Ministry of Economy and Innovation

Dyfishimi i bonusit mujor për pensionistët dhe nisja e indeksimit të pensioneve që në muajin prill 2027 janë dy nga masat kryesore të parashikuara në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm për përmirësimin e të ardhurave të pensionistëve.

Gjatë prezantimit në Komisionin për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, bëri të ditur se shtesat mujore të diferencuara për kategoritë e pensionistëve do të dyfishohen nga 1 janari 2027. Konkretisht, shtesa për pensionet urbane me vite të plota pune do të rritet nga 1 800 në 3 600 lekë, për pensionet urbane të pjesshme nga 800 në 1 600 lekë, për pensionet rurale nga 1 000 në 2 000 lekë, për pensionet familjare nga 700 në 1 400 lekë dhe për pensionet e invaliditetit të punës nga 600 në 1 200 lekë.

Për financimin e kësaj mase është parashikuar një fond prej 20 miliardë lekësh për vitin 2027, nga 10,4 miliardë lekë që ishte në vitin 2026. Krahas dyfishimit të bonusit mujor, për indeksimin e pensioneve janë parashikuar 4 miliardë lekë, ndërsa zbatimi do të nisë më 1 prill 2027, më herët se në vitet e fundit.

Në total, rreth 24 miliardë lekë shtesë janë parashikuar për vitin 2027 përmes bonusit mujor dhe indeksimit të pensioneve, me synimin për të përmirësuar të ardhurat dhe për të mbrojtur fuqinë blerëse të pensionistëve.

 

Më poshtë fjala e plotë:

I nderuar Kryetar, të nderuar deputetë,

Një nga prioritetet kryesore të Projektbuxhetit 2027 mbetet mbështetja e pensionistëve, përmirësimi i të ardhurave të tyre dhe garantimi i qëndrueshmërisë së sistemit të sigurimeve shoqërore.

Për programin “Sigurimet Shoqërore” të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit janë parashikuar 28,13 miliardë lekë, duke garantuar financimin e detyrimeve të shtetit ndaj skemës së sigurimeve shoqërore.

Ky program përfaqëson rreth 67% të buxhetit total të Ministrisë, çka tregon peshën që kanë politikat e mbrojtjes sociale në financimin tonë për vitin e ardhshëm.

Në nivel të gjithë sistemit, shpenzimet e sigurimeve shoqërore për vitin 2027, përfshirë fondet për indeksimin dhe bonusin e pensionistëve, parashikohen në rreth 239,6 miliardë lekë, ose rreth 23 miliardë lekë më shumë se niveli i pritshëm i vitit 2026, me një rritje prej 10,6%.

Kjo rritje lidhet me politikat për përmirësimin e të ardhurave të pensionistëve, shtimin e numrit të përfituesve dhe efektet financiare të ndryshimeve të zbatuara në sistem gjatë viteve të fundit.

Për ne, mbështetja e pensionistëve është një detyrim i rëndësishëm social dhe një politikë që ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e qindra mijëra familjeve shqiptare.

Gjatë vitit 2027, ne do të vijojmë me politikën e rritjes së të ardhurave të pensionistëve përmes dyfishimit të shtesave mujore të diferencuara, që zbatohen që nga viti 2026.

Konkretisht, masat që ishin parashikuar në buxhetin e vitit 2026, të cilat janë materializuar që nga data 1 janar e këtij viti nëpërmjet shpërndarjes së bonusit të pensionistëve për çdo muaj, do të dyfishohen, siç kishim premtuar edhe më parë, që në krye të herës, që prej miratimit të programit qeverisës të Qeverisë Shqiptare.

Konkretisht, për pensionet urbane me vite të plota pune, shtesa mujore rritet nga 1 800 në 3 600 lekë. Për pensionet urbane të pjesshme, shtesa mujore rritet nga 800 në 1 600 lekë. Për pensionet rurale, nga 1 000 shkon në 2 000 lekë. Për pensionet familjare, nga 700 shkon në 1 400 lekë. Për pensionet e invaliditetit të punës, nga 600 në shkon 1 200 lekë.

Kjo politikë synon përmirësimin e të ardhurave mujore të pensionistëve, duke marrë në konsideratë kategoritë e ndryshme të tyre dhe nivelin e përfitimeve.

Për financimin e këtyre shtesave, për vitin 2027 parashikohet një fond prej 20 miliardë lekësh, krahasuar me 10,4 miliardë lekë që ishte fondi në vitin 2026.

Një element i rëndësishëm i kësaj politike është edhe shpërndarja e mbështetjes përgjatë 12 muajve të vitit, e cila u mundëson pensionistëve të përfitojnë të ardhura shtesë në mënyrë të rregullt dhe të përballojnë më lehtë shpenzimet e përditshme.

Krahas kësaj politike, ne kemi një fond të parashikuar prej 4 miliardë lekësh, i cili do të përdoret për indeksimin e pensioneve, me synimin e ruajtjes së fuqisë blerëse të tyre në raport me rritjen e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve që përbëjnë shportën e pensionistit.

Për vitin 2027, kjo politikë afrohet me disa muaj, duke filluar zbatimin që më 1 prill të vitit 2027.

Që nga viti 2022, kur ne patëm një krizë të çmimeve të ndikuara nga lufta në Ukrainë, ku vendosëm të bëjmë indeksimin e pensioneve dy herë, me qëllim përballimin e rritjes së çmimeve, indeksimi i pensioneve ishte shtyrë në muajin tetor, ndërsa në vitin 2026 ne vendosëm ta fillojmë indeksimin në korrik dhe, për vitin 2027, e sjellim në prill, që është, në fakt, muaji në të cilin tradicionalisht është materializuar rritja apo indeksimi i pensioneve.

Në total, për vitin 2027 janë parashikuar rreth 24 miliardë lekë shtesë për indeksimin dhe mbështetjen e rritjes së të ardhurave të pensionistëve, pra për rritjen e të ardhurave përmes bonusit të pensioneve.

Kjo është një ndërhyrje e rëndësishme në buxhetin e shtetit, e cila synon të mbështesë fuqinë blerëse të pensionistëve dhe të krijojë më shumë siguri në të ardhurat e tyre mujore.

Një tjetër zhvillim që ndikon drejtpërdrejt në financimin e sistemit është rritja e numrit të përfituesve. Për vitin 2026 parashikohet një shtesë neto prej 28 400 pensionistësh, ndërsa për vitin 2027 pritet një shtesë tjetër prej 22 000 pensionistësh.

Në fund të vitit 2027, numri i pensionistëve të të gjitha kategorive pritet të arrijë në 805 000 persona, nga të cilët 693 600 janë përfitues të pensioneve të pleqërisë.

Nëse përfshihen pensionet publike, pensionet suplementare, kompensimet dhe trajtimet e veçanta të përcaktuara me ligj, sistemi i sigurimeve shoqërore parashikohet të mbështesë me të ardhura rreth 850 000 persona deri në fund të vitit 2027.

Rritja e numrit të pensioneve të reja lidhet me ndryshimet ligjore që kanë zgjeruar mundësitë e përfitimit të pensioneve.

Zbatimi i ligjit nr. 7/2025, për njohjen e periudhave të mëparshme të punësimit në sektorin shtetëror dhe bujqësor, ka krijuar mundësi për përfshirjen në skemë të qytetarëve që më parë nuk i plotësonin kushtet e nevojshme.

Njëkohësisht, zbatimi, nga 1 korriku 2025, i Marrëveshjes së Sigurimeve Shoqërore me Italinë ka lehtësuar bashkimin e periudhave të kontributeve për qytetarët që kanë punuar në të dyja vendet.

Këto ndryshime kanë një rëndësi të veçantë për qytetarët që kanë vite pune të realizuara në periudha apo vende të ndryshme dhe që, përmes njohjes së tyre, fitojnë mundësinë për të përfituar një pension.

Vetëm efekti financiar i shtimit të numrit të pensioneve gjatë viteve 2026-2027 vlerësohet në 5,3 miliardë lekë për vitin 2027.

Krahas këtij efekti, rritja e pensioneve me 2,7% nga 1 korriku 2026, pra indeksimi i bazës së vlerësuar, pritet të sjellë një efekt financiar prej rreth 2,7 miliardë lekësh në vitin 2027.

Këto janë detyrime që sistemi duhet t’i përballojë në mënyrë të qëndrueshme, duke garantuar vazhdimësinë e përfitimeve dhe respektimin e të drejtave të qytetarëve.

Sistemi i sigurimeve shoqërore përfshin edhe përfitime që mbështesin qytetarët dhe familjet në periudha të veçanta të jetës, si barrëlindja dhe përfitime të tjera afatshkurtra.

Rritja e pagave ndikon në masën e këtyre përfitimeve, pasi ato llogariten mbi bazën e të ardhurave të siguruara.

Në vitin 2027, shpenzimet për barrëlindjen parashikohen në rreth 7 miliardë lekë, ndërsa përfitimet afatshkurtra në tërësi pritet të rriten me 453 milionë lekë krahasuar me nivelin e vitit 2026.

Mbështetja për barrëlindjen është një element i rëndësishëm i sigurimeve shoqërore, pasi garanton të ardhura për prindërit gjatë periudhës së kujdesit ndaj fëmijëve dhe ndihmon në ruajtjen e sigurisë ekonomike të familjeve.

Në të njëjtën kohë, vijon financimi i sigurimeve suplementare dhe trajtimeve të veçanta për kategoritë përfituese të përcaktuara me ligj.

Për sigurimin suplementar, projektbuxheti parashikon 9,35 miliardë lekë, nga të cilat 4,17 miliardë lekë nga kontributet dhe 5,18 miliardë lekë nga transfertat e buxhetit të shtetit.

Shpenzimet për sigurimet suplementare rriten me rreth 477 milionë lekë krahasuar me vitin e mëparshëm.

Këto financime garantojnë vazhdimësinë e përfitimeve për kategoritë përkatëse dhe përmbushjen e detyrimeve që burojnë nga legjislacioni në fuqi.

Të nderuar deputetë,

Përmirësimi i të ardhurave të pensionistëve duhet të shoqërohet me masa që garantojnë qëndrueshmërinë financiare të sistemit në afatgjatë.

Për vitin 2027, të ardhurat e sigurimeve shoqërore, pa transfertat e buxhetit të shtetit, parashikohen në nivelin e 182,3 miliardë lekëve, ndërsa shpenzimet bazë janë rreth 215,6 miliardë lekë.

Diferenca prej 33,3 miliardë lekësh mbulohet nga buxheti i shtetit përmes financimeve të parashikuara nga institucionet përgjegjëse.

Në të njëjtën kohë, synojmë që të ardhurat nga kontributet të mbulojnë mesatarisht 84,5% të fondeve të alokuara për skemat e sigurimeve shoqërore.

Shkalla e mbulimit të popullsisë në moshë pune nga kontribuuesit parashikohet të arrijë në 61%.

Një tjetër tregues i rëndësishëm është raporti ndërmjet kontribuuesve dhe përfituesve të pensioneve të pleqërisë, i cili për vitin 2026 do të jetë 1,31 kontribuues për çdo pension pleqërie.

Këto të dhëna tregojnë se financimi i pensioneve lidhet ngushtë me zhvillimin e tregut të punës, nivelin e pagave dhe numrin e qytetarëve që kontribuojnë në skemë.

Ndërkohë që numri i pensionistëve rritet, është e domosdoshme të forcojmë bazën kontributive të sistemit, në mënyrë që të krijojmë mundësi për përmirësimin e vazhdueshëm të këtyre përfitimeve.

Rritja e punësimit formal, deklarimi i pagave reale dhe zgjerimi i bazës së kontribuuesve janë të rëndësishme për të përmirësuar të ardhurat e sistemit dhe për të përballuar detyrimet e ardhshme.

Pikërisht për këtë arsye, politikat e punësimit dhe zhvillimit ekonomik, të cilat janë të përfshira në buxhetin e vitit 2027 të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, janë drejtpërdrejt garantuese të qëndrueshmërisë së sigurimeve shoqërore.

Investimet në arsimin profesional, programet e nxitjes së punësimit, mbështetja e sipërmarrjes dhe rritja e produktivitetit synojnë të krijojnë më shumë vende pune dhe të ardhura më të larta.

Kjo është baza mbi të cilën ne mund të ndërtojmë një sistem pensionesh që garanton përfitimet e sotme dhe krijon siguri për brezat që do të vijnë dhe që do të dalin në pension në vitet e ardhshme.

Shumë faleminderit për vëmendjen, kjo ishte një paraqitje e shkurtër e projektbuxhetit që lidhet me skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore.