Ministry of Economy and Innovation
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj,  në takimin ku të pranishëm ishin Kryeministri Edi Rama, ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja dhe kryetarët e bashkive në vend, theksoi se bashkitë duhet ta shohin veten me “sy sipërmarrësi” duke rritur bashkëpunimin me institucionet e tjera dhe me biznesin.
Në fjalën e saj, Ibrahimaj tha se taksat dhe tarifat janë një element. Paketa e Maleve është një mundësi e jashtëzakonshme për të nxitur zhvillimin e investimeve në bashkitë që mbuloni. Një tjetër formë se si mund të krijohen të ardhurat janë sha.a-të. Kemi folur për sh.a-të e përbashkëta mes bashkive dhe sektorit privat. Kemi folur për mundësinë që disa prej jush të krijonit ndërmarrje për të menaxhuar tregjet apo pika grumbullimi”, tha ajo. Ministrja Ibrahimaj shtoi se 10 bashki janë financuar nga AZHBR për të ngritur tregjet, që edhe kjo është një formë që gjeneron të ardhura duke i dhënë akses të gjithë prodhimit bujqësor apo blegtoral që ndodhet në sipërfaqet që bashkitë mbulojnë.
Sipas Ministres Ibrahimaj, një tjetër formë është një bashkëpunim trepalësh,Bashki-QTTB-biznes si mundesi për të rritur potencialin bujqësor.
Një aspekt thelbësor që Ministrja Ibrahimaj theksoi në fjalën e saj ishte dhe përfshirja e Bankës Shqiptare të Zhvillimit në plotësimin e  nevojave për financime.
” Ne po operacionalizojmë Bankën Kombëtare të Zhvillimit, e cila qëllimin kryesor ka pasur financimin e zhvillimit në pushtetin lokal, ku financimi është më i ulët. Duke pasur një plan të qartë në pesë bashki pilot, do të bëjmë që brenda këtij viti të financojmë këto projekte pilote”, tha Ibrahimaj.
Ibrahimaj theksoi se ka një instrument financues që është në dipozicion të biznesit, por edhe shoqërvie ku pjesëmarrës është edhe shteti, dhe kjo është Banka e Shqipërisë që sipas ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, ka vendosur në dispozicion një fond prej 250 milionë eurosh me qëllim financimin e biznesit me kosto të ulët.
“Qeveria ka venë në dispozicion një garanci sovrane e cila mbulon pjesën më të madhe të riskut që të mos vendoset një kolateral i madh. Duhet të përqendrohemi të gjenerimi i të ardhurave pasi jo çdo gjë varet nga Buxheti i Shtetit. E rëndësishme është që të gjejmë instrumenta se si këtë rritje ekonomike ta mbajmë me po të njëjtat ritme”, pohoi Ibrahimaj.

-Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Ministres Ibrahimaj, në takimin me Kryebashkiakët:

Faleminderit, Kryeministër.
Mirëdita të gjithëve.
Është kënaqësi të jem sot këtu me ju dhe të mund të flasim bashkarisht, hapur, për planet dhe projektet që kemi, në fakt, disa kohë që i bisedojmë me njëri-tjetrin, për se si mund konkretisht të ecim përpara në drejtim, në radhë të parë, të krijimit të bashkive sipërmarrëse.
Unë e kam folur me disa prej jush dhe gjatë karrierës time kam pasur mundësi që të flas me ju dhe shqetësimet që juve keni, me qëllim mbështetjen e ekonomisë lokale, me qëllim mbështetjen e bizneseve dhe ndihmës që i duhet dhënë bizneseve, pasi, në fund të fundit, burimi kryesor i të ardhurave që juve sot keni janë taksat dhe tarifat dhe, nëse biznesi nuk rritet, nëse ambienti i bashkive që juve keni nuk rriten, taksat dhe tarifat nuk do të rriten njësoj.
Do isha shumë kurioze, për shembull, të dija nga shifrat që dëgjova nga Blendi, nëse të ardhurat nga turizmi në bashkitë tuaja janë rritur me 6.6%, njësoj siç është rritur numri i turistëve me 6.6%. Jam e bindur që në disa bashki po, ku vëmendja është e madhe ndaj mbledhjes së atyre taksave, ku vëmendja ka qenë e madhe ndaj krijimit të një ambienti që agriturizmet apo strukturat hoteliere të rriten, por jo në të gjitha. Pra, taksat dhe tarifat janë një element dhe paketa e maleve që do diskutohet në detaj është një mundësi e jashtëzakonshme që të gjithë ju keni për të nxitur zhvillimin e investimeve në bashkitë që mbuloni.
Nga ana tjetër, një tjetër formë se si mund të krijohen të ardhurat janë SHA-të. Neve kemi folur shpesh në takime të tjera, në takimet që patëm me një pjesë prej jush në Berat apo në takime të tjera që kemi pasur, për mënyrat se si do të krijohen këto të ardhura. Kemi folur për SHA-të e përbashkëta të bashkive dhe të sektorit privat. Kemi folur për mundësinë që disa prej jush të krijonit ndërmarrje për të menaxhuar tregjet apo për të menaxhuar, për të krijuar, pika grumbullimi. 10 prej jush janë financuar nga AZHBR për të ngritur tregjet, që është një formë se si ju jo vetëm gjeneroni të ardhura për bashkinë, por edhe se si ju i jepni një akses me standarde të gjithë prodhimit bujqësor apo blegtoral që ndodhet në sipërfaqet që ju mbuloni, dhe jam kurioze që gjatë ditës së sotme të mund të bisedojmë se si kanë vajtur, kush ka qenë një eksperiencë e mirë, kush ka qenë një eksperiencë e keqe dhe se si këtë model që tashmë ekziston ne mund ta përhapim edhe në bashki të tjera.
Një tjetër formë se si bashkitë mund të gjenerojnë të ardhura është një bashkëpunim trepalësh. Bashkitë kanë asete të cilat duhet t’i vënë në dispozicion të zhvillimit ekonomik. Në disa prej bashkive ekzistojnë Qendrat e Transformimit Tekonologjik Bujqësor, QTTB-të, të cilat kanë njohurinë, kanë know-how dhe, gjithashtu, ka subjekte private të cilët kanë atë dëshirën për të gjeneruar të ardhura dhe kanë edhe aftësinë menaxheriale për t’i gjeneruar këto të ardhura. Ne mendojmë që është shumë e vlefshme që të ketë një bashkëpunim, pra të krijohen shoqëri të përbashkëta me të tre këto komponentë. Pra, me bashkinë si pronar i aseteve, me QTTB-të si pronar të dijes dhe me bizneset si pronar të dijes menaxheriale dhe praktike, që të mund të çohen gjërat përpara.
Në fushën bujqësore, sigurisht, ka një potencial shumë të lartë në këtë drejtim dhe do të doja që, në fund të ditës së sotme, ne të kishim të vendosnim për disa bashki pilot, ku, në një kohë të shkurtër, ne të mund të hartojmë një plan biznesi dhe, gjithashtu, i cili do të ketë nevojë për financime, sepse një pjesë e mungesës apo e mangësisë në këtë drejtim janë të ardhurat që mund të jenë të munguara.
Financimet, Kryeministri i përmendi. Neve po operacionalizojmë Bankën Shqiptare të Zhvillimit, e cila qëllimin kryesor ka pasur që në krye të herës financimin e zhvillimit, sidomos në pushtetin lokal, aty ku mundësitë e financimit janë më të ulëta, dhe modeli italian që jemi duke ndjekur ka bërë pikërisht këtë në Itali. Ka qenë një katalizator i zhvillimit të ekonomive lokale, qoftë në drejtim të modernizimit të infrastrukturave të bizneseve private, por qoftë edhe në drejtim të bashkëpunimit dhe të financimit të bizneseve të cilat krijohen nga bashkitë. Këtë model duam të ndjekim dhe besojmë që, duke pasur një plan të qartë në pesë bashki pilot, në një kohë 3-4 mujore, ne mundet që brenda këtij viti të financojmë këto projekte pilote.
Gjithashtu, prej kohësh, që prej vitit të kaluar, ka një instrument financues i cili është në dispozicion të biznesit, por pse jo edhe në dispozicion të këtyre shoqërive ku pjesëmarrës është edhe shteti, që është Banka Shqiptare. Banka e Shqipërisë ka vënë në dispozicion 250 milionë euro me qëllim financimin e biznesit me kosto të ulët. Gjithashtu, qeveria shqiptare i është bashkuar nismës së Bankës së Shqipërisë dhe, për këto fonde, ka vënë në dispozicion garanci sovrane, e cila mbulon pjesën më të madhe të riskut, duke mundësuar që të mos ketë nevojë të vendoset një kolateral i madh për të marrë financimin. Në bashkëpunim, këto dy institucione kanë bërë të mundur që të ketë fonde në dispozicion me 2%, që është një normë interesi jashtëzakonisht pozitive dhe inkurajuese për bizneset. Ndaj është e rëndësishme që të krijohen këto shoqëri, në mënyrë që risku të ndahet, në mënyrë që risku të mbështetet nga institucionet publike, sepse pjesë e problemit të sektorit bujqësor është që ose nuk kanë pasuri për të vënë në kolateral dhe bankat nuk i financojnë, ose ata që ekzistojnë janë të mbifinancuar. Duke krijuar këto shoqëri të përbashkëta, na bëhet e mundur që ta përhapim, pra ta çlirojmë kapitalin dhe të çlirojmë iniciativën e lirë.
Ne duhet të përqendrohemi tek gjenerimi i të ardhurave, pasi jo çdo gjë mund të bëhet me buxhetin e shtetit dhe, në fakt, struktura e ekonomisë është e tillë. 70% e investimeve janë investime private, nuk janë investime publike. Pra, ne duhet të nxisim investimet private duke vënë në dispozicion çfarë kemi të mundur dhe kryetarët e bashkisë duhet të jenë ata që ta drejtojnë këtë nismë. Unë jam shumë e gatshme që të punoj, thashë, bashkarisht me secilin prej jush, me ministrin Demo sigurisht, në mënyrë që të bëjmë disa raste suksesi dhe pastaj ky model të replikohet sa më gjatë.
Ne sot kemi një rritje ekonomike e cila shkon nga 3.5 deri në 4%. Është një rritje ekonomike që është më e larta në vendet e rajonit dhe, padyshim, më e larta në Europë. Ne konsiderohemi si ekonomia me një rritje më të shpejtë, pra, nga Banka Botërore dhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Ndaj është e rëndësishme që ne të gjejmë instrumenta se si këtë rritje ekonomike të vazhdojmë ta mbajmë me po të njëjtat ritme dhe, po nuk përdorëm të gjithë mekanizmat që kemi në dispozicion, ne nuk do të mund ta mbajmë. Pasi sot ne kemi një rritje e cila është e nxitur edhe nga ndërtimi, edhe nga real estate, edhe nga turizmi. Në mënyrë që të bëjmë të mundur që këta sektorë të vazhdojnë të kontribuojnë me po të njëjtin ritëm në ekonomi, do të duhet që të bëjmë të mundur që investimet të kryhen dhe të japin kontributin e vet.
Nga ana tjetër, u diskutua për shkollat profesionale. Kryeministri e tha: “Ne shtetin sipërmarrës e kemi në koncept dhe në thelb të këtij mandati qeverisës”, dhe e them këtë lidhur me shkollat profesionale, pasi edhe shkollave profesionale i është vënë një target në vitin që flasim. Të gjitha shkollat të cilat kanë për objekt që mund të kenë mundësi të gjenerojnë të ardhura, për shembull, shkollat e turizmit u përmendën, apo shkollat bujqësore kanë target për gjenerimin e të ardhurave. Shkollat e turizmit mund të bëjnë katering dhe të ofrojnë shërbime kateringu për biznese private, për bashkitë, për ndërmarrjet shtetërore, në mënyrë që të gjenerojnë të ardhura, sepse cilësia është e lidhur me të ardhurat. Vetëm duke pasur më shumë të ardhura, ato mund të marrin mësues më të mirë, nxënësit mund të paguhen dhe të arrihet të ketë një lloj qëndrueshmërie.
Nga ana tjetër, ne gjatë këtij viti kemi marrë përsipër që shumë profesione të cilat jepen, pra edukimi jepet në shkollat profesionale, por edhe në kolegjet profesionale, do të licencohen, do të certifikohen dhe do të futen në ekonomi vetëm duke qenë të certifikuara dhe besojmë fort që, duke bërë këtë, ne do të rrisim kërkesën për shkollat profesionale. Nga ana tjetër, Kryeministri e theksoi sigurisht që ambientet, laboratorët, konviktet janë thelbësore në mënyrë që të ketë kërkesë nga popullata për t’u përfshirë në arsim profesional. Ne kemi filluar këtë proces. Ne kemi 11 shkolla profesionale të cilat janë në rikonstruksion. Kemi një numër të madh konviktesh që janë në rikonstruksion, gjithmonë në bashkëpunim me Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Megjithatë, nevojat që ju keni, qoftë për arsim profesional, pra për kurse, për shkolla, por qoftë edhe për konvikte, do t’i diskutojmë gjatë takimit të sotëm.
Unë jam këtu me zëvendësministren Manjani, e cila mbulon arsimin profesional, dhe bashkarisht ne do të bëjmë të mundur që, në bashkëpunim edhe me AKPT-në, nëpërmjet hartimit të disa projekteve të cilat të jenë edhe cilësore, edhe me standarde, edhe atraktive për nxënësit që do të shkojnë dhe t’i frekuentojnë shkollat profesionale, por edhe duke menduar se cilat kurse duhet të hapen që janë të nevojshme për zhvillimin e ekonomisë lokale, ne do ta kemi një plan të detajuar dhe do ta ndjekim gjatë këtij viti.
Unë besoj që këto janë dy elementët kryesorë që ne sot kemi për të diskutuar dhe kontributi i gjithsecilit është shumë i vlefshëm, pasi është një punë që duhet ta bëjmë të gjithë së bashku.
Faleminderit!