Ministry of Economy and Innovation

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, drejtoi mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të Punës për vitin 2026, njëkohësisht edhe mbledhjen e parë të Këshillit të rikonstituar me mandatin e ri.

Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj theksoi se dialogu social mbetet një shtyllë themelore e mirëqeverisjes dhe një instrument kyç për ndërtimin e politikave të qëndrueshme në fushën e punësimit, sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe zhvillimit të tregut të punës.

“Rikonstituimi i Këshillit Kombëtar të Punës dhe mbledhja e tij që në muajin janar janë një hap konkret përpara drejt forcimit të dialogut social dhe bashkëpunimit të qëndrueshëm mes qeverisë, punëdhënësve dhe punëmarrësve”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.

Gjatë mbledhjes u diskutua për funksionimin e Këshillit për vitin 2026, si dhe për prioritetet kryesore që lidhen me reformat në tregun e punës, në kuadër të procesit të integrimit europian.

Ministrja e vuri theksin te nevoja për përafrimin e legjislacionit shqiptar me direktivat e Bashkimit Europian, duke përfshirë rishikimin e Kodit të Punës dhe legjislacionit shoqërues, nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës dhe konsultativ.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua modernizimit të politikave aktive të punësimit, digjitalizimit të shërbimeve, forcimit të garancisë rinore dhe krijimit të Observatorit të Tregut të Punës, si instrument për politika më të bazuara në të dhëna dhe më transparente për publikun.

Në kuadër të dialogut social, u trajtuan gjithashtu çështje me rëndësi të veçantë për punëmarrësit dhe ekonominë, si paga minimale, reforma e pensioneve, statusi i minatorit, si dhe sfidat që lidhen me mungesën e fuqisë punëtore dhe migracionin.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se qeveria do të vijojë të punojë ngushtë me të gjitha palët e interesit për të ndërtuar reforma të qëndrueshme dhe të zbatueshme, duke e kthyer Këshillin Kombëtar të Punës në një hapësirë reale dialogu, bashkëpunimi dhe vendimmarrjeje të përbashkët.

“Dialogu i hapur, i vazhdueshëm dhe i sinqertë është garancia më e mirë për politika që i shërbejnë zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies së punëmarrësve” deklaroi ministrja.

 

 

Fjala e plotë e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës

Përshëndetje të gjithëve,

Faleminderit që keni ardhur sot në mbledhjen e parë të Këshillit Kombëtar të Punës.

Unë, në fakt, kam një falenderim të veçantë për të gjithë anëtarët e Këshillit Kombëtar të Punës.

Nuk është hera e parë që jam këtu prezent midis jush për të drejtuar këtë këshill.

Po, ndërkohë, me mandatin e ri rikonstituohet Këshilli Kombëtar i Punës.

Kjo është mbledhja e parë e Këshillit të rikonstituar dhe gjithashtu është mbledhja e parë e vitit 2026.

Në rend dite kemi disa tema të cilat janë të paracaktuara dhe të dakorduësuara. Gjithashtu, kemi disa tema që janë propozuar nga pjesëmarrësit e Këshillit Kombëtar të Punës tek pikat shtesë të rendit të ditës, të cilat do t’i diskutojmë me shumë detaje.

Është e rëndësishme që Këshilli mblidhet që në janar.

Në zbatim të ligjit ky Këshill mblidhet të paktën dy herë në vit ose me kërkesë nga anëtarët e Këshillit Kombëtar të Punës kur ka diçka specifike për të diskutuar.

Kjo mbledhje ka për synim që të vendosë funksionimin korrekt të Këshillit Kombëtar të Punës për vitin 2026, të forcojë dialogun për çështjet prioritare, për reformat në punësim, në siguri në punë dhe të tregut të punës, duke krijuar një proces bashkëpunimi të qëndrueshëm mes qeverisë, punëdhënësve dhe punëmarrësve, si dhe për përmirësimin e politikave aktive të punësimit në përputhje me standardet europiane dhe nevojat reale të tregut të punës.

Përveç atyre që do të diskutohen sot, në fakt, viti 2026 është një vit,  i cili do të jetë i mbushur me ndryshime ligjore të lidhura me tregun e punës.

Ne, në kuadër të gjithë procesit të anëtarësimit dhe të integrimit në Bashkimin Europian, kemi disa detyra të rëndësishme në ndryshimin e legjislacionit, duke filluar nga Kodi i Punës dhe të gjithë legjislacionin poshtë kodit.

Ndaj, besoj se do të jetë një vit intensiv, ku do të duhet të diskutojmë bashkërisht për përafrimin e direktivave, për rishikimin e legjislacionit, por edhe për të gjithë periudhat tranzitore që do të kërkojmë me qëllim zbatimin me efektivitet të të gjithë legjislacionit europian në fushën e punësimit dhe të aftësimit.

Sot, fillimisht në pikën e parë do të merremi me konstituimin e Këshillit dhe me zgjedhjen e nënkryetarit të Këshillit.

Në pikën e dytë do të prezantohet informacioni mbi krijimin e Komitetit Ndërministror për Çështjet e Sigurisë dhe të Shëndetit në Punë. Është një komitet i cili është ngritur me vendim të Këshillit të Ministrave, është një komitet i cili është në zbatim të ligjit dhe që këshillon Këshillin e Ministrave për të gjithë vendimmarrjet që lidhen me punën dhe me aftësimin.

Komiteti drejtohet nga Ministri Përgjegjës për Punën dhe nga ministra apo zëvendësministra,  shtatë në total, me qëllim siç thashë diskutimin e çështjeve të punës.

Besoj që është një Komitet, i cili do t’i shërbejë dhe Këshillit Kombëtar të Punës, pasi do të forcojë bashkëpunimin ndërministror në hartimin dhe në zbatimin e politikave, qoftë të punësimit, qoftë të sigurisë në punë apo gjithçka tjetër që ne do ta mendojmë të nevojshme për t’u ndjekur dhe për të pasur një koordinim më të mirë, siç thashë, ndërministror.

Pika e tretë lidhet me prezantimin e ndryshimeve të ligjit për nxitjen e punësimit, i cili synon modernizimin e shërbimeve të punësimit, digjitalizimin e proceseve, forcimin e garancisë rinore, krijimin e observatorit të tregut të punës si instrument thelbësor për hartimin e politikave në këtë fushë, por edhe për ndjekjen e zbatimit të politikave në këtë fushë. Një instrument i cili do të përdoret jo vetëm nga politikbërësit, jo vetëm nga anëtarët e Këshillit Kombëtar të Punës, por edhe nga publiku i gjerë për të krijuar më transparencë dhe për të na lejuar që të kemi një komunikim sa më të pastër dhe të qartë, qoftë ndërmjet nesh, qoftë brenda për brenda nesh, por edhe qoftë me publikun.

Në pjesën e tretë janë pika të ndryshme ku ka pasur disa propozime nga anëtarët e Këshillit Kombëtar të Punës për diskutime shtesë.

Ne do të diskutojmë në detaj. Janë përzgjedhur tre tema, por sigurisht që mund të diskutojmë dhe për të tjera, për pagën minimale dhe pensionet.

Në fakt, paga minimale, siç jeni bërë me dije, ka hyrë në fuqi rritja e pagës minimale dhe në programin e qeverisë parashikohet që do të ketë një rritje të mëtejshme të pagës minimale përgjatë katërvjeçarit të ardhshëm, me qëllim që të vendosim atë limitin, që punonjësit të kenë një pagë sa më afër nevojave të tyre, por gjithashtu për të shkuar drejt standardit të Bashkimit Europian, i cili parashikon që paga minimale duhet të jetë minimalisht 60% e pagës mesatare në nivel vendi.

Në këtë pikë, sigurisht do të diskutohet dhe për reformën e pensioneve.

Ne, në fakt, prej më shumë se një viti jemi duke punuar edhe me asistencën e Bankës Botërore me qëllim hartimin e një reforme e cila, sigurisht që përpara se të marrë vendimmarrje, do të duhet që të diskutohet edhe bashkërisht dhe do të jetë një pikë që do ta diskutojmë në pikën e parë të pikes së ndryshme.

Në pikën e dytë të pikës së ndryshme kemi një diskutim mbi statusin e minatorit.

Çështja e statusit të minatorëve dhe problematikat e lidhura me përfitimin 1% apo 0.6% për 1136 minatorët, e cila trajtohet në kuadër të ligjit të përkatës është një element që sigurisht ka marrë vëmendje dhe diskutime dhe në mbledhjet e mëparshme të Këshillit Kombëtar të Punës dhe besoj që sot do të kemi një diskutim shterrues për këtë çështje.

Në pikën e tretë do të diskutohet për mungesën e fuqisë punëtore dhe migracionit, siç jeni në dijeni qeveria shqiptare ka një politikë për migracionin, ka një strategji kombëtare për migracionin e cila ka të parashikuar një sërë masash.

Ndërkohë që sigurisht adresimi i mungesës së fuqisë punëtore, por edhe i fuqisë punëtore të kualifikuar do të jetë pjesë e diskutimeve të ditës së sotme, ku në fakt qeveria shqiptare ka ndërmarrë masa të rëndësishme me qëllim kualifikimin e fuqisë punëtore, por edhe me qëllim plotësimin e nevojave për fuqi punëtore edhe nëpërmjet marrëveshjeve që na jemi duke nënshkruar me vendet të treta.

Unë dua t’u falënderoj për prezencën tuaj këtu sot.

Për ne, dialogu i vazhdueshëm dhe dialogu social është një komponent shumë i rëndësishëm i mirëqeverisjes.

Do të punojmë në këtë drejtim gjatë këtij viti me qëllim forcimin e dialogut social dhe përfshirjen e të gjithë palëve të interesit në diskutime, dhe konstituimi i ri i Këshillit Kombëtar të Punës është një hap më përpara. Edhe konstituimi dhe mbledhja e parë brenda muajit janar është një hap përpara drejt çuarjes përpara të dialogut social, i cili sigurisht që është vetëm pozitiv dhe i mirëpritur.

Shumë faleminderit edhe njëherë që jeni sot këtu dhe besoj që mund të fillojmë me pikat e rendit të ditës, duke filluar nga konstituimi.

 

FOTO ALBUM