Ministry of Economy and Innovation

Në kuadër të Samitit të Liderëve për Planin e Rritjes, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mirëpriti në Tiranë ministrat e ekonomisë të Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e Komisionit Europian, në takimin ministror kushtuar iniciativës “Single Market Highway”.

Takimi u fokusua në forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomive të rajonit, transformimin industrial, tërheqjen e investimeve strategjike dhe integrimin e bizneseve në zinxhirët europianë të vlerës.

Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë e kalimit në një fazë të re, ku reformat të përkthehen në zhvillim industrial, rritje të konkurrueshmërisë dhe konvergjencë ekonomike me Bashkimin Europian.

Ministrja propozoi ndërmarrjen e një projekti të përbashkët rajonal, në bashkëpunim me Komisionin Europian, për shfrytëzimin dhe përpunimin e lëndëve të para kritike, duke synuar rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe integrimin në zinxhirët europianë të vlerës.

“Ne duam që të bëjmë një projekt në të cilin ne të mos jemi më vetëm një vend që nxjerr lëndët e para dhe i eksporton ato, por t’i përpunojë, t’u shtojë vlerën dhe, pa diskutim, të integrohet me rrjetet e zinxhirit të vlerës europiane”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja nënvizoi se për Shqipërinë, zbatimi i iniciativës “Single Market Highway” mbështetet në katër prioritete kryesore, si forcimin e infrastrukturës së cilësisë; zhvillimin e partneriteteve industriale në sektorët strategjikë; reduktimin e barrierave administrative dhe lehtësimin e aksesit në tregjet europiane; përfshirjen aktive të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në instrumentet dhe rrjetet europiane të mbështetjes së sipërmarrjes.

Duke u ndalur në procesin e integrimit europian, Ibrahimaj ritheksoi objektivin e Shqipërisë për përmbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027, duke e cilësuar këtë vit si një vit zbatimi dhe rezultatesh të matshme.

Në këtë drejtim, prioritet do të mbetet harmonizimi i legjislacionit me atë europian, zhvillimi i infrastrukturës së cilësisë, avancimi i reformës së derregullimit dhe reduktimi i kostove administrative për sipërmarrjen.

Gjithashtu, ministrja bëri të ditur se po punohet për një program, me mbështetjen e Komisionit Europian dhe partnerëve ndërkombëtarë, për informimin e bizneseve mbi standardet europiane dhe identifikimin e nevojave të tyre për investime dhe financim, me qëllim përmbushjen e këtyre standardeve.

Takimi ministror rikonfirmoi rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe partneritetit me Bashkimin Europian për përshpejtimin e integrimit ekonomik, forcimin e kapaciteteve industriale dhe krijimin e mundësive konkrete për sipërmarrjen në Ballkanin Perëndimor.

Fjala e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj

Edhe njëherë, e nderuar Drejtoreshë e Përgjithshme Jorna, të dashur ministra, të dashur kolegë, mirë se erdhët në Tiranë.

Ne nisëm sot në mëngjes Forumin e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor, duke sjellë së bashku përfaqësues të qeverive, investitorëve dhe institucioneve financiare, për të diskutuar për potencialin e rajonit, si dhe për ta diskutuar rajonin si destinacion konkurrues për investimet europiane.

Ky takim ministror është në vijimësi të natyrshme të diskutimit që ne po bënim sipër. Nëse në forum adresuam, me fjalët hapëse dhe tani me të gjitha panelet që janë duke ndodhur për sektorë të ndryshëm, mundësitë për investime dhe partneritete ekonomike këtu, do të diskutojmë politikat, reformat, instrumentet që krijojnë kushtet për realizimin e tyre.

Një vit më parë, Tirana priti për herë të parë Forumin e Investimeve BE–Ballkani Perëndimor dhe gjithashtu mirëpriti liderët e rajonit për të diskutuar rezultatet e para të Planit të Rritjes.

Sot ne kemi mundësinë që të gjithë së bashku të avancojmë drejt një faze kur reformat përkthehen në konkurrueshmëri, zhvillim industrial dhe konvergjencë ekonomike me Bashkimin Europian.

Unë dëshiroj të falënderoj Komisionin Europian dhe veçanërisht DG GROW për partneritetin dhe angazhimin në zhvillimin e iniciativës Single Market Highway.

Në fakt, ne dje patëm një workshop shumë interesant, i cili u përqendrua te potenciali që ka Shqipëria. Po unë do ta zgjeroja edhe më gjerë dhe, në fakt, edhe gjatë workshop-it dje, por edhe gjatë fjalës sime sot, ajo që diskutova ishte mundësia që ne të kemi një projekt të madh të përbashkët për përdorimin e mineraleve, të materialeve kritike, të cilat janë më së shumti të kërkuara nga vendet e Bashkimit Europian, në mënyrë që potenciali që ne kemi në këtë drejtim të shfrytëzohet sa më mirë, duke e nisur sigurisht nga një studim i thelluar mbi ku janë resurset, ku janë duke shkuar ato, cili është niveli i përpunimit, cili është niveli i investimit dhe, mbi të gjitha, ku qëndron kërkesa e Bashkimit Europian për ato materiale.

Janë tema që ne diskutuam gjatë ditës së djeshme në workshop. Janë tema për të cilat Shqipëria, nëpërmjet të gjitha atyre reformave dhe iniciativave që ka ndërmarrë në bashkëpunim me Bashkimin Europian për zbatimin e Planit të Rritjes dhe Planit të Reformave, ka punuar.

Ne kemi punuar për të bërë një analizë në vend. Kemi punuar për të bërë edhe një plan pune se si mund ta shfrytëzojmë më shumë atë potencial.

Po besoj fort që, duke qenë ne vende të vogla, duhet të punojmë bashkërisht për të bërë një studim të përbashkët bashkë me Komisionin Europian, me qëllim që të krijojmë një projekt të përbashkët, ku edhe financimi, besoj, mund të mbështetet nga të gjithë instrumentet që janë vënë në dispozicion tani për vendet e Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Growth Facility. Dhe uroj shumë që ta shoh këtë gjë të marrë jetë, sepse, të paktën flas për Shqipërinë, Ekonomia jonë është kryesisht e bazuar në shërbime, ndërkohë që besoj se duhet të përqendrohemi drejt forcimit të kapacitetit industrial, forcimit të kapaciteteve prodhuese, forcimit të kapaciteteve të burimeve njerëzore teknike, me qëllim zhvillimin e këtij potenciali. Dhe besoj që bashkë mund të realizojmë një masë kritike të prodhimit, e cila mund t’i shërbejë më mirë edhe nevojave të Bashkimit Europian.

Për Shqipërinë, integrimi ekonomik po ecën paralelisht, në fakt, me negociatat e anëtarësimit. Kemi hapur të gjithë grupkapitujt negociues dhe gjatë këtij viti kemi mbyllur katër kapituj, përfshirë këtu Kapitullin 20 për Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale.

Objektivi ynë mbetet përfundimi i negociatave deri në fund të vitit 2027, pra përmbyllja e të gjithë kapitujve deri në fund të vitit 2027.

Vlerësimi më i fundit i OECD-së e rendit Shqipërinë ndër vendet me performancën më të mirë në rajon për klimën e biznesit dhe prokurimin publik.

Ne kemi dixhitalizuar plotësisht shërbimet e regjistrit të biznesit. Përmes PAS kemi avancuar me integrimin e infrastrukturës financiare europiane. Këtë javë, Banka e Shqipërisë ka lançuar pagesat e shpejta TIPS Clone, programin TIPS Clone, i cili është financuar nga Banka Botërore dhe në bashkëpunim me Bankën Qendrore Italiane, e cila do të lehtësojë akoma më shumë infrastrukturën e pagesave dixhitale. Tashmë jo vetëm ndërkufitare, por edhe brenda vendit.

Megjithatë, thashë, në të gjithë këtë kontekst të ecurisë pozitive, qoftë të ekonomisë, qoftë të reformave që ne jemi duke ndërmarrë, eksportet industriale mbeten të përqendruara në sektorë me vlerë shumë të ulët dhe kjo është edhe arsyeja pse unë e ngre si shqetësim këtë investimin në materialet kritike, në energji.

Ne duam që të bëjmë një projekt në të cilin ne të mos jemi më vetëm një vend që nxjerr lëndët e para dhe i eksporton ato, por t’i përpunojë, t’u shtojë vlerën dhe, pa diskutim, të integrohet me rrjetet e zinxhirit të vlerës europiane dhe, pse jo, edhe në përfundim të përdorimit të tyre, t’i riciklojë.

Janë tema që i diskutuam gjatë workshop-it të djeshëm. Siç thashë, në këtë kontekst besoj që Single Market Highway është instrument konkret për integrimin ekonomik përpara anëtarësimit.

Për Shqipërinë, zbatimi i kësaj iniciative mbështetet në katër prioritete: forcimi i infrastrukturës së cilësisë; zhvillimi i partneriteteve industriale në sektorë strategjikë si industria, energjia e rinovueshme, lëndët e para, por edhe agropërpunimi dhe prodhimi i avancuar i teknologjive dixhitale; reduktimi i barrierave për bizneset përmes thjeshtimit të procedurave, dixhitalizimit, lehtësimit të aksesit në treg. Është një punë të cilën ne gjithashtu kemi filluar ta bëjmë edhe në kontekstin e Reformë-Agjendës; dhe përfshirja aktive e bizneseve të vogla dhe të mesme, duke shfrytëzuar instrumentet dhe rrjetet europiane të mbështetjes së sipërmarrjes.

Në vitin 2027 do të jetë një vit zbatimi dhe rezultatesh të matshme, pasi ne kemi hartuar gjatë këtij viti shumë plane pune, shumë strategji në këtë drejtim. Ndaj synojmë që që nga viti 2027 ne të kemi disa tregues performance në zbatimin e të gjitha këtyre programeve.

Synojmë të përfundojmë harmonizimin e legjislacionit prioritar të tregut të brendshëm, të miratojmë Programin Kombëtar për Zhvillimin e Infrastrukturës së Cilësisë dhe të krijojmë platformë bashkëpunimi publik-privat në adresimin e barrierave.

Do të avancojmë me reformën e derregullimit, me uljen e të gjitha barrierave administrative për bizneset tona, por edhe uljen e barrës së raportimit që bizneset tona kanë në institucione të ndryshme.

Është e rëndësishme që ne të kemi sa më pak kosto për biznesin dhe biznesi tashmë është i qartë që dokumentacioni i kërkuar për marrjen e lejeve, licencave, autorizimeve, koha e pritur për marrjen e këtyre autorizimeve është para dhe ne kemi detyrë t’ia lehtësojmë jetën biznesit në këtë drejtim.

Jemi duke punuar për një program i cili besoj që do të jetë shumë i rëndësishëm për biznesin. Në fakt, ne nuk e dimë sot se çfarë nevoje konkrete për financim ka biznesi, me qëllim arritjen e standardeve europiane. Është e vërtetë që iniciativa si Single Market Highway janë të rëndësishme për integrimin e bizneseve tona në tregun e përbashkët europian, por nga ana tjetër, nëpërmjet të gjitha rregulloreve që ne po miratojmë, po i vendosim bizneseve një barrë e cila nuk është e vogël.

Ndaj kemi filluar një program në bashkëpunim me disa donatorë. Komisioni Europian gjithashtu do të na mbështesë për zbatimin e këtij programi edhe financiarisht.

Në radhë të parë, për të informuar biznesin mbi të gjitha standardet që ato do të duhet të përmbushin horizontalisht dhe vertikalisht. Kur them horizontalisht, standardet që bizneset duhet të përmbushin në të gjitha bizneset, si për shembull standardet e sigurisë në punë apo të tjera, po jap si shembull, por edhe standardet që do të duhet të përmbushë çdo biznes vertikalisht, pra në atë mikro-sektorin ku operon.

Përveç informimit të tyre, për ne është i rëndësishëm informimi ynë, për të kuptuar se çfarë ato duhet të investojnë, sa ato duhet të investojnë dhe sa kohë do t’u duhet bizneseve për të arritur këto standarde.

Është një punë e cila vërtet kërkon shumë angazhim nga shumë institucione, por nga ana tjetër besoj që është një punë shumë e rëndësishme, me qëllim që ne atë sfidën e madhe që kemi për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian ta kthejmë në një oportunitet dhe të mos jetë një peshë për biznesin tonë, e cila do të ndikojë në konkurrueshmërinë e vendit.

Ndjesë që u zgjata. Ka shumë gjëra për të thënë në këtë drejtim. Ka shumë punë që ne duhet të bëjmë bashkërisht. Ndaj mirëpres të gjitha sugjerimet e kolegëve të DG GROW dhe kam kënaqësinë t’ia jap fjalën Kerstin Jorna, Drejtoreshë e Përgjithshme e DG GROW, për të ndarë perspektivën e Komisionit Europian mbi konkurrueshmërinë, zhvillimin industrial dhe integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor.

FOTO ALBUM