Ministry of Economy and Innovation

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi në Komisionin për Edukimin, Shkencën dhe Sportet projektbuxhetin e vitit 2027 për arsimin dhe formimin profesional, si dhe politikat e tregut të punës.

Për vitin 2027, për këto dy fusha janë parashikuar gjithsej 8.9 miliardë lekë, nga të cilat 5.07 miliardë lekë për arsimin e mesëm profesional dhe 3.83 miliardë lekë për tregun e punës. Financimi synon të mbështesë shkollat profesionale, përmirësimin e infrastrukturës dhe laboratorëve, bursat për nxënësit, formimin dhe rikualifikimin e punëkërkuesve, si dhe programet e nxitjes së punësimit.

Gjatë prezantimit, ministrja theksoi rëndësinë e lidhjes së arsimit profesional me nevojat konkrete të sipërmarrjes, në mënyrë që të rinjtë të përgatiten për profesionet që kërkon tregu dhe bizneset të kenë akses në fuqi punëtore të kualifikuar.

Ndër objektivat për vitin 2027 janë rritja e numrit të nxënësve në arsimin profesional në 16,200, zgjerimi i arsimit dual dhe synimi që 68% e të diplomuarve ose të certifikuarve të jenë të punësuar brenda një viti nga përfundimi i programeve.

Projektbuxheti parashikon gjithashtu 1.2 miliardë lekë për subvencione dhe programe mbështetëse në tregun e punës, përfshirë programet e nxitjes së punësimit dhe Garancinë Rinore, me synimin për të zgjeruar mundësitë e punësimit dhe aftësimit për të rinjtë dhe kategoritë që hasin vështirësi në tregun e punës.

Më poshtë fjala e plotë:

E nderuar drejtuese e komisionit, të nderuar deputetë, deputete, është kënaqësi për mua që të prezantoj projektbuxhetin për vitin 2027, për sa i takon arsimit dhe formimit profesional.

Në fakt, diskutimi i projektbuxhetit është një nga diskutimet më të rëndësishme që ne bëjmë, si brenda qeverisë, ashtu edhe në prezantimet në Parlament, pasi pa diskutim që brenda projektbuxhetit janë të materializuara të gjitha politikat zhvillimore në fusha të ndryshme të mbulimit të sektorëve qeverisës, por në veçanti për ne, për zhvillimin ekonomik dhe aftësimin dhe formimin profesional. Dy tema ngushtësisht të lidhura me njëra-tjetrën.

Përveç të gjithë elementëve të zbatimit të politikave që janë të materializuara në projektbuxhet, sigurisht që viti 2027 është një vit sfidues për qeverinë shqiptare, duke qenë se ne parashikojmë që gjatë këtij viti të përmbyllim të gjithë negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Ndaj dhe në projektbuxhet janë të materializuara edhe detyrimet dhe detyrat që ne kemi, për sa i takon atyre kushteve përmbyllëse që ne duhet të zbatojmë në drejtim të integrimit europian.

Gjithashtu, pjesë e këtij projektbuxheti janë dhe detyrime që qeveria ka, apo Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka në drejtim të Planit të Rritjes dhe reformat e Planit të Rritjes, të cilat janë të parashikuara të përmbyllen në vitin 2027.

Jo vetëm kaq, kjo është një panoramë e përgjithshme, por ne si Ministri e Ekonomisë dhe Inovacionit në këtë projektbuxhet kemi të parashikuara politika të rëndësishme, të cilat, të bashkuara me politikat fiskale të prezantuara nga Ministria e Financave, kanë qëllim rritjen e të ardhurave të pensionistëve, qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës, qëllim uljen e kostove të shpenzimeve për familjet shqiptare, me qëllim adresimin e nevojave të reja që Shqipëria ka dhe familjet e reja kanë në drejtim të strehimit, apo nevojat që të rinjtë dhe të rejat kanë në drejtim të aftësimit për një punësim më të mirë dhe më të denjë.

Në vitet e fundit ekonomia shqiptare është karakterizuar nga një normë rritëse nga 3.5% deri në 4%, ku kemi pasur gjithashtu norma papunësie në rënie, norma punësimi në rritje, çka tregon se ekonomia ka performuar mirë dhe që në krye të herës ne kemi thënë dhe vijojmë t’i mbetemi qëndrimit që rritja ekonomike duhet të përkthehet në mirëqenie më të madhe për qytetarët, në më shumë mundësi investimi për bizneset.

Rritja e investimit për bizneset është ngushtësisht e lidhur me formimin dhe aftësimin profesional, pasi sado që të krijohen kushte që të kenë më shumë investime, të ketë më shumë kërkesë dhe më shumë aktivitet në sektorin privat, nëse këto kushte nuk vijnë të shoqëruara me aftësi, të cilat janë të nevojshme për të zhvilluar këto aktivitete, atëherë do të ketë një ngërç.

Ndaj dhe për ne formimi dhe aftësimi profesional janë dy elementë kyç të këtij projektbuxheti, por edhe të politikave tona zhvillimore për zhvillimin ekonomik të vendit.

Në vitin 2027, në tërësi Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit ka një projektbuxhet prej 42.01 miliardë lekësh, në rritje me 940 milionë lekë ose 2,3% në krahasim me projektbuxhetin e vitit 2026, i cili ishte 41.07 miliardë lekë. Nga ky financim, 39.65 miliardë lekë janë shpenzime korrente dhe 2.37 miliardë lekë janë investime kapitale, nga të cilat 1.72 miliard lekë janë financim i brendshëm dhe 653 milionë lekë janë financim i huaj.

Buxheti është shpërdarë në disa shtylla kryesore që mbulojnë politikat e sigurimeve shoqërore. Sigurisht që rreth 70% e këtij buxheti i dedikohet politikave të sigurimeve shoqërore, tregut të punës, strehimit, zhvillimet ekonomikë, inovacionit, mbikëqyrjes së tregut, inspektimet në punë dhe sigurisht administrimit të ministrisë.

Unë nuk do të ndalem tek ato shtylla që nuk i përkasin këtij Komisioni dhe do të përqëndrohem tek formimi dhe aftësimi profesional dhe gjithashtu tregu i punës, duke qenë se sot paraqesim projektbuxhetin në këtë Komision.

Sigurisht, siç e thashë, zhvillimi i sektorëve ekonomik, investimet në teknologji, zgjerimi i aktivitetit të sipërmarrjeve kanë nevojë për aktësi dhe profesione të reja. Për këtë arsye, forcimi i lidhjes nëpërmjet arsimit profesional, qendrave të formimit dhe sipërmarrjes është në qendër të politikave tona, me synimin që të rinjtë të përgatiten për profesione që kërkohen nga tregu dhe bizneset të kenë akses në fuqi punëtore të kualifikuar që i nevojitet.

Për këtë arsye, projektbuxheti i vitit 2027 parashikon 8.9 miliardë lekë për arsimin profesional dhe tregun e punës, nga të cilat 5.07 miliardë lekë janë për arsimin e mesëm profesional dhe 3.83 miliardë lekë janë për tregun e punës. Këto dy programe financojnë një proces të lidhur nga përgatitja e të rinjve në shkolla profesionale, te aftësimi, rikualifikimi i punëkërkuesve, deri te ndërmjetësimi dhe mbështetja për punësimin e tyre.

Aftësimi profesional

Aktualisht në Shqipëri funksionojnë 31 shkolla profesionale publike, të cilat u shërbejnë 16.000 studentëve. Në vitin 2027, neve synojmë që numri i studentëve të arrijë 16.200, ndërsa pjesëmarrja e arsimit profesional të përfaqësojë 19% të nxënësve të arsimit të mesëm.

Për ta mbështetur këtë sistem, siç thashë, kemi një buxhet të parashikuar prej 5.07 miliardë lekësh, i cili financon funksionimin e shkollave, personelin mësimor, mbështetjen e nxënësve dhe investimet në infrastrukturë. Nga ky buxhet, 2.4 miliardë lekë janë për pak të personelit. 411 milion lekë janë për sigurimet shoqërore, 507 milionë lekë për shpenzimet e funksionimit dhe shërbimet.

Një vëmendje të veçantë kemi kushtuar mbështetjes së drejtpërdrejtë të nxënësve, duke parashikuar 457.4 milionë lekë për bursat e tyre dhe 24 milionë lekë për subvencionimin e teksteve mësimore. Këto instrumente kanë rëndësi për familjet, veçanërisht për nxënësit që vijnë nga zona rurale ose që duhet të zhvendosen për të ndjekur shkollat profesionale.

Në këtë drejtim, për vitin 2027 synojmë që pjesëmarrja e nxënësve nga zonat rurale të arrijë 52.5%, duke zgjeruar mundësinë për arsimim dhe kualifikim profesional në këto zona.

Një pjesë e konsiderueshme e financimit është orientuar drejt investimeve. Për vitin 2027 janë parashikuar rreth 1.22 miliard lekë për investime kapitale, nga të cilat 742 milionë lekë financim i brendshëm dhe 480 milionë lekë financim i huaj.

Këto investime do të mbështesin rikonstruksionin dhe modernizimin e shkollave profesionale, përmirësimin e laboratorëve, reparteve dhe ambienteve ku nxënësit zhvillojnë praktikat profesionale.

Ndër projektet e planifikuara përfshihen shkolla “Karl Gega” në Tiranë, shkolla industriale “Pavarësia” në Vlorë, Shkolla Teknike në Korçë, shkolla “Hasan Gina” në Lushnjë, “Bajram Curri” në Kukës, “Enver Qiraxhi” në Pogradec, si dhe shkollat “Arben Broci” dhe “Hamdi Bushati” në Shkodër.

Një pjesë e rëndësishme e investimeve në arsimin profesional lidhet dhe me përmirësimin e kushteve të akomodimit të nxënësve. Gjatë vitit 2026, në kuadër të këtij plani, pra për përmirësimin e kushteve të konflikte, janë alokuar 1.09 miliard lekë për investime kapitale dhe janë përfshirë ndërhyrje për ndërtime dhe rikonstruksionin e shkollave profesionale me reparte të praktikës dhe konvikte.

Për 27-ën ne edhe vijojmë investimet në infrastrukturën e arsimit profesional me 741.8 milionë lekë financim të brendshëm, duke synuar përmirësimin e kushteve të mësimit dhe zgjerimin e aksesit për nxënësit në të gjitha shkollat e vendit.

Krahasuar me fazën e dytë të projektbuxhetit dhe kemi përfshirë 200 milionë lekë financim shtesë për arsimin profesional, ë për të cilave 100 milionë lekë do të shkojmë për paga dhe sigurime dhe 100 milionë lekë për investime.

Një fushë e rëndësishme dhe një drejtim i rëndësishëm ku ne jemi fokusuar në vitet e fundit është dhe arsimi dual dhe lidhja me biznesin.

Zhvillimi i arsimit dual ndërthur mësimin në shkollë me praktikën në ndërmarrje. Ky model krijon mundësinë nxënësve të mësojnë profesionin në kushte reale pune dhe i jep bizneseve një rol më aktiv në përgatitjen e punonjësve për të ardhmen.

Gjatë vitit shkollor 2024-2025, në kualifikimet duale ish përfshirë 260 nxënës. Ndërsa në vitin shkollor 2025-2026, ky numër arriti në 400 nxënës, me një rritje prej 39%.

Për të mbështetur zgjerimin e këtij modeli, në vitin 2027 parashikohet shtimi i 38 mësuesve për arsimin dual, si dhe i 40 oficerëve të sigurisë, duke e çuar në 78 punën e punonjësve shtesë të planifikuar në të gjithë sistemin.

Në të njëjtën kohë, po vijojmë punën për përditësimin e kurrikulave, standarteve profesionale dhe kualifikimeve, me qëllim ofertë që oferta e aftësimit dhe arsimit profesional të përgjigjet më mirë kërkesave të ekonomisë. Synimi është të rrit të përfundojnë arsimin profesional dhe të kenë mundësi konkrete punësime.

Dhe për këtë arsye, ne në 2027-n kemi vendosur objektiv që 68% e të diplomuarve ose të çertifikuarve të jenë të punësuar brenda një viti pas përfundimit të programeve. Ky është një tregues i rëndësishëm sepse na lejon të vlerësojmë rezultatet e sistemit në lidhje me tregun e punës dhe jo thjesht me numrat e nxënësve që ndjekin arsimin profesional.

Krahas arsimit profesional në shkolla, ka një rëndësi të veçantë dhe formimi profesional i të rriturve dhe i punëkërkuesve të papunit. Ndryshimet teknologjike dhe zhvillimi i profesioneve të reja kërkojnë që qytetarët të kenë mundësi të përditësojnë aftësitë e tyre edhe pas përfundimit të arsimit.

Përmes qendrave të formimit profesional vijojmë të ofrojmë kurse dhe programe që synojnë aftësimin dhe rikualifikimin e punëkërkuesve.

Sipas të dhënave të AKPA-s janë trajtuar gjithsej 13.464 të punëkërkues të papunë gjatë vitit 2026.

Për vitin 2027 synojmë të forcojmë lidhjet nëpërmjet kurseve profesionale dhe kërkesave konkrete të punëdhënësve, duke orientuar ofertën drejt profesioneve me mundësi reale punësimi.

Një pjesë e rëndësishme e kësaj politike lidhet dhe me investimet në infrastrukturën e formimit profesional.

Në tregun e punës, në vitin 2027 janë parashikuar 218 milionë lekë investime kapitale për përmirësimin e qendrave të formimit profesional dhe të shërbimeve publike të punësimit.

Nga këto fonde, 80 milionë lekë janë planifikuar për qendrën multifunksionale “Hermann Gmainer” në Tiranë, pjesë e një projekti katërvjeçar me vlerë totale 400 milionë lekë. Ky investim synon krijimin e kapaciteteve për rreth 200 pranime të reja në vit, si dhe zhvillimin e ambienteve moderne për mësim, praktikë dhe aftësim teknik e digjital.

Gjithashtu, janë parashikuar 45.8 milionë lekë për vijimin e investimit në Kampusin e Qendrës së Formimit Profesional, 10 milionë lekë për kabinet e kurseve, 10 milionë lekë për pajisjet kompjuterike dhe elektronike, si dhe fonde për rikonstruksione dhe projekte të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Në fushën e aftësive digjitale, buxheti i parashikuar për AKPA-n parashikon dhe zgjerimin e programit të kodimit me 400 përfitues të synuar dhe financimin dhe financim të propozuar prej 100 milionë lekësh, i cili duhet të rakordohet dhe të detajohet sipas programeve që ndjekim.

Investimet në arsimin profesional duhet të shoqërohen me politika që lehtësojnë hyrjen e qytetarëve në tregun e punës dhe për këtë arsye tregu i punës në vitin 2027 financohet me 3.83 miliardë lekë, duke mbështetur shërbimet e punësimit, formimin profesional, programet e nxitjes, garancinë rinore dhe pagesën e papunësisë.

Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, shkalla e papunësisë ishte 8,3%, krahasuar me 8,6% në të njëjtën periudhë të një viti të mëparshëm, ndërsa shkalla e punësimit për grupmoshën 15-64 vjeç arriti në 69,1%.

Megjithatë, përmirësimi i këtyre treguesve nuk e zgjidh plotësisht problemin e mospërputhjes ndërmjet aftësive dhe kërkesave të tregut të punës.

Për këtë arsye, politikat aktive të punësimit synojnë të mbështesin veçanërisht të rinjtë, gratë, personat me aftësi të kufizuara dhe kategoritë që përballen me vështirësi për t’u integruar në tregun e punës.

Në vitin 2027, brenda programit kemi parashikuar 1.2 miliard lekë për subvencione dhe programe mbështetëse. Nga kjo shumë, 590 milionë lekë janë për programet e nxitjes së punësimit, 400 milionë lekë janë për masat e planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor të mbështetura pra për të arritur rezultatet, 130 milionë lekë për garancinë rinore dhe 80 milionë lekë për mbështetjen e kursantëve në formimin profesional.

Këto programe mbështesin subvencionimin e punësimit, praktikat profesionale, mbështetjen për vetëpunësim dhe instrumente të tjera që lehtësojnë hyrjen ose rikthimin e qytetarëve në tregun e punës.

Në vitin 2027 ne parashikojmë 3600 pjesëmarrës në programet e nxitjes së punësimit dhe garancisë rinore, nga të cilët 3091 në programet e nxitjes punësimit dhe 509 në programet e garancisë rinore. Po ashtu, synohet mbështetja për ndërmjetësim dhe punësim e punëkërkuesve me aftësi të kufizuara.

Një instrument i rëndësishëm, siç paraqita më parë, është garancia rinore, e cila është mbështetur nga Bashkimi Europian dhe synon të mbështesë të rinjtë nën 30 vjeç që nuk janë në punë, arsim apo formim profesional.

Përmes këtij programi synojmë që të rinjtë të marrin brenda katër muajve një ofertë për punësim, aftësim, praktikë ose trajnim.

Pas pilotimit në Tiranë, Shkodër, Vlorë, gjatë tremujorit të tretë të vitit 2026 ka nisur shtrirja kombëtare e garancisë rinore.

Gjatë fazës pilot janë dhënë 3621 oferta për punësim, arsim, praktikë ose formim dhe janë 3355 dalje pozitive nga skema, kryesisht në punësim.

Garancia rinore është lidhur drejtpërdrejtë me politikat e arsimit dhe të formimit profesional, sepse u krijon të rinjve mundësi për të zhvilluar, për të zhvilluar aftësinë e tyre, për të fituar përvojën dhe për t’u përgatitur për punësim.

Një tjetër drejtim i punës sonë është përmirësimi e shërbimeve publike dhe bashkëpunimit me biznesin.

Përmes AKPA dhe zyrave të punës, ne deri në shtator të vitit 2026 kemi punësuar 18.390 persona, ndërsa 15.320 biznese kanë përfituar nga shërbimet e Agjencisë.

Në mbyllje, unë dua të theksoj dhe dy elementë të cilët nuk janë të përfshirë në programin e aftësimit dhe punësimit.

I pari është një fond prej 120 milionë lekësh, i cili është elokuar në programin e inovacionit, por që shkon për të ndërtuar qendrën “TUMO” në Kamëz.

Ne synojmë që gjatë viteve në vijim ta shpërndajmë qendrën “TUMO”, që i dedikohet aftësimit të aftësive dighitale për të rinjtë dhe të rejat në disa qytete të vendit dhe në buxhetin e vitit 2027 kemi parashikuar financimin e qendrës “TUMO” në Kamëz, por synojmë që të përhapet në qarqet kryesore të Shqipërisë në shtatë vitet në vijim.

Ndërsa për përsimin e infrastrukturës i konvikteve është një fond i vënë në dispozicion prej rreth 700 milionë lekësh pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili synon që të përmirësojë infrastrukturën e konvikteve në 11 konfliktet të vendit.

Këto janë paraqitjet kryesore që ne kishim për sa i përket formimit dhe aftësimit profesional dhe një paraqitje dhe rezultateve në fakt të arritura, të cilat janë të rëndësishme për tu theksuar.

Shumë faleminderit.

FOTO ALBUM