Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ishte e pranishme në prezantimin e sistemit elektronik “e-Gjoba Administrative”, një platformë e re që synon unifikimin dhe digjitalizimin e procedurave të administrimit të gjobave administrative nga institucionet publike.

Në aktivitetin e organizuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) dhe Inspektorati i Përgjithshëm Shtetëror, ku ishte i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama, morën pjesë drejtues institucionesh dhe përfaqësues të institucioneve përgjegjëse për zbatimin e ligjit.

Gjatë fjalës së saj, ministrja Ibrahimaj theksoi se sistemi “e-Gjoba Administrative” përbën një tjetër hap në përmbylljen e reformës së inspektimeve, duke vendosur në një platformë të përbashkët informacionin mbi penalitetet dhe procedurat që lidhen me to.

Sistemi përfshin 54 institucione dhe mundëson njoftimin e drejtpërdrejtë të bizneseve dhe qytetarëve përmes e-Albania, telefonit, WhatsApp-it, etj. Përmes tij, subjektet do të kenë akses në informacionin mbi vlerën e gjobës, bazën ligjore, afatet e pagesës dhe të drejtën e ankimit.

Ibrahimaj nënvizoi se informimi në kohë është thelbësor për të garantuar që bizneset të njohin të drejtat dhe detyrimet e tyre, të kenë mundësi të reagojnë brenda afateve ligjore dhe të shmangin pasojat që mund të vijnë nga mungesa e informacionit, përfshirë kamatëvonesat.

Më poshtë fjala e plotë:

Mirmëngjes të gjithëve!

I nderuar zoti Kryeministër,

Është kënaqësi që të jemi sot këtu, me një numër kaq të madh drejtuesish institucionesh, 54 saktësish. Institucione të cilat kanë përgjegjësi ligjore për të monitoruar dhe për të siguruar zbatimin e ligjit në institucione, të cilat deri më sot kanë operuar në mënyrë të pavarur, me të gjitha ato penalitete që ato vendosin. Që në krye të herës, kur filluam reformën e inspektimeve, qëllimi ishte një dhe i vetëm: të rrisim transparencën, të rrisim komunikimin me bizneset në radhë të parë, por në këtë rast edhe me qytetarët, me qëllim që të ketë më shumë parashikueshmëri, me qëllim që të kemi sa më shumë informacion të dhënë. Sistemi i gjobave që lançojmë sot, është një hap më shumë drejt finalizimit të asaj reforme.

Është e rëndësishme që, kur një biznes merr një penalitet, të jetë i informuar jo vetëm mbi penalitetin që merr, por edhe në kohë që ky penalitet është vendosur. Të jetë i informuar në kohë për afatet e ankimimit dhe, sigurisht, të mos e gjejë veten me një penalitet të vendosur pa pasur informacion, i cili mund të gjenerojë edhe kamatëvonesa, por edhe të mos dijë të drejtat dhe detyrimet që ai ka.

Ndaj them që ky sistem që sot prezantohet plotëson kuadrin e reformës së inspektimeve, sepse është e rëndësishme që i gjithë informacioni të jetë i vendosur në një vend, që biznesi të jetë i informuar, që penaliteti, i cili në çdo rast nuk do të vijë pa pasur një lajmërim përpara, pa pasur një këshillim përpara, të vijë në kohën e duhur dhe biznesi të dijë se si mund të ankimohet.

Unë mendoj që ky sistem është jashtëzakonisht i vlefshëm, qoftë për biznesin, qoftë për qytetarin, pasi do të informohen në kohë reale. Mjetet e komunikimit janë nëpërmjet telefonit, nëpërmjet WhatsApp-it. Pra, në momentin që një institucion nga 54 institucionet e listuara do të vendosë një penalitet, çdo qytetar apo biznes do të ketë në telefonin e vet informacionin mbi gjobën që ka marrë, mbi sistemin e ankimimit, mbi detyrimet për afatet e pagesës së penalitetit dhe gjithë bazën ligjore që e rregullon këtë.

Është një hap më tej drejt rritjes së transparencës, është një hap më tej drejt rritjes së konkurrencës dhe një hap më tej drejt përmirësimit të klimës së biznesit.

Ndaj dua të falënderoj shumë Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Agjencinë Sigurimit të Depozitave (ASD) dhe të gjitha institucionet që janë përfshirë, me qëllim uniformizimin e mënyrës se si i vendosim penalitetet dhe rritjen e transparencës për qytetarët dhe bizneset.

Shumë faleminderit!

FOTO ALBUM