Ministry of Economy and Innovation

Tiranë, gusht 2026 — Innovation4Albania (I4A), agjencia shtetërore në varësi të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, shpall rezultatet e Programit të Financimit Grant 2026, thirrjes më të madh të këtij programi që nga krijimi i tij. Në përmbushje të angazhimit publik të Qeverisë Shqiptare, fondi i programit u dyfishua nga 300 në 600 milionë lekë, ndërsa numri i startup-eve të mbështetura u rrit nga 81 në vitin 2025, në 163 në vitin 2026. Ky përfaqëson investimin më të madh të bërë deri më sot nga Qeveria Shqiptare për mbështetjen e startup-eve dhe inovacionit, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt forcimit të ekonomisë së bazuar në sipërmarrje dhe teknologji.

Interesi për programin shënoi nivele rekord, me 1.179 aplikime të paraqitura nga startup-e në të gjithë vendin. Rezultatet pasqyrojnë shtrirjen e ekosistemit në nivel kombëtar, me startup-e të financuara nga të gjitha qarqet e vendit. Krahasuar me thirrjen e kaluar, vihet re një rritje e ndjeshme e numrit të
përfituesve nga qytetet jashtë Tiranës, veçanërisht në Vlorë, me 8 startup-e, dhe në Shkodër, me 7. Për herë të parë, qarqet Berat dhe Kukës janë pjesë e hartës së startup-eve të financuara, duke dëshmuar shtrirjen e ekosistemit të startup-eve në të gjithë vendin.Startup-et e mbështetura përfaqësojnë sektorë strategjikë për zhvillimin e ekonomisë shqiptare, nga Teknologjia e Informacionit dhe Inteligjenca Artificiale (AI), te Mjedisi, Energjia, Agribiznesi, Turizmi dhe zgjidhjet digjitale.

Programi konfirmon gjithashtu lidhjen me diasporën, me 18 themelues që jetojnë në qytete si Mynihu, San Francisko, Vjena, Londra, Mançesteri dhe Roma, duke sjell ekspertizën e tyre ndërkombëtare, rrjetet profesionale dhe kapitalin e tyre njerëzor.

Për herë të parë, Programi i Financimit Grant 2026 mbështet 8 organizata lehtësuese të ekosistemit, të përzgjedhura mes 40 aplikimeve, për të ofruar mbështetje teknike, rrjetëzim, ekspertizë sektoriale për startup-et në fusha si AI dhe ekonomia e gjjelber dhe digjitale.

Vetëm disa muaj më parë, sipas renditjes më të fundit të StartupBlink, Shqipëria u vlerësua e 4-ta në Evropë për rritjen e ekosistemit të startup-eve, duke u ngjitur 8 vende në renditjen globale (aktualisht #75 në botë) dhe duke shënuar një rritje vjetore prej +71.1%, një nga rritjet më të larta në kontinent dhe e treta më e lartë në botë. Tirana, në veçanti, u ngjit 17 vende në renditjen e qyteteve, me një rritje prej +40.5%, duke u renditur si qyteti i tretë më në rritje në Ballkan.

Lista e plotë e përfituesve, shpërndarja sipas qarqeve dhe të dhënat kryesore të Programit të Financimit Grant 2026 janë publikuar në faqen zyrtare të Startup Albania www.startupalbania.gov.al/ dhe Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit https://ekonomia.gov.al/.

Rreth Programit të Financimit Grant 2026
Programi kombëtar i financimit Grant 2026 mbështetet nga Qeveria Shqiptare përmes Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe zbatohet nga Agjencia Innovation4Albania.