Ministry of Economy and Innovation

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi në Komisionin për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm ndryshimet e propozuara në ligjin “Për strehimin social”, që synojnë zgjerimin e programeve të strehimit dhe krijimin e mundësive të reja për familjet e reja, të rinjtë, profesionistët dhe shtresën e mesme.

Ndryshimet parashikojnë instrumente të reja mbështetëse, përfshirë kreditë me interes zero për banesa deri në 60 mijë euro, kredi me interes 3% për banesa deri në 200 mijë euro, subvencionimin deri në 50% të qirasë, si dhe mekanizmin “nga qiraja në blerje”.

Projektligji parashikon gjithashtu krijimin e Fondit të Strehimit dhe Kohezionit Social, për të bashkuar dhe vënë në përdorim burime të ndryshme financimi, si dhe një model të ri zhvillimi të lagjeve, që ndërthur strehimin social, atë të përballueshëm dhe tregun e lirë.

Duke iu referuar rezultateve të deritanishme, ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se që prej vitit 2018 janë mbështetur rreth 30 mijë familje, ose afërsisht 100 mijë qytetarë, përmes programeve të strehimit social.

Fjala e plotë e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj:

 

Faleminderit.

Mirëmëngjes të gjithëve!

Është shumë kënaqësi që sot vij të paraqes mdryshimet në projektligjin “Për strehimin social”. Ne që në hartimin e programit të Partisë Socialiste për qeverisjen e këtij katërvjeçari kemi pasur një vend të përcaktuar për strehimin, ku synimi ishte që të zgjeronim programet e strehimit dhe pikërisht sot vijmë me implementimin e asaj që ishte e paraqitur në program, pra me zgjerimin e programit të strehimit, duke shtuar jo vetëm mbështetjen për kategorinë sociale, por edhe mbështetjen për ata të rinj, të reja apo shtresë e mesme, familje të reja, të cilët kanë nevojë për një banesë. I quajtur ndryshe, është jo vetëm strehim social, por dhe strehim i përballueshëm.

Ky projektligj vjen pas një periudhe relativisht të gjatë, tetëvjeçare të miratimit të projektligjit të ri “Për strehimin social”, i cili gjithashtu është propozuar nga qeverisja socialiste në vitin 2018. Që prej vitit 2018, në fakt, ka pasur zhvillime pozitive në këtë drejtim. Që me miratimin e atij ligji, ne kemi mbështetur rreth 30.000 familje me instrumente të ndryshme që janë të parashikuara në ligj. Janë gjashtë programe që janë aktualisht të parashikuara në ligj. Ndërkohë janë 30.000 familje, janë diku tek 100.000 banorë të cilët janë të mbështetur. Më konkretisht, 14.000 familje janë mbështetur për pagesën e qirasë, për subvencionimin e qirasë, duke përjashtuar këtu të gjitha ato subvencionime qiraje që vijnë si pasojë e tërmetit dhe e rindërtimit. Mbi 7.000 familje kanë përfituar kredi të lehtësuara nëpërmjet programeve tona që bëhen në bashkëpunim me bashkitë. Janë ndërtuar mbi 1.000 banesa sociale dhe janë përmirësuar kushtet e banimit për mbi 6.000 familje të tjera. Vetëm gjatë vitit 2026, ne, në kuadër të programit për përmirësimin e kushteve të banimit, kemi parashikuar rreth 700 milionë lekë për mbështetjen e 663 familjeve në 26 bashki. Po gjatë këtij viti kemi hapur 300 kuota për kredi me interes zero për punonjësit e administratës publike, të cilat janë ende në proces vlerësimi, ndërkohë që 700 qytetarë të kësaj kategorie kanë arritur të lidhin kontratat e kreditimit të tyre për blerjen e banesave.

Megjithatë, me kënaqësi mund të themi se zhvillimet ekonomike dhe demografike na sjellin në situatën ku ne mundemi dhe nevojitet që të zgjerojmë programet e strehimit. Sipas Censit të vitit 2023, në Shqipëri kemi rreth 756.000 familje, 4,7% më tepër sesa në vitin 2021. Ajo që ka ndryshuar, në fakt, është përbërja e familjeve. Nëse më parë kishim familje me mesatarisht 3,7 anëtarë ose katër, sot familja mesatare shqiptare është me tre anëtarë, që do të thotë që ka më shumë nevojë për banesa, ka më shumë familje të cilat kanë më shumë nevojë për banesa. Ndërkohë që, krahas ndryshimeve në numrin e familjeve dhe në përbërjen e tyre, rritja e çmimeve të banesave, të qirave, si dhe lëvizja e të rinjve për punë dhe për studime kërkojnë një qasje të re ndaj strehimit. Sot ka familje të cilat nuk përfshihen në kategori tradicionale të strehimit social, por që njëkohësisht nuk arrijnë të përblekëojnë çmimet e tregut. Ndaj, për këtë arsye, është e nevojshme që ne të prezantojmë dhe të miratojmë propozimet për ndryshimet e ligjit, ku bën pjesë strehimi i përballueshëm. Mbështetja do të shtrihet në familjet me të ardhura të mesme, në të rinjtë në fillim të karrierës, në çiftet e reja, në familjet njëprindërore, punonjësit e shërbimeve publike, personat me aftësi të kufizuara sigurisht, dhe kategori të tjera që plotësojnë të gjitha kriteret ligjore që janë të parashikuara në ligj. Përfitimi do të përcaktohet në raport me të ardhurat, me mundësinë reale të familjes për të përblekëuar shpenzimet e strehimit. Një nga instrumentet kryesore që ne paraqesim si mbështetje për strehimin është lehtësimi i aksesit të kredisë për banesa. Janë dy programe, në fakt, që ne kemi paraqitur.

Njëri nga programet lidhet me subvencionimin e të gjithë normës së interesit për banesa të cilat nuk kanë një kosto më të lartë sesa 60.000 euro, bëhet fjalë për Tiranën. Dhe për ta ilustruar se çfarë suporti i jepet kësaj kategorie, sjell një shembull. Nëse një banesë kushton 6 milionë LEKË, për një periudhë 30-vjeçare me normë interesi zero, paguan një këst prej rreth 16.667 lekë, pra rreth 17.000 lekë. Ndërkohë që e njëjta kredi, po të merrej me 5% KSI, do të ishte rreth 32.000 lekë. Pra, përfituesit e kësaj kredie janë 15.000 lekë në muaj që mbeten më shumë në xhepat e familjeve të reja apo profesionistëve të rinj apo çifteve të reja, me përfitimin e kësaj kredie dhe të këtij subvencioni, sesa po të merrnin një kredi të zakonshme. Përveç kësaj, është e rëndësishme të theksojmë që këto lloj instrumentesh, qoftë për kredinë për banesat deri në 60.000 euro, qoftë për kredinë e dytë që ne propozojmë, që të ketë një normë interesi 3%, ku diferenca ndërmjet 3%-it dhe pjesës tjetër do të mbulohet nga shteti. Për një shumë kredie deri në 200.000 euro, ne propozojmë që të jenë pa parapagim. Edhe parapagimi është nga problematikat që ne kemi hasur gjatë zbatimit të programeve të strehimit social dhe sidomos gjatë zbatimit të programeve të kredisë së butë. Duke qenë se çiftet e reja apo studentët, të cilët sapo kanë mbaruar bachelorin, mund të jenë në master, mund të kenë filluar punën e re, e kanë të pamundur që të kenë akumuluar kursime me qëllim që të bëjnë parapagimin. Ndaj dhe në projektligjin që keni për shqyrtim, ne kemi marrë parasysh që do të mund të angazhojmë instrumentet e garancisë, të cilët do të mbulojnë pjesën e parapagimit, në mënyrë që këta përfitues të mos kenë nevojë as për të pasur kursime, as për të paguar normën totale të interesit. Një tjetër instrument që paraqitet në projektligj, të cilin ne duam të aktivizojmë që me miratimin e këtij projektligji, është instrumenti i subvencionimit të qirasë deri në gjysmën e qirasë, duke marrë parasysh që qiraja do të ketë një çmim të barabartë me çmimin e miratuar nga këshilli bashkiak për qiranë mesatare nëpër bashki. Edhe ky është një instrument i cili do t’i dedikohet çifteve, familjeve të reja, profesionistëve të rinj, të cilët nuk kanë vendosur ende të blejnë një apartament, por janë të zhvendosur nga mbase vendlindja e tyre për shkak të studimeve, për shkak të ofertës së punës. Ndaj dhe propozohet që të subvencionohet qiraja për një periudhë të limituar, me qëllim që të suportohen që të fillojnë jetesën e tyre në qytete të tjera. Një tjetër instrument i rëndësishëm i paraqitur në projektligj është gjithashtu ajo që konsiderohet nga qiraja në blerje.

Ne, nëpërmjet këtij projektligji, fusim një instrument ku, për ato qira që jepen në banesa që janë të ndërtuara për qëllim social dhe të përballueshëm, një pjesë e qirasë së paguar në këto banesa mund të konvertohet në reduktim të çmimit kur të vendoset që apartamenti apo njësia të blihet. Një tjetër element i rëndësishëm është ai instrumenti që do të përdoret për të ndërtuar në toka shtetërore lagje të cilat shkojnë për strehim social dhe të përballueshëm. Një nga shqetësimet kryesore që kemi pasur ndër vite dhe që kjo lloj politike ka pasur ndër vite, është që të mos getoizohen lagje të tëra, duke i populluar ato lagje vetëm me kategori të strehimit social. Ne, nëpërmjet instrumentit 30-40-30, propozojmë që të ndërtohen lagje ku 30% e apartamenteve të shkojë për strehim social, 40% e apartamenteve të shkojë për strehim të përballueshëm dhe 30% e apartamenteve të jepet në treg të lirë, qoftë me qira apo për shitje. Në këtë mënyrë, ne garantojmë që do të kemi një integrim të duhur edhe të kategorive sociale, të cilat kanë nevojë të jetojnë të integruara dhe kanë nevojë të jetojnë nëpër lagje në të cilat ka shkolla, ka infrastrukturë, ka çerdhe, ka kopshte. Dhe kjo, në fakt, është një instrument i cili është i përdorur nga shumë vende të tjera të Bashkimit Evropian dhe ka rezultuar i suksesshëm. Pra, siç e shihni, të nderuar deputetë, ne kemi një numër të madh instrumentesh të reja, të cilat me miratimin e këtij ligji do të materializohen dhe do të mund të vendosen në eficiencë. Ka dhe dy elementë të tjerë të rëndësishëm që më duhet të theksoj. Në radhë të parë, ne kemi rishikuar mënyrën se si merret vendimmarrja dhe se si zbatohen projektet e strehimit. Nëpërmjet këtij projektligji është parashikuar ngritja e një Bordi i cili drejtohet nga ministri përgjegjës për strehimin. Po ndërkohë, ka në përbërje të tij disa përfaqësues të ministrive të tjera që kanë lidhje me strehimin, siç është Ministria e Infrastrukturës, Ministria për Pushtetin Vendor, Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale. Kemi parashikuar të vendosim në bord Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe, sigurisht, një ent të ri i cili do të krijohet, i cili është Agjencia për Zhvillimin e Territorit dhe Strehimit. Pra, Agjencia e Zhvillimit të Territorit do të zgjerojë kompetencat, duke u bërë krahu operacional i politikave të strehimit që merren nga bordi drejtues. Nga ana tjetër, nëpërmjet projektligjit, ne kemi parashikuar që kjo agjenci mund të krijojë sh.a. Logjika këtu është që Enti Kombëtar i Banesave të shndërrohet në sh.a dhe të jetë entiteti që do të ndërtojë, por edhe do të menaxhojë ndërtesat e ndërtuara me fondet e shtetit, qoftë fonde vendore, qoftë fonde qendrore, për qëllim social. Pra, ne kemi një mënyrë të re të funksionimit. Nga ana tjetër, projektligji parashikon krijimin e një fondi, Fondit të Strehimit dhe Kohezionit Social. Fondi merr parasysh që të mblidhen brenda një fondi edhe fondet e buxhetit të shtetit. Do të mblidhen fondet e 3% të mbledhura nga bashkitë, mund të marrë financim nga sponsorizimet dhe donacionet, pra dhe nga privatët, dhe gjithashtu burime të tjera të ligjshme që ka të parashikuara legjislacioni në fuqi. Në këtë formë, ne garantojmë jo vetëm që programet aktuale të strehimit social do të vijojnë të mbështeten nga fondet e buxhetit të shtetit, por garantojmë që do të kemi, do të fusim në eficiencë të gjitha fondet e 3%-it, të cilat, për hir të së vërtetës, nuk janë përdorur deri tani nga bashkitë. Janë diku rreth 11,5 miliardë lekë, të cilat janë në buxhetet e bashkive, janë në llogaritë e bashkive dhe nuk përdoren. Nëpërmjet këtij fondi, ne do të kemi mundësi që t’i operacionalizojmë dhe të mund t’i përdorim qoftë për programet e reja të strehimit të përballueshëm apo social, qoftë për ndërtesat e lagjeve me formulën 30-40-30.

Janë dhe disa elementë të tjerë, në fakt, që janë të parashikuara në ligj, të cilët rregullojnë procese apo procedura, si për shembull proceset të cilat kanë qenë të ngecura për banesa të cilat janë të prekura nga projekte publike infrastrukturore, të cilat nuk kanë qenë të legalizuara dhe kanë marrëveshje me bashkitë përkatëse. Nëpërmjet këtij projektligji, ne synojmë që të zgjidhim këtë problematikë që është një problematikë e Kamzës, është një problematikë e Librazhdit. Pra, ka disa qytete që kanë problematika të tilla, të cilat adresohen me rregullimet ligjore dhe me propozimet që ne bëjmë. Kjo është në mënyrë të përmbledhur çfarë paraqet projektligji. Unë mendoj që ky është një projektligj shumë i rëndësishëm. Është një projektligj i cili vjen në të gjithë logjikën dhe në të gjithë konceptin e politikave që qeveria shqiptare ka paraqitur në Parlament, bashkë me Paketën Fiskale, ku synimi është që ne të mbështesim familjet shqiptare për reduktimin e kostove të jetesës. Në këtë moment flasim për strehimin, por me Paketën Fiskale ne kemi paraqitur disa propozime të rëndësishme që reduktojnë barrën e përmuajshme të familjeve shqiptare, por edhe vijnë në drejtimin e rritjes së të ardhurave të shtresës së mesme. Duke e lidhur këtë me propozimin për rritjen e tavanit të tatimit mbi të ardhurat nga 200 deri në 300.000 lekë. Unë besoj që ky është një projektligj, siç thashë, shumë i rëndësishëm dhe jam e bindur që të gjithë deputetët na mbështesin këtë. Po të kishin pasur deputetët e opozitës, besoj që edhe ata do të duhej ta mbështesnin, sepse shkon për përmirësimin e kushteve të jetesës, për përmirësimin e mundësive që qeveria i jep familjeve shqiptare për të pasur një jetë më të mirë dhe më të sigurt për të gjitha çiftet e familjet e reja.

Faleminderit.

FOTO ALBUM