biznesi i madh, ndërsa sot biznesi i madh tatohet me 15%.

Të ardhurat nga tatimet dhe doganat, të cilat kanë ardhur në rritje dhe nuk kanë ardhur në rritje vetëm në vlerë nominale, por edhe si përqindje ndaj PBB duke përjashtuar të gjithë biznesin e vogël.

Kur e morëm detyrën të ardhurat kanë qenë 24.2% të PBB, ndërsa sot në projektbuxhetin që ju paraqesim ato parashikohen 29.6% e PBB-së.

Dhe kjo nuk ka ardhur si rezultat i rritjes së taksave. Ne nuk kemi bërë politikë të rritjes së taksave për biznesin. Kjo ka ardhur si rezultat i performancës më të mirë të ekonomisë, ka ardhur si rezultat i mirëadministrimit tatimor. Janë këto të vërteta dhe shifra që na lejojnë sot të bëjmë atë që kemi shumë vite që kemi dashur të bëjmë.

Ne për herë të parë bëjmë një rritje të të ardhurave të pensioneve nëpërmjet këtij projektbuxheti si asnjëherë më parë. Ne mbajmë një premtim të cilin e kemi dhënë gjatë fushatës elektorale për t’u dhënë dinjitet atyre brezave që kanë punuar për të pasur Shqipërinë që kemi sot.

Përveç indeksimit të pensioneve në vitin 2026 ne vendosim një kompensim mujor të të ardhurave, i cili është i diferencuar sipas kategorive të pensionit. Efekti vjetor i cili është i parashikuar në buxhet është 10 miliardë lekë, e cila është një mbështetje direkte për çdo pensionist. Konkretisht ne do të kemi rritje me 1800 lekë në muaj për pensionet urbane të plota, 800 lekë në muaj për pensionet urbane të pjesshme, 1000 lekë në muaj për pensionet rurale, 700 lekë në muaj për pensionet familjare dhe 600 lekë në muaj për pensionet e invaliditetit. Dhe ky është vetëm fillimi: në periudhën 2026-2030 qeveria do të vërë në dispozicion një fond prej 1.7 miliardë eurosh.

Në një kohë kur ne morëm qeverinë i gjithë prodhimi i brendshëm bruto ishte më pak se 10 miliardë euro, ndërsa sot gati 20% të asaj shifre që përbënte të gjithë prodhimin e brendshëm bruto e vëmë në dispozicion.

Çdo vit shifrat që thashë unë do të shumëfishohen duke bërë të mundur që deri në fund të këtij mandati qeverisës pensioni urban me vite të plota të shkojë mesatarisht 40 mijë lekë, pensioni urban i pjesshëm të shkojë mesatarisht 22 mijë lekë, pensioni rural të shkojë 18 mijë lekë, pensioni familjar të shkojë 18 mijë lekë dhe pensioni i invaliditetit të shkojë mesatarisht 30 mijë lekë.

Është e rëndësishme të themi që ne nuk ndalojmë me kaq për sa i përket politikave për rritjen e mirëqenies së familjeve.

Kur ne filluam politikën e rritjes së pagave tre vite më parë, kur ndërmorëm këtë hap ishim të sigurtë që do të vazhdonim këtë. Dhe paralelisht me një rritje pagash që shkonte nga 35-65% të çdo funksionari publik, ne ndërmorëm një nismë ku vendosëm që për herë të parë do të bënim indeksimin e pagave. Dhe ja ku erdhi, kaluan dy vite dhe vjen viti 2026 ku në buxhet kemi parashikuar indeksimin e pagave për të gjithë punonjësit e administratës publike dhe jo vetëm kaq, për kategori të ndryshme të cilat janë më në fokus të qeverisë shqiptare si arsimtarët, shëndetësia, ushtarakët, policia kemi rritje të diferencuar të pagave që shkon më shumë se 2.5%. Ne kemi qenë gjithmonë të vëmendshëm që ata që marrin më pak të paguajnë më pak dhe për këtë arsye e kemi shoqëruar këtë filozofi edhe me politikat fiskale që kemi ndërmarrë ndër vite.

Që në fillim të mandateve ndoqëm një politikë të taksimit progresiv: pra ata që paguhen më pak duhen të paguajnë më pak.

Për pagat e ulëta ne i përjashtuam nga pagesa e tatimit mbi të ardhurat personale dhe nga kjo politikë kanë përfituar shumë e shumë individë e vijojnë të përfitojnë shumë e shumë individë. Ne nuk do të ndalojmë këtu me pagat. Kemi parashikuar që në vitin 2028 paga minimale do të shkojë 600 euro dhe në 2030, 700 euro dhe besojmë fort që kjo politikë e rritjes së pagës minimale është politika e duhur për të reduktuar varfërinë pasi paga minimale është e ndërlidhur edhe me një sërë masash sociale që ne kemi të parashikuara. Është e lidhur me pagesat e papunësisë, programet e nxitjes së punësimit ndaj ne besojmë fort që kjo është politika e duhur që ka dhënë efektet e veta në reduktimin e varfërisë. Ne nuk kujdesemi sigurisht vetëm për qytetarët, por përmes këtij buxheti jemi kujdesur të mos krijojmë kosto të padëshirueshme për bizneset. Ndaj dhe projektbuxheti parashikon subvencionim të rritjes së kostove për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për shkak të politikës së pagës minimale. Kjo është e përfshirë. Janë 1 miliard lekë të parashikuara në buxhet pikërisht për këtë reformë. Megjithatë për t’ju rikthyer ekonomisë dhe stabilitetit ekonomik ne duam që të vëmë në dukje se në vitet e dekadës së fundit, ekonomia shqiptare ka kaluar nga pasiguria drejt stabilitetit, nga një rol dytësor në ekonomitë rajonale tek synimi i meritueshëm për të qenë pjesë e tregut të përbashkët europian. Ne i kemi dhënë biznesit frymëmarrje, kemi sjellë shërbimet publike në ekranin e qytetarit, kemi ulur burokracitë dhe kemi rritur besimin në shtet. Por jemi ende në mes të rrugës.

Hapi i ardhshëm përafrimi i plotë me standardet e BE,

Në fuqinë e inovacionit dhe në aftësinë e njerëzve tanë, ky është thelbi i këtij mandati, të bëjmë një ekonomi shqiptare të aftë të konkurrojë me dinjitet në tregun e përbashkët europian. Dhe që të realizojmë këtë vizion kemi dy shtylla kryesore. Në radhë të parë mbështesim prodhimin vendas, dhe në radhë të dytë duhet të arrijmë standardet. Këto standarde kemi parashikuar t’i arrijmë përmes një sërë masash.

Për të arritur këto standarde janë 66 milionë euro, të cilat së bashku me BB do t’i shfrytëzojmë me qëllim lehtësimin e tregtisë, ngritjen e institucioneve të tregut të brendshëm.

Buxheti që propozojmë të miratohet në parim në këtë seancë parashikon shumëçka për mbështetjen e biznesit, startupeve, fondet e konkurrueshmërisë, gjithashtu parashikon programet e nxitjes që të mbështesim të rinjtë dhe të rejat pasi pa kapitalin njerëzor do të jetë e pamundur të arrijmë atë nivel ekonomik që synojmë të arrijmë dhe brenda këtij mandati të jemi pjesë e BE-së dhe të konkurrojmë si të barabartë në tregjet e BE.

Ju ftoj ta votoni këtë projektbuxhet dhe t’i hapni rrugën një zhvillimi që tashmë është i pashmangshëm.

 

Faleminderit!