Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë në aktivitetin për Programin e Vetëpunësimit, ornanizuar nga AKPA, ku theksoi, se takimet me të rinjtë përbëjnë një nga pjesët më të vlefshme të punës së saj, veçanërisht kur dëgjon histori reale që nisin nga një ide e thjeshtë dhe kthehen në iniciativa konkrete dhe të qëndrueshme.

Sipas Ministres, shumë prej të rinjve kanë bërë një zgjedhje të rëndësishme duke vendosur të ndërtojnë diçka të tyren, një hap që kërkon guxim dhe përkushtim. Programi i Vetëpunësimit është ndërtuar pikërisht për të mbështetur këtë fazë fillestare, kur ideja shndërrohet në plan dhe më pas në punë të përditshme.

Ministrja bëri të ditur, se këtë vit programi ka shënuar interesin më të lartë ndër vite, ku 233 aplikantë janë shpallur përfitues. Ndërkohë që nga fillimi i programit, kanë përfituar 670 persona. Pas çdo shifre qëndron një histori personale, një përpjekje konkrete dhe shumë orë pune.

Ajo tha, se shumica e përfituesve janë të rinj, çka tregon se vetëpunësimi po shihet gjithnjë e më shumë si një rrugë reale për ndërtimin e karrierës. Në këtë kuadër, Garancia Rinore vijon të jetë një shtyllë e rëndësishme mbështetëse, duke mbështetur vetëpunësimin për të dytin vit radhazi. Për tre vitet e ardhshme, mbi 500 të rinj do të përfitojnë mbështetje të dedikuar.

Ibrahimaj nënvizoi se mbështetja institucionale nuk do të kufizohet vetëm në fazën e nisjes, por do të shtrihet edhe gjatë rritjes dhe zgjerimit të aktiviteteve, duke përmirësuar politikat bazuar në përvojën reale të të rinjve.

Në përmbyllje të këtij aktiviteti , Ministrja ftoi të rinjtë të ndajnë historitë e tyre me bashkëmoshatarë të tjerë, duke theksuar, se shembulli personal shpesh shërben si shtysa më e fortë për të hedhur hapin e parë drejt sipërmarrjes.