Ministry of Economy and Innovation

Në mbështetje të Ligjit nr. 9901, datë 14.04.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 570, datë 03.10.2018, “Për Këshillat Mbikëqyrës të Shoqërive Aksionare Shtetërore”, të ndryshuar, Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 621, datë 10.10.2024, “Për miratimin e dokumentit të politikës ‘Agjenda Kombëtare e Reformave 2024–2027’, në kuadër të instrumentit të Bashkimit Evropian ‘Faciliteti për Reforma dhe Rritje për Ballkanin Perëndimor’” dhe Urdhrit nr.60, datë 18.11.2025 “Për ngritjen e komisionit të vlerësimit të kandidatëve për Këshillat Mbikëqyrës të shoqërive tregtare shtetërore”, shpallet vendi vakant në Këshillin Mbikëqyrës për shoqërinë “Operatori i Sistemit të Transmetimit” sh.a., Tiranë (1 vend).

Kriteret e pjesëmarrjes

Kandidatët duhet të përmbushin kriteret e mëposhtme:

  • Të zotërojnë diplomë të nivelit “Master i Shkencave” ose “Master Profesional” në shkenca juridike, ekonomike, financiare ose fusha të lidhura me veprimtarinë e shoqërisë;
  • Të kenë njohuri për legjislacionin në fushën e tregtarëve dhe shoqërive tregtare, si dhe në fushën e veprimtarisë së shoqërisë përkatëse;
  • Të mos jenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale;
  • Të mos kenë konflikt interesi, në kuptim të ligjit nr. 9367, datë 07.04.2005, “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, të ndryshuar;
  • Të mos jenë funksionarë politikë të liruar nga detyra gjatë dy (2) viteve të fundit.
  • Të gëzojnë zotësi të plotë për të vepruar, sipas legjislacionit në fuqi.

Dokumentacioni që duhet dorëzuar:

  1. Kërkesë zyrtare për aplikim, e firmosur nga kandidati;
  2. Jetëshkrim (CV);
  3. Kopje të diplomës së studimeve universitare dhe pasuniversitare;
  4. Vërtetim gjyqësor që dëshmon se kandidati nuk është dënuar për vepra penale;
  5. Deklaratë për mungesë konflikti interesi, sipas modelit të miratuar;
  6. Kopje të kartës së identitetit;
  7. Çdo dokument, certifikatë apo publikim profesional që mbështet kualifikimet e kandidatit.

Afati dhe mënyra e aplikimit:

  • Afati për dorëzimin e aplikimeve është data 06.01.2026.
  • Dokumentacioni dorëzohet fizikisht pranë Zyrës së Protokollit të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, në adresën: Blv. “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 3, Tiranë.