Ministry of Economy and Innovation

Nën kujdesin e Kryeministri Edi Rama dhe Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, nisi edicioni i dytë ndërkombëtar “MatchMaker Albania 2026”, platforma më e madhe në vend për lidhjen e investitorëve ndërkombëtarë me projekte konkrete zhvillimi, organizuar nga Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA).

Me mbi 1,000 pjesëmarrës nga më shumë se 40 vende dhe mbi 500 investitorë, kompani dhe folës ndërkombëtarë, ky edicion i dytë konfirmoi rritjen e interesit global për Shqipërinë si një destinacion në zhvillim për investime.

Në fjalën e saj, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, theksoi se “MatchMaker Albania” është tashmë një platformë e konsoliduar për dialog ekonomik dhe bashkëpunim ndërkombëtar, duke lidhur drejtpërdrejt investitorët me sektorët prioritarë të zhvillimit.

Ministrja nënvizoi se struktura e këtij viti, e organizuar rreth katër shtyllave strategjike, zhvillimi urban dhe turizmi, bujqësia moderne, ekonomia digjitale dhe energjia, e orienton konferencën drejt rezultateve konkrete dhe investimeve të zbatueshme.

Ministrja Ibrahimaj evidentoi se Shqipëria paraqitet sot si një destinacion në rritje për investime, i mbështetur nga tregues të qëndrueshëm ekonomikë.

“Flukset e Investimeve të Huaja Direkte kanë arritur në rreth 1.64 miliardë euro, ndërsa stoku total ka arritur në rreth 17 miliardë euro, duke reflektuar rritjen e besimit të investitorëve. Në të njëjtën kohë, Prodhimi i Brendshëm Bruto është dyfishuar në dekadën e fundit, duke arritur mbi 26.7 miliardë euro në vitin 2025, ndërsa investimet

strategjike kanë tejkaluar 6 miliardë euro dhe kanë gjeneruar dhjetëra mijëra vende pune”, deklaroi Ibrahimaj.

Ajo theksoi se ky transformim mbështetet në përmirësimin e klimës së biznesit, në avancimin e digjitalizimit dhe në stabilitetin makroekonomik.

“Sot, mbi 1,200 shërbime publike ofrohen online, duke gjeneruar rreth 620 milionë euro kursime dhe duke reduktuar ndjeshëm kohën dhe kostot për qytetarët dhe bizneset, ndërsa borxhi publik është ulur në rreth 53% të PBB-së, duke garantuar një mjedis të qëndrueshëm për investime”, shtoi Ministrja.

Në këtë kontekst, tha ajo, Shqipëria ofron një paketë konkurruese fiskale për investitorët, veçanërisht në zonat e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik dhe në parqet e inovacionit.

Ministrja nënvizoi se këto zona ofrojnë tatim 0% mbi fitimin për aktivitetet inovative për një periudhë deri në 15 vite, përjashtime nga TVSH për pajisje dhe shërbime, si dhe përjashtime nga taksat e infrastrukturës dhe pronës për periudha të gjata.

Duke u ndalur te sektorët prioritarë, ministrja theksoi se turizmi dhe zhvillimi urban përfaqësojnë një nga potencialet më të mëdha të vendit, me mbi 12 milionë vizitorë të huaj në vit, çka krijon hapësira të konsiderueshme për investime në infrastrukturë dhe shërbime.

Paralelisht, tha Ministrja, energjia, bujqësia dhe ekonomia digjitale mbeten sektorë kyç për rritjen afatgjatë, ku Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë interes ndërkombëtar.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se Shqipëria është e gatshme për partneritete afatgjata dhe investime strategjike, duke e konsideruar këtë moment si një mundësi konkrete për të kthyer interesin në projekte dhe për të forcuar më tej pozicionin e vendit në ekonominë rajonale dhe globale.

Në “MatchMaker Albania 2026” do të zhvillohen përmes takimeve B2B dhe B2G, prezantimeve të projekteve dhe ndërveprimit të drejtpërdrejtë me institucionet, duke krijuar kushte konkrete për ndërtimin e partneriteteve të reja.

Prania e institucioneve financiare ndërkombëtare si Banka Botërore, IFC, BERZH dhe KfW e forcojne më tej këtë platformë, duke ofruar mundësi konkrete financimi dhe mbështetje për zhvillimin e projekteve.

FOTO ALBUM