Ministry of Economy and Innovation

Nën drejtimin e zëvendësministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani, u zhvillua sesioni i dytë i konsultimit me palët e interesit për prezantimin e Planit Kombëtar të Veprimit për Transparencën dhe Proporcionalitetin e Kritereve për Ushtrimin e Profesioneve të Rregulluara, me fokus sektorët e shëndetësisë, kujdesit social, arsimit, veterinarisë, turizmit, sportit dhe kulturës.

Takimi u organizua në kuadër të Platformës së Partneritetit për Integrimin Evropian (PPIE) dhe procesit të përafrimit të legjislacionit shqiptar me acquis të Bashkimit Evropian, në funksion të përmbushjes së detyrimeve që lidhen me Kapitullin 3 “E drejta e vendosjes dhe liria për të ofruar shërbime”.

Gjatë takimit u prezantuan gjetjet kryesore të analizës sektoriale dhe masat e parashikuara në Planin Kombëtar të Veprimit, i cili synon rritjen e transparencës, garantimin e proporcionalitetit të kritereve për aksesin dhe ushtrimin e profesioneve të rregulluara, si dhe lehtësimin e njohjes së kualifikimeve profesionale në përputhje me standardet evropiane.

Diskutimet evidentuan nevojën për përmirësimin e procedurave të njohjes së kualifikimeve profesionale, standardizimin e praktikave ndërmjet institucioneve përgjegjëse, rritjen e transparencës së procedurave administrative dhe forcimin e koordinimit ndërinstitucional.

Po ashtu, u theksua rëndësia e krijimit të një regjistri kombëtar të profesioneve të rregulluara dhe avancimi i digjitalizimit të shërbimeve për qytetarët dhe profesionistët.

Pjesëmarrësit, që përfaqësonin institucione publike, autoritete rregullatore, organizata profesionale dhe partnerë ndërkombëtarë, kontribuuan me komente dhe rekomandime për përmirësimin e mëtejshëm të dokumentit, të cilat do të reflektohen në versionin përfundimtar të planit.

Në takim morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Shoqatës Veterinare Shqiptare, Urdhrit të Mjekëve, Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, EU Integration Support Facility (EUIS), si dhe ekspertë të projektit GIZ/SANECA.

Procesi i konsultimit do të vijojë me reflektimin e komenteve të marra dhe finalizimin e Planit Kombëtar të Veprimit, një instrument i rëndësishëm për forcimin e transparencës, proporcionalitetit dhe funksionimit të tregut të brendshëm, në përputhje me kërkesat dhe standardet e Bashkimit Evropian.

FOTO ALBUM