Ministry of Economy and Innovation

Ministrja Ibrahimaj: Aderimi në Traktatin e WIPO-s forcon inovacionin dhe mbrojtjen e pasurive shqiptare

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, prezantoi nw seancw plenare nw Kuvend, rëndësinë e miratimit të Traktatit të Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), një instrument ndërkombëtar i miratuar në vitin 2024, i cili lidhet drejtpërdrejt me kërkimin shkencor, inovacionin dhe mbrojtjen e burimeve gjenetike dhe njohurive tradicionale.

Ministrja theksoi se ky traktat plotëson kornizën e infrastrukturës së cilësisë në Republikën e Shqipërisë dhe përfaqëson një arritje të rëndësishme ndërkombëtare, pas më shumë se 20 vitesh negociata në nivel global. Traktati synon të sigurojë që shpikjet dhe patentat të njohin dhe të deklarojnë qartë origjinën e burimeve gjenetike dhe njohurive tradicionale, duke parandaluar përdorimin e tyre pa transparencë dhe pa përfitim për vendet e origjinës.

Duke folur për rëndësinë e këtij traktati për Shqipërinë, Ministrja nënvizoi se vendi ynë ka një biodiversitet të pasur dhe një trashëgimi të gjerë njohurish tradicionale, veçanërisht në bujqësi, mjekësinë popullore dhe produktet tradicionale. Këto pasuri, sipas saj, përbëjnë një potencial real ekonomik, i cili mund të shndërrohet në vlerë të qëndrueshme vetëm nëse mbrohet dhe administrohet në mënyrë të drejtë.

Traktati krijon mundësinë që këto pasuri të njihen ndërkombëtarisht në origjinën e tyre dhe të kthehen në burim zhvillimi për komunitetet lokale dhe për ekonominë kombëtare.

Në këtë kontekst, Ministrja vlerësoi rolin kyç të Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Intelektuale, si institucioni përgjegjës për regjistrimin e markave, patentave dhe treguesve gjeografikë, si dhe për përfaqësimin e Shqipërisë në WIPO.

Aktualisht, në Shqipëri janë të regjistruara 7,528 patenta, nga të cilat 7,455 janë patenta europiane, ndërsa aplikimet për patenta shqiptare mbeten të ulëta, rreth 10-12 në vit. Në fushën e markave, janë aktive 63,456 marka, me rreth 4,500-4,600 aplikime të reja çdo vit. Ndërkohë, vendi ka 29 tregues gjeografikë të regjistruar dhe dy të tjerë në proces, konkretisht “Vaji i Valmit” dhe “Gështenja e Reçit”.

Ministrja theksoi se njohja e produkteve autentike shqiptare si tregues gjeografikë rrit konkurrueshmërinë e tyre në tregjet ndërkombëtare, duke garantuar origjinë, cilësi dhe standardizim, si dhe duke forcuar më tej infrastrukturën e cilësisë.

Aderimi në këtë traktat është plotësisht në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe me angazhimet e Shqipërisë në procesin e integrimit europian. Sipas Ministres, miratimi i tij përbën një hap konkret drejt mbështetjes së ekonomisë së dijes, të ndërtuar mbi potencialet natyrore dhe kulturore që Shqipëria ofron.

Në përfundim, Ministrja Ibrahimaj u bëri thirrje deputetëve që ta miratojnë traktatin, si një investim strategjik për zhvillimin afatgjatë të vendit.