Ministry of Economy and Innovation

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Eni S.p.A., për realizimin e një studimi fizibiliteti mbi krijimin e kapaciteteve kombëtare për furnizimin dhe magazinimin e produkteve të naftës dhe gazit, në funksion të forcimit të sigurisë së furnizimit, zhvillimit ekonomik dhe rritjes së rolit të Shqipërisë në rajon.

Marrëveshja u nënshkrua, në prani të Kryeministrit Edi Rama, nga ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, si dhe Drejtori Ekzekutiv i Eni S.p.A., Claudio Descalzi.

Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj e cilësoi këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm strategjik që forcon partneritetin mes Shqipërisë dhe Italisë, duke sjellë në vend ekspertizën e një prej kompanive më të mëdha ndërkombëtare në sektorin e energjisë.

Sipas Ibrahimajt, qasja e Qeverisë shqiptare ndaj sektorit energjetik shkon përtej konceptit të sigurisë së furnizimit, duke e konsideruar energjinë dhe tregun e hidrokarbureve si një mundësi reale për zhvillim ekonomik, rritje të konkurrueshmërisë dhe mirëqenie më të lartë për qytetarët.

“Memorandumi që nënshkruam sot shënon fillimin e një procesi të strukturuar për studimin e fizibilitetit të krijimit të kapaciteteve kombëtare për furnizimin dhe magazinimin e produkteve të naftës dhe gazit. Ky projekt do të kontribuojë në forcimin e sigurisë energjetike të vendit, rritjen e kapaciteteve të magazinimit dhe menaxhimit të produkteve energjetike, si dhe në krijimin e mundësive të reja për zhvillim ekonomik”, u shpreh ministrja.

Ajo theksoi se, përmes bashkëpunimit me Eni S.p.A., do të kryhen analiza të plota teknike, ekonomike, financiare, ligjore dhe rregullatore, me synimin për të ndërtuar një model të qëndrueshëm që i përgjigjet nevojave të tregut shqiptar dhe standardeve të Bashkimit Evropian.

Ministrja Ibrahimaj nënvizoi se projekti synon gjithashtu ta pozicionojë Shqipërinë si një qendër rajonale për magazinimin, logjistikën dhe tregtimin e produkteve energjetike, duke gjeneruar efekte pozitive në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë, si transporti, portet dhe punësimi.

Memorandumi parashikon zhvillimin e studimeve të fazuara për fizibilitetin teknik, ekonomik, financiar, ligjor dhe rregullator të projektit, vlerësimin e mundësive për furnizimin e tregut shqiptar dhe mbështetjen e stoqeve strategjike kombëtare, si dhe analizimin e mundësive për krijimin e strukturave të përbashkëta të bashkëpunimit për menaxhimin e këtyre kapaciteteve.

Objektivi strategjik i këtij bashkëpunimi është forcimi i sigurisë energjetike të Shqipërisë dhe krijimi i mekanizmave afatgjatë që garantojnë furnizimin e vendit në situata të jashtëzakonshme ose gjatë periudhave të paqëndrueshmërisë në tregjet ndërkombëtare.

 

FOTO ALBUM