Ministry of Economy and Innovation

Shqipëria vijon me ritëm të përshpejtuar procesin e përafrimit me legjislacionin dhe standardet e Bashkimit Evropian, duke avancuar reformat në fushat që lidhen me funksionimin e tregut të brendshëm dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë.

Më 25 qershor u zhvillua mbledhja e 17-të e Nënkomitetit Shqipëri-Bashkimi Evropian për Tregun e Brendshëm, Konkurrencën, Mbrojtjen e Konsumatorit dhe Shëndetin Publik.

Gjatë takimit, zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Enkelejd Musabelliu prezantoi progresin e arritur në zbatimin e reformave dhe në përafrimin e legjislacionit kombëtar me acquis të Bashkimit Evropian.

Në kuadër të periudhës së raportimit, Shqipëria ka shënuar përparim të rëndësishëm në një sërë fushash kyçe, duke përfshirë politikën e konkurrencës dhe ndihmën shtetërore, të drejtat e pronësisë intelektuale, prokurimin publik, të drejtën e vendosjes dhe lirinë për të ofruar shërbime, mbrojtjen e konsumatorit dhe shëndetin publik, të drejtën e shoqërive tregtare, si edhe shërbimet financiare.

Gjatë diskutimeve u theksua se reformat po mbështeten në analiza të thelluara ligjore, vlerësime të ndikimit, konsultime me grupet e interesit dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me Komisionin Evropian.

Kjo qasje synon të sigurojë që legjislacioni i ri të jetë plotësisht në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian dhe të garantojë një zbatim efektiv të tij.

Njëkohësisht, institucionet shqiptare po punojnë për forcimin e kapaciteteve administrative dhe mekanizmave të zbatimit, si dhe për rritjen e koordinimit ndërinstitucional, me qëllim përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga procesi i negociatave të anëtarësimit.

Shqipëria mbetet e angazhuar për përmbushjen e kritereve të përcaktuara për mbylljen e negociatave dhe për vijimin e bashkëpunimit të ngushtë me Komisionin Evropian, në funksion të avancimit të mëtejshëm të procesit të integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

 

FOTO ALBUM