Ministry of Economy and Innovation

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit zhvilloi sot në Europe House në Tiranë, tryezën teknike për prezantimin e Programit Kombëtar për Përgatitjen e Biznesit për Integrimin në Tregun Unik Europian.

Në aktivitet morën pjesë Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja, Majlinda Dhuka, Shefja e Bashkëpunimit në Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Ritva Heikkinen, si dhe përfaqësues të institucioneve publike, organizatave të biznesit dhe partnerëve ndërkombëtarë të zhvillimit.

Në fjalën e saj, ministrja Delina Ibrahimaj theksoi se përgatitja e biznesit shqiptar për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian është një nga prioritetet strategjike të qeverisë. Sipas saj, qëllimi është që sipërmarrja shqiptare të jetë konkurruese dhe e gatshme të përfitojë nga mundësitë që ofron Tregu Unik Europian.

Ajo vuri në dukje se Shqipëria është tashmë një ekonomi e integruar me tregun europian, ku rreth 70% e eksporteve shqiptare shkojnë drejt vendeve të Bashkimit Europian. Megjithatë, shtoi ministrja, numri i ndërmarrjeve eksportuese mbetet ende nën potencialin e ekonomisë shqiptare, çka tregon se nevojitet një mbështetje më e koordinuar për të rritur kapacitetet e tyre dhe për t’i përgatitur për standardet dhe rregullat e tregut europian.

Në këtë kuadër, ministrja theksoi se Programi Kombëtar synon të bashkërendojë instrumentet dhe programet e mbështetjes që ofrohen nga institucionet publike dhe partnerët ndërkombëtarë, duke krijuar një qasje të unifikuar që garanton përdorimin më efikas të burimeve financiare dhe teknike në funksion të zhvillimit të biznesit.

Puna për hartimin e programit ka nisur rreth një vit më parë, me një vlerësim të realizuar me mbështetjen e GIZ mbi nivelin e përgatitjes së biznesit shqiptar për integrimin në Tregun Unik Europian.

Ky proces ka ndihmuar në identifikimin e nevojave konkrete të sipërmarrjes shqiptare dhe do të shërbejë si bazë për hartimin e politikave dhe instrumenteve të reja mbështetëse.

Në vijim të këtij procesi, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Bashkimin Europian, GIZ, Programin e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë, po punon për zhvillimin e mëtejshëm të kësaj nisme. Ajo parashikon informimin dhe ndërgjegjësimin e rreth 48 mijë ndërmarrjeve, vlerësimin e nivelit të përgatitjes së tyre, si edhe identifikimin e investimeve që u nevojiten për të përmbushur standardet e Bashkimit Europian.

“Objektivi ynë është të kontaktojmë rreth 48 mijë kompani, për t’u ofruar informacion mbi procesin e integrimit në Tregun Unik Europian, por njëkohësisht edhe për të mbledhur të dhëna të detajuara mbi nivelin e përgatitjes së tyre dhe mbi nevojat konkrete që kanë për të përmbushur standardet europiane. Mbi bazën e këtij studimi të detajuar, do të punojmë së bashku për të hartuar instrumentet më të përshtatshme financiare që do të mbështesin bizneset shqiptare gjatë këtij procesi”, deklaroi ministrja Ibrahimaj.

Duke u ndalur te mbështetja financiare për sipërmarrjen, ministrja solli në vëmendje edhe programin “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, përmes të cilit bizneset mund të përfitojnë financim me Garanci Sovrane, norma interesi preferenciale dhe kushte më të favorshme kreditimi për investime që lidhen me automatizimin, certifikimin dhe përafrimin me standardet europiane.

Programi Kombëtar për Përgatitjen e Biznesit për Integrimin në Tregun Unik Europian synon të ndërtojë një mekanizëm të qëndrueshëm mbështetjeje për biznesin shqiptar, duke forcuar kapacitetet e tij për të konkurruar në tregun europian dhe për të përfituar nga mundësitë që do të sjellë anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.

FOTO ALBUM