Ministry of Economy and Innovation

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi në Komisionin parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, në një seancë dëgjimore buxhetin e investimeve të parashikuara për vitin 2026.
Ibrahimaj deklaroi se totali i fondeve të planifikuara për MEI, në vitin 2026, është 41,7 miliardë lekë, nga të cilat 5,08 miliardë lekë për paga dhe sigurime shoqërore, 34,2 miliardë lekë për programe korrente dhe mbështetëse dhe 2,4 miliardë lekë për investime kapitale.
Sipas Ministres Ibrahimaj, buxheti mbështetet në dy shtylla kryesore:
-Ekonominë, për forcimin e prodhimit vendas, nxitjen e punësimit dhe mbështetjen e sipërmarrjes,
-Inovacionin, që synon transformimin digjital dhe përgatitjen e ekonomisë për konkurrueshmëri europiane.
Ministrja Ibrahimaj tha se “ky projektbuxhet parashikon një rritje të pagave dhe pensioneve, duke ruajtur fuqinë blerëse dhe duke siguruar një shtesë prej rreth 200 milionë euro vetëm për vitin 2026. Paga minimale do të rritet nga 400 në 500 euro për 307 mijë punonjës, ndërsa pagat në administratën publike, arsimin, shëndetësinë dhe Policinë e Shtetit do të rriten nga 3 mijë deri në 10 mijë lekë në muaj. Për pensionet, nis nga janari 2026 kompensimi i të ardhurave çdo vit mbi indeksimin e zakonshëm”.
Sipas saj, fuqizimi i tregut të punës mbetet prioritet kryesor, me një buxhet prej 4,9 miliardë lekë, rritje 65% krahasuar me 2025. Ky fond mbulon Garancinë Rinore për punësimin e të rinjve, skemat e subvencionimit të pagave, programet e formimit profesional dhe përfshirjen e grupeve vulnerabël.
Ministrja Ibrahimaj theksoi, se buxheti është në përputhje me objektivat e programit “Shqipëria 2030”, duke synuar integrimin europian, rritje të qëndrueshme ekonomike, mirëqenie sociale dhe paga dinjitoze për qytetarët.

Më poshtë gjeni fjalën e plotë të Ministres Ibrahimaj në Komisionin parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat

FJALA E MINISTRES
Të nderuar anëtarë të Komisionit,
Është kënaqësi të paraqes sot projektbuxhetin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit për vitin 2026, i cili është në harmoni me objektivat e programit “Shqipëria 2030”, që synon përshpejtimin e integrimit europian, rritje të qëndrueshme ekonomike, një shoqëri me më shumë mirëqenie, paga dinjitoze dhe mbështetje sociale të drejtë.
Rritja ekonomike për vitin 2025 parashikohet të arrijë 3.9%, punësimi është rritur në 68.5%, papunësia është ulur në nivelin më të ulët historik prej 8.5%, ndërsa inflacioni është stabilizuar në rreth 2.2%, ndërsa paga mesatare ka arritur në 830 euro dhe paga minimale është dyfishuar.
Këta tregues tregojnë se politika që kemi ndjekur ka sjellë më shumë punësim, paga më larta dhe mirëqënie për qytetarët .
Totali i fondeve të planifikuara për Ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit në vitin 2026 është 41.7 miliardë lekë, të ndara si vijon:
• 5.08 miliardë lekë për paga dhe sigurime shoqërore,
• 34.2 miliardë lekë për programe korrente dhe mbështetëse,
• 2.4 miliardë lekë për investime kapitale (brendshme dhe të huaja).
Ky buxhet mbështet dy shtylla themelore:
1️.Shtylla Ekonomike – forcimi i prodhimit vendas, nxitja e punësimit dhe mbështetja e sipërmarrjes;
2️.Shtylla e Inovacionit – transformimi digjital dhe përgatitja e ekonomisë për konkurrueshmëri europiane.
Ky buxhet shënon një kthesë të rëndësishme në politikat sociale dhe të pagave, duke garantuar ruajtjen e fuqisë blerëse përmes indeksimit të pagave dhe rritjes së të ardhuave pensionale. Vetëm për vitin 2026, efekti buxhetor për pagat dhe pensionet arrin rreth 200 milionë euro shtesë.

• Paga minimale rritet nga 400 në 500 euro, për 307 mijë punonjës publikë e privatë.
• Rritje pagash për administratën publike, arsimin, shëndetësinë dhe Policinë e Shtetit, në nivele nga 3 mijë deri në 10 mijë lekë në muaj.
• Për pensionet, nis nga janari 2026 kompesim të ardhurash çdo vit, përtej indeksimit : pensioni urban 40 mijë lekë, rural 18 mijë lekë, invaliditeti 30 mijë lekë, familjar 18 mijë lekë.

Lloji i Pensionit Aktualisht         Synimi në fund të mandatit Rritje Vjetore
Pension urban (vite të plota) 27,350 lekë         40,000 lekë
V.1 :1,800 lekë
V.2 : 3,600 lekë
V.3 : 5,400 lekë
V.4  7,200 lekë
V.5 : 9,000 lekë
Pension urban i pjesshëm 15,850 lekë         22,000 lekë
V.1 800 lekë
V.2 1,600 lekë
V3. 2,400 lekë
V4. 3,200 lekë
V5. 4,000 lekë
Pension rural 11,500 lekë         18,000 lekë
1,000 lekë
2,000 lekë
3,000 lekë
4,000 lekë
5,000 lekë
Pension familjar 11,400 lekë          18,000 lekë
700 lekë
1,400 lekë
2,100 lekë
2,800 lekë
3,500 lekë
Pension invaliditeti 20,000 lekë          30,000 lekë 600 lekë

1,200 lekë

1,800 lekë

2,400 lekë

3,000 lekë

Fuqizimi i tregut të punës mbetet një prioritet thelbësor i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit . Synimi ynë është që qytetarët të kenë mundësi reale për punësim të qëndrueshëm dhe të paguar me dinjitet, ndërsa bizneset të kenë akses në fuqi punëtore të kualifikuar sipas nevojave të zhvillimit ekonomik.
Tregu i Punës ka një buxhet prej 4.9 miliardë lekë, me një rritje 65% ndaj 2025, që financon Garancinë Rinore për punësimin e të rinjve, skemat e subvencionimit të pagave dhe programet e formimit profesional për të rritur punësueshmërinë.
Programet e nxitjes së punësimit: 1.2 miliardë lekë
– Përfshijnë subvencionimin e pagave, vetëpunësimin, programet e trajnimit dhe punës komunitare.
– Kjo rritje mbulon zgjerimin e Garancisë Rinore Kombëtare dhe përfshirjen e më shumë përfituesve nga grupet vulnerabël.
Plani i Rritjes për Tregun e Punës: 300 milionë lekë
– Masa të lidhura me Plani i Rritjes së BE-së, që financojnë projekte për përmirësimin e aftësive dhe punësimin në sektorët me potencial të lartë.
Transferta për familjet dhe individët: 2 miliardë lekë
– Mbulojnë pagesat e papunësisë, rimbursimet për punonjësit me paga minimale dhe mbështetje për individët në tranzicion të punës.
Investime kapitale me financim të brendshëm: 231 milionë lekë
– Përfshijnë projektimin dhe ndërtimin e Qendrave të Formimit Profesional dhe Qendrave Multifunksionale për trajnime.
– Përfshihen projektet:
• Kampusi i Aftësive,
• Qendra “Hermann Gmeiner”,
• Qendra e Formimit Profesional Durrës.

Investime me financim të huaj: 50 milionë lekë
– Projekte të financuara nga partnerë ndërkombëtarë për rritjen e punësimit dhe përmirësimin e aftësive profesionale.
Arsimi dhe formimi profesional përbëjnë nyjen lidhëse ndërmjet zhvillimit të aftësive dhe rritjes ekonomike. Qëllimi ynë është që arsimi profesional të mos shihet si alternativë e dytë, por si rruga më e shpejtë dhe e sigurtë drejt profesioneve të paguara mirë.
Buxheti për arsimin profesional në vitin 2026 është 4.9 miliard lekë (+9.13% ndaj vitit 2025) përfshirë:
• 1.47 miliard lekë investime për:
o rikonstruksione dhe ndërtim shkollash të reja,
o laboratorë praktikë dhe makineri teknike,
o digjitalizim dhe mjete mësimore.
• 313 milion lekë për bursa dhe tekste shkollore të rimbursuara, për të nxitur modernizimin e kurrikulave sipas sektorëve ekonomikë realë.

Në planin social, programet e strehimit synojnë të sigurojnë stabilitet dhe kushte të qëndrueshme jetese për familjet që nuk mund të përballojnë tregun e banesave. Subvencionet e qirave dhe investimet në banesa sociale kanë ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e varfërisë urbane dhe rritjen e përfshirjes ekonomike dhe sociale.
Buxheti i strehimit për vitin 2026 arrin 1.245 miliardë lekë, duke përfshirë subvencionimin e interesave të kredive për rreth 6000 familje, bonus qiraje për 3000 familje, 250 kredi 0% interes për administratën publike dhe përmirësime të banesave në kushte të vështira.
Të dhënat e përmendura më lart tregojnë se ekonomia shqiptare po ecën me rritje të qëndrueshme. Por jemi ende në mes të rrugës, Sfida jonë tjetër është të bëjmë ekonominë shqiptare të aftë të konkurrojë me dinjitet në tregun e përbashkët europian.

Në të njëjtën kohë, Shqipëria ka trefishuar eksportet e saj, duke i çuar nga 2.8 miliardë euro në vitin 2013 në 8.4 miliardë euro sot, duke e bërë ekonominë shqiptare më konkurruese dhe më të hapur ndaj tregjeve ndërkombëtare.
Në mënyrë që mallrat dhe produktet shqiptare të aksesojnë tregun me kosto sa më të ulët dhe të jenë konkurruese në tregjet europiane, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit do të përqendrojë punën në tre drejtime kryesore:
• modernizimin e legjislacionit ekonomik,
• lehtësimin e tregtisë
• dhe forcimin e konkurrueshmërisë së produkteve dhe bizneseve shqiptare.
Në aspektin ligjor brenda vitit do të kryhet përafrimi i plotë me legjislacionin europian për shoqërite tregtare, që do të bëjë që deri në fund të vitit të ardhshëm biznesi shqiptar të operojë sipas të njëjtave rregulla me biznesin e vendeve të BE-së.
Në fushën e tregtisë, bashkë me Bankën Botërore po implementohet projekti i Lehtësimit të Tregtisë dhe Transportit me vlerë 17.6 milion euro, që përfshin krijimin e Dritares së Vetme Kombëtare dhe Sistemit të Kompjuterizuar të Tranzitit (NCTS), duke standardizuar dhe digjitalizuar të gjitha procedurat doganore. Ratifikimi i protokollit shtesë eCMR dhe miratimi i ligjit për fletëshoqërimin elektronik (eFTI) do të modernizojnë transportin e mallrave.
Po ashtu, përmes të njëjtit projekt po instalohet sistemi VTMIS për menaxhimin e trafikut detar dhe po rikonstruktohet pika kufitare e Qafë Thanës.
Ndërsa në fazën e dytë prej 49 milion eurosh ku parashikohet modernizimi i doganave të Hanit të Hotit, Bllatës, Kapshticës dhe Kakavijës, ka kaluar fazën e vizibilitetit do të përfshihet në buxhetin e vitit të ardhshëm pas kuotimit.
Në komponentin e cilësisë dhe konformitetit, Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë do të krijojë Regjistrin Elektronik të Metrologjisë dhe Kalibrimit, si dhe dy laboratorë të rinj – për kalibrimin e peshave të mëdha dhe për matjet kimike – me investim mbi 1 milion euro, plus 16 milion lekë nga buxheti i shtetit për pajisje të reja kalibrimi.
Drejtoria e Përgjithshme e Akreditimit do të digjitalizojë të gjitha proceset me fond 1.7 milion euro, ndërsa Drejtoria e Standardizimit do të anëtarësohet me të drejta të plota në CEN/CENELEC, me mbështetje prej 1.3 milion euro.
Gjithashtu, ISHMT do të ngrejë Laboratorin e Kontrollit të Cilësisë së Detergjenteve, me financim 725 mijë euro, dhe do të miratojë 11 akte të reja teknike të përafruara me BE-në, që përfshijnë pajisjet elektrike, ashensorët, pajisjet mbrojtëse dhe enët me presion.
Në drejtim të politikave të eksportit, po përgatitet Programi i Lehtësimit të Eksporteve, që do të reduktojë barrierat administrative dhe të promovojë produktet shqiptare përmes panaireve dhe fushatave ndërkombëtare. Paralelisht, përmes AIDA dhe Startup Albania, po zbatohen skema grantesh dhe programe promovuese për eksportuesit dhe startup-et.
Në nivel strategjik, gjatë vitit të ardhshëm do të miratohet Strategjia Kombëtare Industriale, e fokusuar në tranzicionin e gjelbër, digjitalizim, zinxhirë furnizimi të qëndrueshëm dhe inovacion. Kjo strategji do të udhëheqë orientimin e fondeve dhe politikave drejt sektorëve me vlerë të shtuar dhe do të përshpejtojë rivitalizimin e industrisë vendase, përfshirë atë ushtarake.
Një tjetër shtyllë e rëndësishme janë Parqet Teknologjike dhe Industriale dhe Zonat e Teknologjisë dhe Zhvillimit Ekonomik (ZTZHE). Aktualisht janë të licencuara një zonë publike – Teda Tirana dhe Durana Tech Park – si dhe tre zona private në Durrës, Elbasan dhe Tiranë. Këto zona pritet të kthehen në qendra tërheqëse për investime të huaja dhe të gjenerojnë modelin e ri ekonomik të vendit deri në vitin 2030.
Investimet e Huaja Direkte kanë arritur nivelin rekord prej 16 miliardë euro, me rritje 11.1% krahasuar me 2024 dhe 29% krahasuar me 2023, duke sjellë kapital, teknologji dhe standarde të reja pune. Për të rritur më tej investimet private, brenda vitit të ardhshëm do të miratohet Ligji i ri për Investimet, që përafrohet me standardet më të larta të BE-së dhe përfshin incentiva fiskale për sektorë prioritarë si kërkimi, zhvillimi dhe inovacioni.
Në mbështetje të ndërmarrjeve eksportuese, do të zbatohet Programi Kombëtar për Mbështetjen e Biznesit në Tregun Unik Europian, ndërsa kuadri për mbrojtjen e konsumatorit do të përmirësohet me miratimin e Ligjit të ri për Mbrojtjen e Konsumatorit, që transpozon 6 direktiva dhe 1 rregullore të BE-së.
Ky ligj do të zgjerojë mbrojtjen ndaj tregtisë digjitale, praktikave të padrejta tregtare, reklamave mashtruese dhe kontratave abuzive, ndërsa do të krijohet një strukturë e re për mbrojtjen proaktive të konsumatorit, në përputhje me praktikat më të avancuara europiane.
Nga ana tjeter do të nxisim kreditim e biznesit nëpërmjet garancive sovrane , dhe operativitetit të Bankës së Zhviillimit dhe promovimit të Fondit të Bankës Shqiptare.
Sot nuk mund të flasim për zhvillim ekonomik pa folur për Inovacion.
Për vitin 2026, 578 milionë lekë janë dedikuar inovacionit dhe transformimit digjital.
Në këto vite, ne kemi ndërtuar nga politikat për startup-et e deri tek instrumentet financiare, nga programet e mbështetjes së inovacionit tek nismat për digjitalizim dhe teknoparqet.
Buxheti i vitit 2026 parshikon edhe 300 milion lekë të dedikuara për Fondi për Inovacionin dhe Teknologjinë, një instrument i drejtpërdrejtë mbështetjeje për startup-et, projektet teknologjike dhe ekosistemin kombëtar të inovacionit.
Nëpërmjet këtij fondi, startup-et dhe kompanitë teknologjike shqiptare do të kenë më shumë mundësi për financim, rritje dhe bashkëpunim. Të rinjtë do të mbështeten për ta kthyer idenë në biznes përmes granteve, programeve të akselerimit e inkubimit dhe bashkëfinancimeve publike-private, në fusha si inteligjenca artificiale, teknologjitë e gjelbra, digjitalizimi dhe inovacioni social.
Në këtë drejtim po zbatojmë edhe projektin Digital Inovation Unit, të bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe Qeveria Shqiptare, që do të shërbejë si qendër kombëtare për digjitalizimin e bizneseve dhe përgatitjen e talenteve të reja dixhitale, duke u ofruar sipërmarrjeve akses në trajnime, laboratorë dhe partneritete ndërkombëtare.
Shqipëria ka hyrë në një epokë të re të inovacionit, ku qeveria, akademia dhe sektori privat po bashkëpunojnë për të ndërtuar një ekosistem që prodhon dije, teknologji dhe punësim. Ky vizion po merr formë konkrete me:
• Ligjin për startup-et dhe fondet kombëtare prej 10 milionë eurosh për mbështetjen e ideve të reja;
• Durana Tech Park, që po kthehet në një qendër rajonale të inovacionit, ku mbi 50 kompani vendase dhe të huaja kanë shprehur interes.
Në vitet në vijim do të trefishojmë fondet për startup-et, do të zgjerojmë rrjetin e inkubatorëve dhe akseleratorëve në të gjithë vendin dhe do të zhvillojmë programe për teknologjitë e gjelbra dhe inteligjencën artificiale, për ta kthyer inovacionin në shtyllën e rritjes ekonomike të Shqipërisë.
Të nderuar deputetë,
Në perfundim të fjalës time, sic paraqita më sipër ky buxhet ka të pasqyruara politikat e programit të Qeverisë shqiptare për 4- vjecarin e ardhshëm, në drejtim të pagave, të pensioneve, konkurueshmërisë, tregut të punës, arsimit profesional, zhvillimit të biznesit dhe inovacionit.
Ju faleminderit!