Ministry of Economy and Innovation

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi në Komisionin për Ekonominë, Punësimmin dhe Financat prioritetet dhe programet që do të financohen përmes buxhetit të Ministrisë për vitin 2027, i cili kap vlerën e 40,3 miliardë lekëve.

Gjatë prezantimit, ministrja u ndal te prioritetet e financimit, ku veçohen 8,9 miliardë lekë për arsimin profesional dhe tregun e punës, 600 milionë lekë për mbështetjen e startup-eve dhe 1,25 miliardë lekë për programet e strehimit.

Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe pensioneve, me 4 miliardë lekë për indeksimin, që parashikohet të nisë nga muaji prill, dhe 20 miliardë lekë për dyfishimin e bonusit mujor për pensionistët.

Ministrja theksoi se buxheti mbështet gjithashtu forcimin e kapaciteteve të inspektimit, mbrojtjen e konsumatorit dhe përgatitjen e ekonomisë shqiptare për integrimin në tregun e përbashkët europian.

Më poshtë, fjala e plotë e ministres Delina Ibrahimaj:

I nderuar Kryetar,

Të nderuar anëtarë të Komisionit,

Për mua është kënaqësi që të paraqes sot përpara jush projektbuxhetin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit për vitin 2027, i cili edhe këtë vit vjen me një sërë risish, reformash dhe planesh të materializuara në buxhet. Ato lidhen me zhvillimin ekonomik dhe detyrimet që kemi për zhvillimin ekonomik, inovacionin, punën, pensionet, strehimin dhe mbrojtjen e konsumatorit. Pra, janë një sërë elementësh të cilët janë pasqyruar në këtë projektbuxhet dhe që do të duhet të ndiqen në vijim nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit.

Ndërkohë, për vitin 2027 është e rëndësishme të themi se, siç edhe ju e përmendët në fjalën tuaj hapëse, ky është një vit i rëndësishëm për ne, pasi parashikojmë të mbyllim të gjitha negociatat për të gjithë kapitujt me të cilët jemi duke punuar.

Ndaj, ky projektbuxhet pasqyron edhe punën që kemi për të bërë, sepse çështja e negociatave nuk lidhet vetëm me miratimin e disa ligjeve apo projektligjeve, raporteve apo strategjive. Ajo lidhet shumë edhe me përgatitjen e institucioneve për t’i zbatuar këto ligje dhe me përgatitjen e vendit për t’i zbatuar ato. Për ne ka sfida të mëdha, si për përgatitjen e biznesit për tregun e përbashkët europian, ashtu edhe për përgatitjen e institucioneve për të monitoruar siç duhet të gjitha standardet e parashikuara në procesin e integrimit.

Në këtë kuadër, për vitin 2027 janë parashikuar 2,37 miliardë lekë investime kapitale, të orientuara kryesisht drejt infrastrukturës së arsimit dhe formimit profesional, strehimit, infrastrukturës së cilësisë dhe forcimit të kapaciteteve të inspektimit.

Në vijim, do të ndalem te prioritetet kryesore të projektbuxhetit, shpërndarja e fondeve sipas programeve dhe rezultatet që synojmë të arrijmë gjatë vitit 2027.

Arsimi profesional, aftësitë dhe tregu i punës

Një nga prioritetet kryesore të projektbuxhetit për vitin 2027 mbetet zhvillimi i arsimit profesional dhe përmirësimi i shërbimeve të punësimit.

Për këto politika kemi parashikuar një fond prej 8,9 miliardë lekësh, që përbën edhe një nga zërat më të rëndësishëm të buxhetit të Ministrisë, pas sigurimeve shoqërore.

Vëmendja jonë është përqendruar në dy drejtime: nga njëra anë, përmirësimi i infrastrukturës dhe cilësisë së arsimit profesional dhe, nga ana tjetër, përshtatja më e mirë e ofertës së formimit me kërkesat konkrete të tregut të punës.

Për vitin 2027, investimet në shkollat profesionale parashikohen në 1,22 miliardë lekë, nga të cilat 742 milionë lekë financim nga buxheti i shtetit dhe 480 milionë lekë në kuadër të bashkëpunimit me KfW-në gjermane.

Në këtë kuadër, vijojnë investimet në disa shkolla profesionale në të gjithë vendin. Konkretisht, janë parashikuar 158 milionë lekë për shkollën “Pavarësia” në Vlorë, mbi 114 milionë lekë për shkollën e re “Karl Gega” dhe repartet e saj në Tiranë, si edhe 87 milionë lekë për Shkollën Teknike të Korçës.

Investime janë planifikuar gjithashtu në Shkodër, Lushnjë, Kukës dhe Pogradec, ndërkohë që në programin e investimeve përfshihen edhe projekte të reja në Fier dhe Tiranë.

Përtej ndërhyrjeve në infrastrukturë, kemi parashikuar 68,8 milionë lekë për pajisjen e shkollave me laboratorë, makineri dhe pajisje mësimore. Ky është një komponent i rëndësishëm për përmirësimin e cilësisë së formimit praktik dhe zgjerimin e bashkëpunimit me sipërmarrjen, veçanërisht në kuadër të zhvillimit të arsimit dual.

Një tjetër drejtim i investimeve lidhet me infrastrukturën e shërbimeve të punësimit dhe formimit profesional, për të cilën në vitin 2027 janë parashikuar 168 milionë lekë, ndërsa për dy vitet pasuese financimi vjetor parashikohet të arrijë në afro 250 milionë lekë.

Ndër projektet kryesore përmendim Qendrën Multifunksionale “Hermann Gmeiner”, me një financim prej 80 milionë lekësh, si dhe kampusin e Qendrës së Formimit Profesional, me 45,8 milionë lekë. Paralelisht, vijojnë investimet për përmirësimin e infrastrukturës së zyrave të punësimit dhe pajisjen e kabineteve të formimit profesional.

Këto investime plotësojnë ndërhyrjet që realizojmë përmes programeve aktive të tregut të punës dhe Garancisë Rinore, me synimin për të rritur mundësitë e punësimit, veçanërisht për të rinjtë, dhe për të përmirësuar përputhjen ndërmjet aftësive që ofron sistemi i formimit dhe atyre që kërkon sipërmarrja.

Sipërmarrja dhe inovacioni

Një tjetër prioritet i projektbuxhetit për vitin 2027 është mbështetja e sipërmarrjes, inovacionit dhe rritja e konkurrueshmërisë së ekonomisë.

Për programin e zhvillimit ekonomik dhe inovacionit kemi parashikuar 1,64 miliardë lekë, me fokus mbështetjen e bizneseve ekzistuese, zhvillimin e sipërmarrjeve inovative dhe nxitjen e investimeve.

Sa i përket mbështetjes së startup-eve, për vitin 2027 ruajmë fondin prej 600 milionë lekësh, me një objektiv prej rreth 170 përfituesish.

Dua të theksoj se ky fond është dyfishuar gjatë vitit 2026, ndërkohë që interesi për skemën ka qenë i konsiderueshëm. Kemi pasur 1.219 aplikime, nga të cilat 163 startup-e janë financuar dhe 42 produkte kanë arritur të dalin në treg.

Këta tregues na japin një bazë për të vlerësuar ecurinë e skemës dhe për të vijuar mbështetjen e sipërmarrjeve inovative edhe gjatë vitit 2027.

Një zhvillim i ri në projektbuxhet është edhe zgjerimi i modelit TUMO jashtë Tiranës, për të cilin kemi parashikuar 160,7 milionë lekë.

Synimi është të zgjerojmë aksesin e të rinjve në edukimin teknologjik dhe aftësitë digjitale edhe në qytete të tjera, duke krijuar mundësi më të barabarta për përgatitjen e tyre në fusha që lidhen me ekonominë digjitale.

Në të njëjtën kohë, kemi parashikuar 20 milionë lekë për projekte inovacioni në bashkëpunim me partnerët europianë, nga të cilat 15 milionë lekë për Digital Innovation Unit dhe 5 milionë lekë për Net4Green. Këto projekte synojnë zhvillimin dhe zbatimin e zgjidhjeve digjitale dhe teknologjive të gjelbra, si në sektorin publik, ashtu edhe në sipërmarrje.

Krahas mbështetjes për startup-et, vijojmë edhe skemën për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, për të cilën në vitin 2027 është parashikuar një fond prej 100 milionë lekësh.

Mbështetja do të përqendrohet kryesisht në modernizimin e proceseve të prodhimit, përmirësimin e standardeve dhe certifikimin e produkteve, si edhe në përdorimin e teknologjive të reja.

Edhe për këtë skemë interesi ka qenë i lartë. Gjatë vitit 2026 janë regjistruar 280 aplikime dhe 62 ndërmarrje janë shpallur përfituese.

Një projekt tjetër që fillon në vitin 2027 është Laboratori Kërkimor dhe Kantina Eksperimentale, në bashkëpunim me Universitetin Bujqësor të Tiranës, me një financim të parashikuar prej 25 milionë lekësh. Ky projekt synon të krijojë një lidhje më të drejtpërdrejtë ndërmjet kërkimit universitar, inovacionit dhe nevojave të sektorit prodhues.

Sa i përket nxitjes së investimeve dhe eksporteve, për vitin 2027 janë parashikuar 124,9 milionë lekë.

Në kuadër të këtij programi, objektivat përfshijnë realizimin e 140 takimeve me kompani me kapital të huaj, identifikimin e të paktën 70 investitorëve potencialë, organizimin e 18 aktiviteteve promovuese dhe arritjen e 14 marrëveshjeve të bashkëpunimit.

Për të ilustruar rezultatet e aktiviteteve promovuese, mund të përmend pjesëmarrjen e prodhuesve shqiptarë në panairin ndërkombëtar BIOFACH, ku janë identifikuar 45 mundësi për kontrata paraprake me blerës europianë.

Për vitin 2027, rëndësi do t’i kushtojmë jo vetëm zgjerimit të aktiviteteve promovuese, por edhe ndjekjes së rezultateve të tyre konkrete, veçanërisht në drejtim të investimeve të reja, zgjerimit të eksporteve dhe aksesit të ndërmarrjeve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.

Integrimi në tregun e përbashkët europian

Një tjetër drejtim i rëndësishëm i punës sonë për vitin 2027 lidhet me përgatitjen e ekonomisë shqiptare për integrimin në tregun e përbashkët europian.

Përtej përafrimit të legjislacionit, ky proces kërkon edhe forcimin e kapaciteteve institucionale, përmirësimin e standardeve të produkteve dhe shërbimeve, si dhe lehtësimin e procedurave për sipërmarrjen.

Në këtë drejtim, një nga fushat ku kemi avancuar është infrastruktura e cilësisë. Aktualisht, Shqipëria ka adoptuar 94,8% të standardeve të harmonizuara CEN dhe 99,3% të standardeve CENELEC.

Për vitin 2027, synojmë adoptimin e 2.578 standardeve të tjera, si edhe ofrimin e të paktën 43 mijë shërbimeve metrologjike. Paralelisht, kemi parashikuar 10 milionë lekë për pajisjen e laboratorëve, me qëllim forcimin e kapaciteteve të tyre teknike.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është zgjerimi i njohjes ndërkombëtare të shërbimeve të akreditimit. Aktualisht, 123 organizma të akredituar përfitojnë nga mekanizmat përkatës të njohjes ndërkombëtare, në përputhje me fushat e tyre të akreditimit.

Gjatë vitit 2027, synojmë zgjerimin e kësaj njohjeje edhe në fushën e kalibrimeve dhe laboratorëve mjekësorë. Kjo ka rëndësi të drejtpërdrejtë për sipërmarrjen, pasi njohja e rezultateve të testimit dhe certifikimit mund të reduktojë nevojën për procedura të përsëritura dhe kostot që lidhen me hyrjen në tregjet e huaja.

Në funksion të lehtësimit të tregtisë, për vitin 2027 kemi parashikuar 100 milionë lekë për vijimin e Projektit të Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit në Ballkanin Perëndimor, që zbatohet në bashkëpunim me Bankën Botërore.

Ky projekt mbështet thjeshtimin e procedurave tregtare dhe përmirësimin e proceseve që lidhen me transportin ndërkufitar, me synimin për të reduktuar kohën dhe kostot e qarkullimit të mallrave.

Njëkohësisht, vijojmë modernizimin e shërbimeve për biznesin. Për Qendrën Kombëtare të Biznesit janë parashikuar 145,8 milionë lekë, ndërsa një ndër ndërhyrjet kryesore është modernizimi i Regjistrit Tregtar në bashkëpunim me InfoCamere.

Ky proces synon përmirësimin e shërbimeve elektronike dhe ndërveprueshmërinë e regjistrave shqiptarë me sistemet përkatëse europiane.

Paralelisht, përmes rrjetit Enterprise Europe Network, vijojmë mbështetjen për ndërmarrjet shqiptare në identifikimin e partnerëve tregtarë dhe teknologjikë, si dhe në zgjerimin e mundësive të bashkëpunimit në tregjet europiane.

Në aspektin institucional, projektbuxheti 2027 parashikon edhe 46 milionë lekë për Dhomën Ekonomike Kombëtare, si pjesë e organizimit të ri të përfaqësimit të interesave të sipërmarrjes dhe forcimit të bashkëpunimit institucional me biznesin.

Së fundi, në kuadër të reformës së koncesioneve dhe partneritetit publik-privat, parashikohet zgjerimi i strukturës përgjegjëse nga 12 në 30 punonjës, për të mbështetur zbatimin e kuadrit të ri ligjor dhe forcimin e kapaciteteve për vlerësimin dhe administrimin e këtyre projekteve.

Mbikëqyrja e tregut dhe sistemi i inspektimit

Një tjetër fushë ku kemi parashikuar ndërhyrje gjatë vitit 2027 është forcimi i mbikëqyrjes së tregut, mbrojtja e konsumatorit dhe përmirësimi i sistemit të inspektimit.

Për mbikëqyrjen e tregut, infrastrukturën e cilësisë dhe inspektimin e punës kemi parashikuar një fond prej 923 milionë lekësh.

Në fushën e mbikëqyrjes së tregut, synojmë forcimin e kapaciteteve inspektuese me rreth 40 inspektorë të rinj, duke i dhënë përparësi kontrollit të tregtisë elektronike, sigurisë së produkteve, respektimit të garancive dhe identifikimit të mallrave të falsifikuara.

Këto janë fusha ku zhvillimet e tregut, veçanërisht zgjerimi i tregtisë online, kërkojnë një mbikëqyrje më të specializuar dhe instrumente më efektive për mbrojtjen e konsumatorit.

Një pjesë e rëndësishme e ndërhyrjeve për vitin 2027 lidhet edhe me reformimin e sistemit të inspektimit të punës.

Për këtë qëllim janë parashikuar 296,6 milionë lekë, në kuadër të organizimit të Inspektoratit Qendror të Punës dhe forcimit të kapaciteteve të tij.

Për vitin 2027 synojmë realizimin e 10 mijë inspektimeve, duke zgjeruar përdorimin e metodologjisë së kontrollit të bazuar në risk.

Paralelisht, janë parashikuar edhe pesë fushata kombëtare ndërgjegjësuese, në funksion të informimit të punëdhënësve dhe punëmarrësve mbi të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga legjislacioni.

Një zhvillim i rëndësishëm në projektbuxhetin e vitit 2027 është edhe përfshirja për herë të parë e Inspektoratit të Përgjithshëm në buxhetin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit.

Në këtë kuadër, kemi parashikuar 200 milionë lekë për vitin 2027, si pjesë e një investimi me vlerë të përgjithshme prej 370 milionë lekësh, për pajisjen e trupave inspektuese me kamera digjitale.

Investimi do të shoqërohet edhe me pajisjen e inspektorëve me uniforma, në funksion të standardizimit të veprimtarisë inspektuese.

Për të kuptuar përmasën e këtij sistemi, gjatë vitit 2026 janë realizuar mbi 52 mijë inspektime nga 15 inspektorate.

Pajisja me kamera digjitale dhe forcimi i mekanizmave të dokumentimit synojnë të rrisin transparencën dhe gjurmueshmërinë e procesit të inspektimit, si për subjektet e kontrolluara, ashtu edhe për vetë administratën.

Në këtë mënyrë, synojmë një sistem inspektimi më të orientuar drejt riskut, me procedura më transparente dhe me përgjegjshmëri më të lartë institucionale, duke reduktuar njëkohësisht hapësirat për praktika abuzive gjatë ushtrimit të kontrolleve.

Një tjetër komponent i rëndësishëm është ngritja e institucionit të Mbrojtjes së Konsumatorit. Ky institucion është parashikuar të ngrihet brenda buxhetit të vitit 2027, në bazë të ligjit që sapo miratuam për mbrojtjen e konsumatorit.

Ky do të jetë një institucion shumë i rëndësishëm, i cili jo vetëm do t’u garantojë të drejtat konsumatorëve, por, në fazën kur do të miratojmë edhe paketën fiskale, e cila ka disa ndërhyrje të rëndësishme sa i përket monitorimit të çmimeve, ky institucion do të marrë përsipër administrimin e monitorimit të çmimeve, në mënyrë që të sigurohemi që konsumatori të përfitojë dhe që politikat fiskale që kemi dhe do të miratojmë të shkojnë në dobi të konsumatorëve dhe të mos përfundojnë në marzhet e fitimit të bizneseve.

Sigurimet shoqërore

Një pjesë e konsiderueshme e buxhetit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit për vitin 2027 lidhet me financimin e skemës së sigurimeve shoqërore.

Sipas parashikimeve për vitin 2027, të ardhurat e skemës vlerësohen në 182,3 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet në 215,6 miliardë lekë.

Diferenca prej 33,3 miliardë lekësh mbulohet nga buxheti i shtetit, ndërsa në buxhetin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit janë parashikuar 28,1 miliardë lekë për financimin e detyrimeve përkatëse të skemës.

Ky është zëri më i madh i buxhetit tonë dhe lidhet drejtpërdrejt me përmbushjen e angazhimeve në fushën e sigurimeve shoqërore, përfshirë financimin e pensioneve, indeksimin dhe masat e mbështetjes shtesë për pensionistët.

Përtej financimit vjetor, një çështje që kërkon vëmendje të vazhdueshme është qëndrueshmëria afatgjatë e skemës.

Në këtë drejtim, politikat e punësimit, formalizimi i tregut të punës dhe rritja e bazës kontribuuese kanë një rol të rëndësishëm. Zgjerimi i numrit të kontribuuesve dhe rritja e pagave mbi të cilat paguhen kontributet ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhurat e skemës dhe në nevojën për financim nga buxheti i shtetit.

Për këtë arsye, ndërhyrjet që përmenda më herët në arsimin profesional, programet e punësimit dhe forcimin e inspektimit të punës lidhen edhe me objektivin afatgjatë për përmirësimin e qëndrueshmërisë së sistemit të sigurimeve shoqërore.

Sa i përket formalizimit, gjatë vitit 2026, përmes veprimtarisë inspektuese janë formalizuar 3.095 punëmarrës, me një efekt të vlerësuar prej rreth 43 milionë lekësh në kontribute.

Për vitin 2027, me objektivin prej 10 mijë inspektimesh, synojmë të vijojmë forcimin e kontrolleve të bazuara në risk dhe identifikimin e marrëdhënieve të padeklaruara të punës.

Në këtë mënyrë, krahas përmbushjes së detyrimeve ndaj përfituesve aktualë të skemës, politikat tona synojnë të kontribuojnë edhe në zgjerimin e bazës së kontributeve dhe përmirësimin gradual të qëndrueshmërisë së saj.

Një tjetër element, pa diskutim i lidhur me pensionet, është fondi prej 4 miliardë lekësh i alokuar për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit, i cili synon indeksimin e pensioneve dhe afrimin e muajit të indeksimit në prill.

Që prej vitit 2022, kur na u desh të ndërhynim për indeksimin e pensioneve, ne e shtymë indeksimin nga prilli në tetor. Ditën e kaluar arritëm ta tërhiqnim në korrik dhe, me buxhetin e këtij viti, do të bëjmë ndërhyrjen për indeksimin që në muajin prill.

Gjithashtu, janë parashikuar, siç kishim premtuar në programin e qeverisjes, dyfishimi i bonusit mujor për pensionistët, për secilën prej kategorive përfituese. Buxheti në dispozicion për dyfishimin e bonuseve është në nivelin 20 miliardë lekë.

Strehimi

Në fushën e strehimit, projektbuxheti i vitit 2027 parashikon një financim prej 1,25 miliardë lekësh, nga të cilat 745 milionë lekë për mbështetjen e drejtpërdrejtë të familjeve dhe 500 milionë lekë për investime.

Në vitin 2027 vijojmë financimin e programeve ekzistuese të strehimit, por njëkohësisht kemi parashikuar edhe ndërhyrje të reja që synojnë zgjerimin e mundësive për strehimin social dhe të përballueshëm.

Konkretisht, 448 milionë lekë janë parashikuar për subvencionimin e interesave të kredive të lehtësuara. Përmes këtij financimi do të vijojë mbështetja për 7.000 familje përfituese, ndërsa synojmë të përfshijmë edhe rreth 1.000 familje të reja gjatë vitit 2027. Kjo për sa i përket fondeve të buxhetit të shtetit.

Ndërkohë, ne kemi sjellë në Parlament një projektligj për ndryshime në ligjin e strehimit, të cilin urojmë që të fillojmë ta diskutojmë sa më parë.

Nëpërmjet këtij projektligji kemi paraqitur një skemë të re financimi për strehimin social të përballueshëm. Siç kemi bërë publike edhe në disa dalje, synojmë që nëpërmjet këtij ligji të hapim rrugën për mbështetjen me strehim edhe të kategorive që përfshihen në strehimin e përballueshëm. Këto kategori lidhen me studentët, profesionistët, çiftet e reja dhe familjet e reja.

Për këtë kemi parashikuar dy programe, specifikisht një program për 4.000 financime shtesë, përveç atyre të parashikuara në buxhetin e shtetit për kreditë e subvencionuara. 2.000 prej tyre do të jenë me normë zero interesi për kredimarrësit, për apartamentet me vlerë deri në 60.000 euro, ndërkohë që një instrument tjetër janë kreditë e lehtësuara me 3%, siç është skema aktuale, të cilat do të jenë për sipërfaqe më të mëdha.

Një tjetër program, i cili synon të hapet me miratimin e projektligjit të ri për strehimin, është edhe subvencionimi i qirasë deri në 50% të vlerës së saj, për qiratë që janë në një nivel të përcaktuar, pra jo për qira të larta, por për qira deri në 40.000 lekë.

Ndërkohë, nëpërmjet projektligjit i hapim rrugë gjithashtu investimeve që synojnë ndërtimin e zonave për strehim, ku 30% do të shkojë për strehim social, 40% për strehim të përballueshëm dhe 30% do të shitet ose do të administrohet në treg të hapur, me qëllim që t’i përdorim sa më mirë burimet që kemi në dispozicion, por edhe të marrim parasysh efektet sociale që zhvillimet në fushën e strehimit kanë aktualisht.

Një tjetër instrument i mbështetjes është subvencionimi i qirasë, i cili aktualisht është parashikuar në buxhet me 262 milionë lekë, me një objektiv prej 2.000 familjesh përfituese.

Ndërkohë, 35 milionë lekë do të përdoren për mbështetjen e familjeve të prekura nga projekti i Unazës së Madhe, si dhe të familjeve në situata të veçanta vulnerabiliteti, përmes granteve të menjëhershme.

Sa u përket investimeve, janë parashikuar 350 milionë lekë për përmirësimin e kushteve të banimit. Në këtë kuadër do të vijojnë ndërhyrjet për 663 familje në 26 bashki, ndërsa janë parashikuar edhe mbi 100 milionë lekë për ndërhyrje të reja.

Këto investime shtrihen në një numër bashkish, përfshirë Matin, Librazhdin, Gramshin, Devollin, Dibrën dhe Tropojën, ku nevojat për përmirësimin e kushteve të banimit mbeten të konsiderueshme.

Në vitin 2027, siç paraqita, kemi edhe politikën e re të strehimit, për të cilën realisht urojmë që të diskutohet sa më parë në Komision.

Përmbyllje

Në përmbyllje, dua të theksoj se projektbuxheti i vitit 2027 synon të mbështesë prioritetet që kemi përcaktuar në fushën e zhvillimit ekonomik, punësimit, mbështetjes së sipërmarrjes dhe mbrojtjes sociale.

Përmes fondeve të parashikuara vijojmë investimet në arsimin profesional dhe në zhvillimin e fuqisë punëtore, mbështesim sipërmarrjen dhe inovacionin, si dhe forcojmë kapacitetet institucionale në funksion të integrimit në tregun europian.

Njëkohësisht, një pjesë e konsiderueshme e buxhetit mbetet e orientuar drejt përmbushjes së angazhimeve në fushën e sigurimeve shoqërore dhe zbatimit të programeve të strehimit.

Për ne ka rëndësi që këto financime të përkthehen në rezultate konkrete, në rritjen e cilësisë së shërbimeve që ofrohen dhe në efektivitetin e politikave që zbatojmë.

Fusha e përgjegjësisë së Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit është mjaft e gjerë dhe angazhimet që kemi në kuadër të integrimit europian bëjnë që viti 2027 të jetë një vit sfidues për zbatimin e këtij buxheti dhe të të gjitha planeve që kemi marrë përsipër në procesin e integrimit.

Faleminderit!

 

FOTO ALBUM