Ministry of Economy and Innovation

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, mori pjesë në CEE Forum 2026, i zhvilluar në Vjenë, ku u organizua një panel i posaçëm nga Banka Kombëtare Tregtare mbi temën: “A është sistemi financiar shqiptar gati për anëtarësimin në Bashkimin Evropian?”

Gjatë panelit u diskutua mbi rolin strategjik të sektorit financiar në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë, forcimin e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së sistemit financiar, si dhe mbi hapat konkretë drejt integrimit në SEPA. Po ashtu, vëmendje e veçantë iu kushtua reformave në fushën e dixhitalizimit, inovacionit dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

Pjesëmarrja në CEE Forum 2026 shërbeu si një mundësi e rëndësishme për forcimin e dialogut me institucionet financiare dhe investitorët ndërkombëtarë, si dhe për prezantimin e prioriteteve ekonomike dhe reformuese të Shqipërisë në kuadër të rrugëtimit drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Pjesë e panelit ishin edhe Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko dhe Drejtoresha ekzekutive e Autoritetit Shqiptar të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Adela Xhemali.

Forumi Rajonal Euromoney mbledh ministra të financave, guvernatorë bankash qendrore, përfaqësues të bankave kryesore, korporata dhe investitorë globalë, duke shërbyer si një platformë kyçe për shkëmbimin e ideve dhe formësimin e drejtimit të financimit dhe investimeve në rajonin e Evropës Qendrore dhe Lindore.

FOTO ALBUM