Ministry of Economy and Innovation

Përshëndetje të gjithëve! Shumë faleminderit që keni ardhur sot këtu.

Prej më shumë se një muaji, në fakt, jemi duke bashkëpunuar ngushtësisht për një nismë e cila nisi si nevojë, bazuar në dinamikat e viteve të fundit, në çmimet të cilat kanë pasur një rritje të vazhdueshme.

Ne, pas një analize të bërë brenda nesh, kemi parë se çfarë kanë bërë vende të tjera në kushtet tona, me qëllim që të kenë një ndikim pozitiv në rritjen e konkurrencës dhe në reduktimin e çmimeve.

Kushtet tona kanë bërë me qëllim që të kenë një influencë pozitive për rritjen e konkurrencës dhe për reduktimin e çmimeve. Nisi nga kjo ide, nisi nga një takim që ne bëmë me linjat kryesore të supermarketeve, me ato linja të cilat, në fakt, kanë degë në të gjithë Shqipërinë, dhe më pas u zhvillua.

Sot ne prezantojmë platformën online “Pasqyra e Çmimeve”, e cila do të ndihmojë çdo konsumator që të mund të shohë se ku janë çmimet më të lira dhe ku të shkojë e të drejtohet për të marrë ato produkte që ai merr zakonisht me çmime më të lira.

Janë 238 artikuj të cilët janë të listuar në platformën që ne sot lançojmë online, për 13 kategori të ndryshme produktesh, ndërkohë që këto çmime janë të verifikueshme në 155 pika shitjeje në të gjithë territorin e vendit.

Supermarketet pjesëmarrëse në nismë janë Spar, Conad, Big Market, Xhangolli dhe Extra Market. Pra, janë pesë rrjete supermarketesh të cilat kanë vendosur që të bëjnë transparente çmimet e tyre dhe të bëjnë publikimin e këtyre çmimeve në platformën “Pasqyra e Çmimeve”.

Ne mendojmë që kjo është një nismë që do t’i shërbejë çdo qytetari, i cili nga telefoni, nga kompjuteri, mund të shohë dhe të verifikojë se cilat janë çmimet më të lira dhe të përzgjedhë se ku do ta bëjë pazarin e vet.

13 kategoritë e produkteve janë përzgjedhur në bazë të atyre produkteve që janë më së shumti të përdorshme në shportën e konsumit të çdo familjeje shqiptare dhe kemi aty brenda sheqer, vaj, miell, drithëra, makarona, fasule, thjerrëza, kos, vezë, gjalpë, pulë. Pra, janë të gjitha produktet të cilat në mënyrë të përditshme konsumatorët shqiptarë i përdorin. Gjithashtu, kemi dhe një kategori të detergjentëve apo atyre produkteve të higjienës, të cilat janë në shportën e përditshme të shqiptarëve.

Nga ana tjetër, sot nuk lançojmë vetëm këtë nismë, lançojmë një nismë tjetër, e cila gjithashtu ka lindur në bazë të bisedave që ne kemi bërë me tregtarët, por jo vetëm me tregtarët, punëtorët e konsumatorëve, por edhe me ata tregtarë që janë importues, prodhues apo pjesë e zinxhirit të vlerës.

Ne nga sot lançojmë nismën “Kurse”, e cila paraqet një numër produktesh që do të jenë me çmim të fiksuar deri më 12 janar të vitit 2027. Janë gjithsej 212 produkte të cilat do të kenë çmimin e fiksuar, pra për të cilat çmimet nuk do të ndryshojnë.

Gjithmonë në të gjitha kategoritë e produkteve, në pesë rrjetet e supermarketeve, dhe janë angazhuar pesë supermarkete dhe 22 furnitorë që këto produkte t’i shesin me marzhe fitimi minimale.

Do ta shihni vetë në paraqitjen e platformës se si janë çmimet, se si ato ndryshojnë, ku mesatarisht të gjitha çmimet bien nga çmimet që kanë sot deri më 12 janar me 20-22%, ndërkohë që ka produkte që bien edhe me 40% apo produkte që bien me 10%.

Unë dua t’i falënderoj të gjithë pjesëmarrësit sot këtu për këtë nismë, për bashkëpunimin. Në një kohë, le të themi, shumë të shkurtër, gati një muaj, kemi punuar bashkërisht jo vetëm për të përcaktuar produktet, për të përcaktuar ato produkte të cilat do të shiten me marzhe të ulëta, pra për të cilat konsumatorët do të mund të kursejnë për një periudhë tremujore, por edhe për plotësimin e gjithë platformës.

Do të doja që kjo platformë, që tashmë është online, të mund të përdoret nga çdo telefon celular i çdo qytetari. Do të punojmë që në 10 ditët e ardhshme të ndërtojmë një aplikacion i cili mund të shkarkohet, në të cilin qytetari pastaj do të ruajë të dhënat e veta, do të ruajë produktet e shportës që ai do të shohë gjatë gjithë kohës, do të ruajë vendndodhjen e vet dhe do të jetë akoma më afër të gjitha atyre kërkesave që kanë qytetarët.

Nga ana tjetër, është shumë e rëndësishme që kjo nismë bëhet me qëllim të transparencës, me qëllim që gjithkush të zgjedhë aty ku çmimet janë më të lira, por nga ana e tregtarëve ka dhe një detyrim, një detyrim ligjor, në të cilin çmimet që janë të raportuara në platformën e çmimeve, “Pasqyrën e Çmimeve”, duhet të jenë çmime reale.

Kjo është dhe arsyeja pse ne kemi ndërlidhur sistemet tona me sistemet e tregtarëve, në mënyrë që, me përgjegjësi, çdo tregtar të përditësojë çmimet dhe të mos ndryshojë çmimet nëse ato nuk janë të përditësuara në këtë pasqyrë.

Sigurisht që, nëse do të ketë problematika në bazë të atij formati që prezantoi më parë Enkelana, ne do të kujdesemi që t’i raportojmë problematikat dhe, sigurisht, që në bazë të ligjit “Për mbrojtjen e konsumatorit”, kjo është një shkelje e cila dënohet dhe me gjobë.

Pra, duam që t’i bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve që të jenë të kujdesshëm në mënyrën e raportimit të çmimeve, pasi për ne transparenca për qytetarët është thelbësore, është kryesore dhe është e rëndësishme që besimi që kemi te njëri-tjetri të përcillet në bazë të sa korrektë do të jemi në prezantimin e çmimeve.