Ministry of Economy and Innovation

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, tre projektligje të propozuara, në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Projektligjet janë pjesë e Kapitullit 6 të negociatave me Bashkimin Europian, që lidhet me të drejtën e shoqërive, dhe synojnë harmonizimin e legjislacionit shqiptar me acquis communautaire në këtë fushë.

Konkretisht, u miratuan projektligji “Për statutin e shoqërive europiane”, projektligji “Për shoqëritë europiane të bashkëpunimit” dhe projektligji “Për grupimet ekonomike me interes europian”.

Këto akte krijojnë për herë të parë një kuadër të plotë ligjor të harmonizuar me legjislacionin e Bashkimit Europian dhe i hapin rrugë forcimit të bashkëpunimit mes shoqërive tregtare shqiptare dhe atyre europiane.

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, gjatë deklaratës për mediat, pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave u shpreh se këto ndryshime ligjore janë pjesë e një procesi më të gjerë integrimi dhe barazimi të kushteve për biznesin shqiptar me atë europian.

“Tre projektligjet, shumë të rëndësishme, lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Janë tre projektligje që janë pjesë e Kapitullit 6, i cili lidhet me shoqëritë europiane. Ne kemi një paketë prej nëntë ligjesh që do të garantojnë që shoqëritë tregtare shqiptare të kenë të njëjtat kushte dhe mundësi si shoqëritë europiane”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.

Ibrahimaj shtoi, se kuadri i ri ligjor krijon për herë të parë një bazë të plotë rregullatore të përafruar me standardet europiane.

“Ligji “Për statutin e shoqërive europiane” krijon një kuadër ligjor që më parë nuk ka ekzistuar dhe është në përputhje me legjislacionin europian, duke hapur rrugën për një bashkëpunim më të mirë të shoqërive shqiptare me ato europiane. Ligji i dytë lidhet me shoqëritë europiane të bashkëpunimit, ndërsa i treti me grupimet ekonomike me interes europian”, tha Ibrahimaj.

Ministrja bëri të ditur se, projektligjet pritet të kalojnë për miratim në Kuvend gjatë muajit korrik, në përputhje me kalendarin e dakordësuar me Bashkimin Europian.

Në të njëjtën mbledhje, Këshilli i Ministrave miratoi edhe përfundimin e situatës së veçantë në tregun e hidrokarbureve dhe ndërprerjen e funksionimit të Bordit të Transparencës.

Ministrja Ibrahimaj u shpreh, se vendimi vjen pas stabilizimit të tregut dhe uljes së çmimeve të karburanteve.

“Pas disa muajsh me luhatje të rëndësishme të çmimeve të karburanteve, prej më shumë se dy javësh çmimet kanë ardhur duke u reduktuar dhe tregjet ndërkombëtare janë stabilizuar. Në këtë kontekst, u vlerësua se janë krijuar kushtet për përfundimin e funksionimit të Bordit të Transparencës”, deklaroi ajo.

Sipas ministres, situata gjeopolitike dhe tregu i hidrokarbureve kanë hyrë në një fazë stabiliteti, duke bërë të mundur rikthimin e funksionimit normal të tregut.