Ministry of Economy and Innovation

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot platformën online “Pasqyra e Çmimeve” dhe nismën “KURSE”, të cilat u japin qytetarëve mundësinë të krahasojnë çmimet e produkteve të përditshme dhe të përfitojnë nga uljet e çmimeve për një periudhë tre mujore. Në ceremoninë e prezantimit ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.
Platforma “Pasqyra e Çmimeve” përfshin 238 artikuj, të ndarë në 13 kategori të produkteve që përdoren në shportën e përditshme të familjeve shqiptare. Çmimet mund të kontrollohen në 155 pika shitjeje në të gjithë vendin, përmes pesë rrjeteve të supermarketeve pjesëmarrëse: Spar, Conad, Big Market, Xhangolli dhe Extra Market.

“Ne mendojmë që kjo është një nismë që do t’i shërbejë çdo qytetari, i cili nga telefoni, nga kompjuteri, mund të shohë dhe të verifikojë se cilat janë çmimet më të lira dhe të përzgjedhë se ku do ta bëjë pazarin e vet”, u shpreh ministrja Ibrahimaj.
Përmes platformës, qytetarët mund të krahasojnë çmimet e produkteve që blejnë zakonisht dhe të zgjedhin pikën e shitjes që u leverdis më shumë. Për ta lehtësuar edhe më tej këtë proces, ministrja bëri të ditur se në 10 ditët e ardhshme synohet të krijohet një aplikacion për telefonat celularë, ku përdoruesit do të mund të ruajnë produktet e shportës së tyre dhe vendndodhjen.
Krahas krahasimit të çmimeve, nisma “KURSE” parashikon çmime të fiksuara për 212 produkte deri më 12 janar 2027. Në të janë angazhuar pesë rrjetet e supermarketeve dhe 22 furnitorë, të cilët kanë rënë dakord t’i ofrojnë këto produkte me marzhe minimale fitimi. Sipas të dhënave të prezantuara, ulja mesatare e çmimeve për produktet e përfshira në nismë është 20-22%, ndërsa për disa artikuj arrin deri në 40%.

“Janë gjithsej 212 produkte të cilat do të kenë çmimin e fiksuar, pra për të cilat çmimet nuk do të ndryshojnë. Mesatarisht, të gjitha çmimet bien nga çmimet që kanë sot deri më 12 janar me 20-22%, ndërkohë që ka produkte që bien edhe me 40% apo produkte që bien me 10%”, theksoi ministrja.
Një element i rëndësishëm i platformës është që çmimet e publikuara të përputhen me ato që konsumatorët gjejnë në dyqane. Për këtë arsye, sistemet e platformës janë lidhur me sistemet e tregtarëve, me qëllim që çmimet të përditësohen dhe informacioni i publikuar të jetë i saktë. Ibrahimaj u bëri thirrje rrjeteve pjesëmarrëse të tregojnë kujdes në raportimin e çmimeve, duke theksuar se mospërputhjet përbëjnë shkelje të legjislacionit për mbrojtjen e konsumatorit dhe mund të ndëshkohen me gjobë.
“Për ne transparenca për qytetarët është thelbësore, është kryesore dhe është e rëndësishme që besimi që kemi te njëri-tjetri të përcillet në bazë të sa korrektë do të jemi në prezantimin e çmimeve”, u shpreh ministrja.

Përmes dy nismave, qytetarët mund të informohen më mirë për çmimet, të krahasojnë ofertat mes pikave të shitjes dhe të planifikojnë blerjet e tyre, ndërsa “KURSE” u mundëson të përfitojnë nga çmime të fiksuara për një grup produktesh të konsumit të përditshëm.