Ministry of Economy and Innovation

Gjatë interpelancës së zhvilluar në Kuvend, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, iu përgjigj pyetjeve dhe pretendimeve të ngritura nga opozita në lidhje me Parkun Teknologjik dhe Shkencor Durana, duke theksuar se modeli i ndjekur nga Shqipëria bazohet në praktika të konsoliduara dhe të përdorura gjerësisht në vendet e Bashkimit Europian.

Ministrja Ibrahimaj nënvizoi se kjo është hera e dytë që qeveria jep sqarime të detajuara për Duranën, duke ofruar informacion të plotë mbi ligjshmërinë e modelit, përdoruesit e parkut, kufijtë e përfitimeve fiskale dhe mekanizmat e funksionimit të tij.

Sipas saj, akuzat se Durana përbën një “parajsë fiskale” nuk qëndrojnë dhe nuk mbështeten në fakte. Ajo theksoi se transparenca ndaj qytetarëve, sipërmarrësve, studentëve dhe investitorëve mbetet prioritet, ndërsa sqarimet mbi këtë projekt janë të rëndësishme për të gjithë ata që duan të kuptojnë potencialin e ekonomisë së dijes në Shqipëri.

“Durana nuk është një projekt i zakonshëm. Nuk është thjesht një godinë apo një regjim fiskal. Ajo përfaqëson vizionin tonë për ta bërë Shqipërinë një ekonomi konkurruese në rajon dhe në Bashkimin Europian, në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe inovacionit”, u shpreh ministrja.

 

Ibrahimaj theksoi se qeveria ka zgjedhur të investojë në teknologji, inovacion dhe kërkim shkencor si motorët kryesorë të ekonomisë së së ardhmes. Sipas saj, ligji për parqet teknologjike u hartua për të krijuar kushte konkurruese që tërheqin investime të huaja, zhvillojnë kapitalin njerëzor dhe krijojnë mundësi të reja për të rinjtë shqiptarë.

Duke iu përgjigjur pretendimeve se modeli i Duranës është i paprecedentë, ministrja solli shembuj konkretë nga vendet e Bashkimit Europian, si Belgjika, Franca, Holanda, Irlanda, Polonia, Portugalia dhe vende të tjera, të cilat aplikojnë skema fiskale dhe instrumente mbështetëse për kërkimin, zhvillimin dhe inovacionin.

Ajo theksoi se edhe vetë Bashkimi Europian ka zona ekonomike dhe teknologjike që përdorin të njëjtën logjikë të krijimit të kushteve konkurruese për tërheqjen e investimeve dhe zhvillimin e aktiviteteve me vlerë të lartë të shtuar.

Në lidhje me pretendimet se Durana krijon një regjim fiskal preferencial në kundërshtim me standardet ndërkombëtare, ministrja sqaroi se aksesi në park është i hapur për çdo subjekt që plotëson kriteret ligjore dhe se përfitimet lidhen me natyrën e aktivitetit dhe jo me identitetin e kompanive.

“Ligji nuk favorizon kompani të caktuara. Ai mbështet kërkimin shkencor, inovacionin, zhvillimin teknologjik dhe krijimin e produkteve e shërbimeve të reja. Përfitimet fiskale janë të lidhura me aktivitetin ekonomik real dhe jo me struktura artificiale”, deklaroi Ibrahimaj.

Ministrja hodhi poshtë gjithashtu pretendimet se ligji bie ndesh me standardet e OECD-së apo me direktivat europiane kundër shmangies tatimore, duke theksuar se modeli i Duranës është ndërtuar mbi parimet e transparencës, substancës ekonomike dhe aktivitetit real.

Sipas saj, edhe mundësia e pjesëmarrjes së enteve publike në kapitalin e shoqërive inovative nuk është një praktikë e pazakontë, pasi modele të ngjashme përdoren në shumë vende europiane për të mbështetur sipërmarrjen dhe zhvillimin e produkteve me interes publik.

Një pjesë e rëndësishme e interpelancës iu kushtua edhe investimeve në qendrat e të dhënave (data centers) dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Ministrja theksoi se Shqipëria ka përafruar legjislacionin e saj me rregulloren europiane GDPR dhe se investimet në infrastrukturën dixhitale përbëjnë një mundësi strategjike për zhvillimin ekonomik dhe teknologjik të vendit.

Duke prezantuar rezultatet konkrete të parkut, Ibrahimaj bëri të ditur se vetëm gjatë periudhës janar–qershor 2026, 42 entitete të reja kanë shprehur interes për t’u bërë pjesë e Duranës, nga të cilat 28 janë miratuar si përdorues të parkut dhe 11 të tjera ndodhen në procesin e finalizimit të kontratave.

Aktualisht, Durana numëron 82 rezidentë aktivë, ku rreth gjysma janë kompani dhe entitete ndërkombëtare. Rezidentët e rinj përfaqësojnë një qarkullim të kombinuar prej rreth 12 milionë eurosh në vit, ndërsa qarkullimi i përgjithshëm i rezidentëve aktivë pritet të arrijë në 42.6 milionë euro gjatë vitit 2026.

Ministrja theksoi gjithashtu ndikimin në punësim, duke bërë të ditur se deri në fund të vitit 2025 kompanitë rezidente kishin të punësuar 220 profesionistë, ndërsa sipas planeve të zhvillimit ky numër pritet të arrijë në 550 të punësuar në vitin 2027.

Në përfundim, Ibrahimaj u shpreh se debati për Duranën nuk duhet parë vetëm si debat për një park teknologjik, por si debat për modelin ekonomik që Shqipëria dëshiron të ndërtojë.

“Zhvillimi nuk vjen duke pritur. Zhvillimi nuk vjen duke folur; zhvillimi vjen duke investuar. Ne kemi zgjedhur të investojmë te dija, te inovacioni dhe te talenti shqiptar. Durana është një hap i rëndësishëm në këtë drejtim dhe një investim për të ardhmen e Shqipërisë”, përfundoi Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj.