Ministry of Economy and Innovation

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë prezantimit të Aktit Normativ për “Për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave”, në Kuvend deklaroi se dhuna ndaj institucioneve dhe bizneseve nuk mund të justifikohet apo të përdoret si instrument politik, ndërsa përgjegjësia për dëmet e shkaktuara duhet të jetë individuale.

Ibrahimaj theksoi se protestat e dhunshme kanë sjellë pasoja jo vetëm për institucionet publike, por edhe për dhjetëra biznese dhe sistemin financiar, duke cenuar aktivitetin ekonomik dhe sigurinë e qytetarëve. Ajo solli në vëmendje edhe djegien e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, një institucion që sipas saj, mbështet biznesin dhe kontribuon çdo ditë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

Ministrja nënvizoi se bizneset nuk mund të mbajnë kostot e dhunës, ndërsa bëri të ditur se shteti do të marrë përsipër dëmshpërblimin e sipërmarrjeve të dëmtuara. Sipas saj, dëmi do të vlerësohet nga ekspertët rast pas rasti.

Për bizneset e siguruara, shteti do të mbulojë diferencën që nuk kompensohet nga kompanitë e sigurimit, ndërsa për bizneset e pasiguruara do të mbulojë të gjithë dëmin e shkaktuar, sipas procedurave të përcaktuara.

“Ne kemi ndërmarrë një Akt Normativ, i cili synon shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar nga protestat dhe ka një procedurë, e cila dëmshpërblen çdo biznes të vogël nën 140.000 euro, 14 milionë lekë, për të gjitha dëmet e shkaktuara nga protesta e dhunshme. Sigurisht që, në një vend që funksionon si duhet, këto dëme duhet të mbuloheshin nga kompanitë e sigurimeve dhe, në fakt, ato kompani të cilat janë të siguruara do të dëmshpërblehen nga sigurimi. Megjithatë, nëse sigurimi nuk e mbulon të gjithë dëmin e shkaktuar, sipas një vlerësimi të ekspertëve që do të bëhet rast pas rasti, atëherë ne do të mbulojmë edhe diferencën për kompanitë që janë të siguruara. Për kompanitë që nuk janë të siguruara, ne do të mbulojmë të gjithë dëmin e shkaktuar nga protestat”, deklaroi Ibrahimaj.

Në të njëjtën kohë, Avokatura e Shtetit do të ndjekë procedurat për të kërkuar nga personat përgjegjës rimbursimin e shumave të paguara për dëmshpërblimin e bizneseve.

“Ne nuk mund ta legjitimojmë dhunën. Ne nuk mund të legjitimojmë dëmet ndaj bizneseve që nuk kanë asnjë faj për asgjë. Biznese të ndershme, të cilat punojnë natë e ditë për të garantuar ushqimin e familjeve të tyre, për të garantuar ecurinë e ekonomisë së lirë”, u shpreh Ibrahimaj.

Ministrja u bëri thirrje deputetëve të të gjitha forcave politike që të mbështesin nismat, duke theksuar se përgjegjësia për të mos lejuar përhapjen e dhunës dhe frikës në hapësirat publike është e përbashkët.