Ministry of Economy and Innovation

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Znj. Delina Ibrahimaj, mori pjesë në panelin “Diaspora Partner në Biznes dhe Inovacion”, pjesë e Samitit të Diasporës, i organizuar nën kujdesin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit. Ky panel u fokusua në mundësitë e diasporës shqiptare për të kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit përmes investimeve, inovacionit dhe transferimit të njohurive.

Në fjalën e saj, Ministrja Ibrahimaj theksoi se diaspora shqiptare është një aset i jashtëzakonshëm, i cili mund të nxisë dhe përshpejtojë proceset e integrimit të Shqipërisë në BE dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Ajo theksoi rëndësinë e intensifikimit të lidhjeve me diasporën dhe angazhimin e saj për të mbështetur startup-et dhe infrastrukturën e inovacionit në Shqipëri.

“Diaspora është një urë lidhëse e rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Me gjithë entuziazmin dhe dëshirën e mirë që kemi pasur gjatë samiteve të kaluara, besoj se mund të bëjmë shumë më tepër. Ky vit do të jetë një moment kyç për të pasur rezultate konkrete dhe për të intensifikuar bashkëpunimin me diasporën për të krijuar një ekosistem më të hapur dhe më konkurrues”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj.

Ministrja gjithashtu theksoi që në vitin e kaluar, 35 shqiptarë nga diaspora aplikuan për fonde për startup-et, ndërsa këtë vit ky numër është rritur në 70.
Ajo vuri në dukje se diaspora shqiptare ka potencial të jashtëzakonshëm për të kontribuar në nxitjen e inovacionit, si dhe për të sjellë njohuri dhe eksperiencë të vlefshme për zhvillimin e sektorëve kyç të ekonomisë shqiptare, si energjia e rinovueshme dhe turizmi.

“Ne kemi krijuar mundësi për investitorët nga diaspora, dhe 10% e fondeve që qeveria shqiptare ka vënë në dispozicion për mbështetje të inovacionit janë të dedikuara për diasporën. Kjo është një hap i rëndësishëm për të zhvilluar më tej bashkëpunimin dhe për të ndihmuar Shqipërinë të bëhet një vend më i zhvilluar ekonomikisht”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj tha se përmes këtij paneli, ne synojmë të forcojmë lidhjet me diasporën, të nxisim inovacionin dhe të zhvillojmë bashkëpunim të frytshëm për të kontribuar në transformimin ekonomik dhe teknologjik të Shqipërisë.
“Roli i diasporës është thelbësor, jo vetëm si burim financiar, por edhe si partner aktiv në zhvillimin e vendit”, u shpreh Ministrja Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj bëri thirrje për një angazhim të përbashkët dhe konkret në mbështetje të iniciativave të inovacionit dhe zhvillimit ekonomik, duke theksuar rëndësinë e krijimit të mundësive dhe mbështetjes për të rinjtë dhe start-upet shqiptare.

Në panel, folësit diskutuan mbi mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet sipërmarrësve dhe profesionistëve shqiptarë nga diaspora dhe bizneset në Shqipëri, si dhe mbi mekanizmat lehtësues që mund të mundësojnë investime më të shumta dhe krijimin e një ekosistemi më të hapur dhe më konkurrues.