Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Martin Kajo është Zëvendësministër i Ekonomisë dhe Inovacionit, me një përvojë të gjerë profesionale në hartimin e politikave ekonomike, inovacion, transformim digjital dhe menaxhimin e projekteve strategjike në administratën publike.

Para emërimit në detyrën e Zëvendësministrit, z. Kajo ka shërbyer si Drejtor i Kabinetit në Ministrinë e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit dhe në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë. Gjithashtu, ai ka drejtuar Zyrën e Menaxhimit të Projekteve për krijimin e Bankës Shqiptare të Zhvillimit, duke luajtur një rol kyç në koordinimin e nismave komplekse ndërinstitucionale me rëndësi strategjike kombëtare.

Përveç angazhimit të tij në sektorin publik, z. Kajo sjell një përvojë të konsiderueshme në sektorin privat, veçanërisht në menaxhimin operacional dhe financiar të ndërmarrjeve, duke kontribuar me një qasje të orientuar drejt rezultateve dhe efikasitetit në hartimin dhe zbatimin e politikave publike.

Z. Kajo është diplomuar në të drejtë tregtare në Universitetin e Milanos dhe mban titullin Avokat. Ai flet rrjedhshëm shqip, anglisht dhe italisht.