Ministry of Economy and Innovation

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, zhvilloi sot një konferencë për shtyp, ku prezantoi ecurinë e ekonomisë shqiptare dhe treguesit kryesorë makroekonomikë për tremujorin e parë të vitit 2026.

Gjatë fjalës së saj, ministrja theksoi se ekonomia shqiptare vijon të ruajë ritme të qëndrueshme zhvillimi, me një rritje prej 3,71%, mbi mesataren e vendeve të Ballkanit Perëndimor (3,6%) dhe dukshëm mbi mesataren e Bashkimit Europian (1%).

“Ekonomia shqiptare vazhdon të dëshmojë qëndrueshmëri dhe rezistencë. Treguesit e tremujorit të parë konfirmojnë se rritja mbështetet në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe shoqërohet me stabilitet makroekonomik”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.

Ministrja vuri në dukje se, kontributin kryesor në rritjen ekonomike e dhanë administrata publike, arsimi, shëndetësia, aktivitetet profesionale, ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme.

Ndërtimi u rrit me 3,33%, aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 5%, ndërsa aktivitetet e pasurive të paluajtshme me 8,9%.

Nga ana tjetër, industria u tkurr me 2,17%, e ndikuar kryesisht nga industria nxjerrëse dhe tekstilet, ndërsa industria ushqimore shënoi rritje prej 10,6% dhe sektori i energjisë u rrit me 8,34%.

Ministrja evidentoi se konsumi familjar, që përbën rreth 73% të ekonomisë nga ana e shpenzimeve, u rrit me 3,94%, ndërsa investimet gjithashtu vijuan rritjen me të njëjtin ritëm.

“Rritja e pagave, pensioneve dhe remitancave ka mbështetur fuqinë blerëse të familjeve shqiptare dhe ka nxitur konsumin, duke kontribuar në zgjerimin ekonomik”, tha Ibrahimaj.

Në konferencë u prezantuan edhe treguesit e stabilitetit makroekonomik.

Borxhi publik zbriti në 48,8% të PBB-së, nga 54,1% një vit më parë.

Ministrja deklaroi se Investimet e Huaja Direkte arritën në rreth 400 milionë euro, me një rritje prej 11,9%, ndërsa stoku i tyre u ngjit në 17,4 miliardë euro.

Po ashtu, rezerva valutore arriti në 7,6 miliardë euro, në rritje me 12,5%.

Sa i përket tregut të punës, ministrja Ibrahimaj theksoi se papunësia zbriti në 8,4%, ndërsa paga mesatare arriti në rreth 90 mijë lekë, me një rritje prej 9,6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Paga minimale vijon të mbetet 50 mijë lekë.

Edhe aktiviteti i biznesit paraqiti ecuri pozitive.

Ministrja Ibrahimaj u shpreh se gjatë pesëmujorit të parë të vitit u regjistruan 9 591 biznese të reja, ndërsa qarkullimi i bizneseve u rrit me 9,3%, ose 142,8 miliardë lekë më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Në fushën e tregtisë së jashtme, Ministrja informoi se eksportet e mallrave dhe shërbimeve vijuan rritjen.

“Eksportet totale u rritën me 9,36%, ndërsa eksportet e shërbimeve me 8%.

Eksportet nga udhëtimet arritën në 1 miliard euro, ose 15% më shumë se një vit më parë, ndërsa eksportet e mallrave u rritën me 4,5%”, deklaroi Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj deklaroi se të gjithë treguesit konfirmojnë një ekonomi shqiptare me baza të shëndosha, që vazhdon të tërheqë investime, të krijojë vende pune dhe të ruajë stabilitetin makroekonomik, duke forcuar perspektivën e zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

 

FOTO ALBUM