Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Ibrahimaj: Eksportet dhe prodhimi vendas, në qendër të modelit të ri të zhvillimit ekonomik

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në prani të Kryeministrit Edi Rama, mori pjesë në konferencën “Eksport On”, ku prezantoi vizionin dhe politikat e qeverisë për nxitjen e eksporteve dhe forcimin e prodhimit vendas, si shtylla kyçe të modelit të ri të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë.

Në fjalën e saj, Ministrja theksoi se ekonomia shqiptare ka shënuar përmirësime të qëndrueshme vitet e fundit, me rritje të prodhimit të brendshëm bruto, investimeve, punësimit dhe pagave, duke reflektuar një klimë pozitive për biznesin dhe sektorin privat. Megjithatë, ajo vuri në dukje nevojën për transformimin e strukturës ekonomike, duke kaluar nga një ekonomi e mbështetur kryesisht në shërbime dhe konsum vendas, drejt një modeli të bazuar në investime, eksporte dhe rritje të produktivitetit.

Ministrja Ibrahimaj nënvizoi se, pavarësisht rritjes së eksporteve shqiptare në vitet e fundit, struktura e tyre dominohet nga shërbimet, ndërsa eksportet e mallrave kanë nevojë për mbështetje më të fortë, për shkak të lidhjes së drejtpërdrejtë me kapacitetin prodhues dhe industrializimin e vendit. Në këtë kuadër, ministrja bëri të ditur, se gjatë vitit 2026 do të miratohet një politikë e re industriale për nxitjen e prodhimit vendas.

Fokusi i fjalës së ministres ishte Programi për Nxitjen e Eksporteve, i miratuar në dhjetor të vitit të kaluar, i cili mbështetet në katër shtylla kryesore: ndërgjegjësimin dhe promovimin, thjeshtimin dhe digjitalizimin e procedurave, harmonizimin e standardeve me Bashkimin Europian dhe instrumentet financiare.

Në këtë kuadër, ajo vlerësoi rolin e AIDA-s dhe platformës Eksport On në rritjen e ndërgjegjësimit dhe informimit të bizneseve, si dhe njoftoi se gjatë këtij viti do të miratohet ligji për “Made in Albania”, i cili synon ndërtimin dhe promovimin e markës kombëtare, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Ministrja theksoi gjithashtu rëndësinë e digjitalizimit të procedurave tregtare, përmes çeljes së dritares së vetme unike për eksportuesit dhe zbatimit të projekteve të Bankës Botërore për lehtësimin e tregtisë. Ajo njoftoi se do të lançohet së shpejti edhe programi kombëtar për mbështetjen e biznesit në procesin e integrimit europian, me fokus në rritjen e kapaciteteve dhe financimin për arritjen e standardeve.

Një rol kyç në mbështetjen e eksporteve do të luajë edhe Banka e Zhvillimit, e cila do të shërbejë si instrument për financimin, modernizimin e industrisë dhe sigurimin e eksporteve, duke ulur kostot dhe riskun për bizneset shqiptare.

Në përfundim, Ministrja Ibrahimaj theksoi rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm me biznesin dhe garantoi se shqetësimet e tyre do të përkthehen në politika konkrete mbështetëse, me synimin që bizneset shqiptare të jenë më konkurruese dhe të përfitojnë nga aksesimi i tregut të përbashkët europian.

Fjala e plotë e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj:

Përshëndetje të gjithëve, shumë faleminderit.

Në fakt, Kryeministri e mbylli fjalën duke thënë se ne do të shtjellojmë më në detaje të gjithë ata elementë që mbetën pa u përmendur. Unë mendoj se u përmendën mjaft mirë të gjithë komponentët që do të jenë pjesë e diskutimeve të platformës “Eksport On”, që nga nevojat, mbështetja, planet dhe projektet që ne kemi. Megjithatë, do të mundohem të jem më shterruese.

Në vijim të fjalës sime, do të doja, në radhë të parë, të falënderoja AIDA-n për idenë, për organizimin e aktivitetit dhe për çeljen e platformës Eksport On. Por, mbi të gjitha, do të doja ta uroja, pasi ky event vjen edhe në kuadër të 15-vjetorit të krijimit të agjencisë. Më vjen mirë që AIDA tashmë është një institucion i konsoliduar, një institucion që është në mbështetje të biznesit shqiptar, të investimeve shqiptare, qofshin ato vendase apo të huaja, në promovimin e eksporteve dhe në lidhjen e kompanive shqiptare me tregjet ndërkombëtare eksportuese.

Në të vërtetë, ekonomia shqiptare në vitet e fundit ka ardhur në përmirësim. Ne kemi pasur një rritje të qëndrueshme të prodhimit të brendshëm bruto, rritje të qëndrueshme të investimeve, të numrit të bizneseve, të punësimit dhe të pagave. Të gjithë këta janë tregues të një klime biznesi që ka nxitur sektorin privat dhe ekonominë vendase.

Nga ana tjetër, nëse shohim strukturën e ekonomisë, ne vijojmë të mbetemi kryesisht një ekonomi e mbështetur në shërbime dhe në konsum vendas. Ne duam ta ndryshojmë modelin e zhvillimit të ekonomisë shqiptare. Duam të krijojmë potencial dhe të mbështesim një ekonomi që bazohet në investime, në eksporte dhe, mbi të gjitha, që shërben për rritjen e produktivitetit.

Po si do ta bëjmë këtë? Si është struktura e eksporteve sot? Në të vërtetë, eksportet shqiptare janë rritur në pesë vitet e fundit, por kemi parë një zhvendosje të strukturës. 85% e eksporteve përbëhen nga shërbimet, ku turizmi, siç e njihni dhe e ndjeni, po zë gjithmonë e më shumë peshë. Nga ana tjetër, pesha e eksporteve të mallrave ka ardhur në reduktim. Për hir të së vërtetës, eksportet e mallrave, si në vlerë ashtu edhe në vëllim, janë rritur në pesë vitet e fundit, por shërbimet janë rritur shumë më shpejt se mallrat. Për këtë arsye, ne jemi të kujdesshëm dhe synojmë të hartojmë politika që mbështesin veçanërisht eksportet e mallrave, të lidhura drejtpërdrejt me kapacitetin prodhues dhe industrializimin e vendit.

Për këtë arsye, gjatë vitit të ardhshëm, pra në vitin 2026, do të miratojmë një politikë industriale që do të nxisë prodhimin vendas. Megjithatë, sot nuk do të ndalem në këtë aspekt. Sot dua të flas për një program që ne e kemi miratuar në dhjetor të vitit të kaluar: Programin për Nxitjen e Eksporteve.

Ky program ka ardhur si rrjedhojë e analizave të shumta që kemi bërë, me qëllim identifikimin e sfidave të eksportuesve dhe nevojave që ka ekonomia jonë për t’i nxitur prodhuesit drejt eksportit. Programi është i ndërtuar mbi katër shtylla kryesore.

Shtylla e parë lidhet me ndërgjegjësimin. Aktiviteti që po zhvillojmë sot, platforma Eksport On dhe puna e përditshme e AIDA-s shkojnë pikërisht në këtë drejtim. Ne synojmë të fuqizojmë rolin e AIDA-s si pikë kyçe për nxitjen e eksporteve, por edhe të strukturojmë më mirë diplomacinë ekonomike, përmes një programi që do të lançohet shumë shpejt në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme.

Në kuadër të promovimit të eksporteve, kryeministri përmendi produktin “Made in Albania”. Gjatë këtij viti, ne do të hartojmë dhe miratojmë ligjin për “Made in Albania”, i cili do të ndihmojë ndërtimin e markës, marketingun brenda dhe jashtë vendit, si dhe njohjen dhe mbrojtjen e produktit, duke krijuar standarde në përputhje me ato të Bashkimit Europian.

Komponenti i dytë lidhet me thjeshtimin dhe digjitalizimin e procedurave. Ne kemi pasur që në fillim një vizion të qartë për digjitalizimin e plotë të procedurave dhe, prej disa vitesh, po punojmë me një projekt të Bankës Botërore për lehtësimin e tregtisë, kryesisht në pikat kufitare dhe në doganat shqiptare. Së shpejti do të çelet dritarja e vetme unike, ku të gjithë operatorët shtetërorë dhe bizneset do të kenë një pikë të vetme kontakti, pa qenë nevoja të kalojnë nga institucioni në institucion.

Në vijim, me fazën e dytë të projektit të Bankës Botërore, do të trajtohen edhe tranziti, autoritetet portuale dhe infrastruktura e cilësisë, e domosdoshme për përgatitjen e eksportuesve shqiptarë drejt tregut të përbashkët europian.

Komponenti i tretë lidhet me harmonizimin e standardeve me tregun e përbashkët europian. Brenda tremujorit të parë të vitit do të lançohet programi kombëtar për mbështetjen e biznesit në procesin e integrimit europian, që do të fokusohet në ndërgjegjësim, informim, rritje kapacitetesh dhe financim për arritjen e standardeve dhe nxitjen e eksporteve.

Shtylla e katërt lidhet me instrumentet financiare. Banka e Zhvillimit, ligji i së cilës u miratua vitin e kaluar, do të luajë një rol kyç jo vetëm në financimin dhe modernizimin e industrisë shqiptare, por edhe si agjenci eksporti për sigurimin e eksporteve, duke ulur kostot dhe riskun për eksportuesit. Përmes saj do të shfrytëzohen edhe instrumentet e Bashkimit Europian për nxitjen e prodhimit vendas dhe aksesin e markës “Made in Albania” në tregjet europiane dhe të Ballkanit Perëndimor.

Të gjitha këto nisma synojnë fuqizimin e biznesit shqiptar. Po aq të rëndësishme janë edhe instrumentet e dialogut, të cilat na ndihmojnë të kuptojmë problemet reale të bizneseve dhe t’i përkthejmë ato në politika konkrete mbështetëse. Nëpërmjet AIDA-s dhe strukturave të Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, do të vijojmë të ngremë grupe pune për të identifikuar dhe zgjidhur problematikat.

Gjatë analizës që do të kryejmë këtë vit për eksportet dhe produktin “Made in Albania”, do të përfshijmë edhe një analizë të thelluar të tarifave dhe barrierave jotarifore, të cilat janë thelbësore për nxitjen e prodhimit vendas.

Besoj fort se ky vit duhet të na gjejë të gjithë të angazhuar së bashku, në mënyrë që politikat që do të hartohen në kuadër të anëtarësimit në Bashkimin Europian të mos dëmtojnë tregun shqiptar, por t’i hapin bizneseve shqiptare perspektiva të reja dhe t’i bëjnë më konkurruese në tregun e përbashkët europian.

Shumë faleminderit, Laura, për organizimin e këtij eventi dhe uroj që të kemi një ditë sa më të suksesshme të gjithë së bashku.

 

FOTO ALBUM