Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj prezantoi  në Kuvend projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Polonisë, për sigurimet shoqërore”, teksa theksoi se “ratifikimi i kësaj marrëveshjeje përbën një tjetër hap të rëndësishëm në zgjerimin e rrjetit të mbrojtjes sociale dhe asaj që Shqipëria po ndërton për qytetarët e saj brenda dhe jashtë vendit”.

Në fjalën e saj në Kuvend, Ibrahimaj tha se me këtë marrëveshje, Shqipëria arrin në 21 marrëveshje dypalëshe në fushën e mbrojtjes shoqërore, 10 prej të cilave janë marrëveshje të nënshkruara me shtete anëtare të Bashkimit Europian.

“Këto marrëveshje përfaqësojnë një nga instrumentet më të rëndësishme të politikës sonë sociale dhe një garanci konkrete për qytetarët shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë vendit”, theksoi Ibrahimaj.

Ministrja Ibrahimaj vuri në dukje se përmes tyre, vitet e punës dhe kontributet e paguara gjatë gjithë jetës njihen, mbrohen dhe shndërrohen në të drejta sociale të garantuara.

Sipas saj, marrëveshja krijon bazën ligjore dhe institucionale për koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore ndërmjet dy vendeve, duke garantuar vazhdimësinë e të drejtave sociale për qytetarët që lëvizin ndërmjet Shqipërisë dhe Polonisë.

“Thellimi i bashkëpunimit me Poloninë ka vlerë ekonomike, sociale dhe strategjike, duke kontribuar në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe në afrimin e mëtejshëm mes dy shteteve tona”, shtoi ministrja.

Ministrja Ibrahimaj vuri në dukje se marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve janë zgjeruar ndjeshëm gjatë viteve të fundit.

 

-Fjala  e plotë e Ministres në Kuvend

 

E nderuar zonja drejtuese e seancës,

Të nderuar deputetë, vij përpara jush për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Polonisë për sigurimet shoqërore, i cili është një tjetër akt, është një tjetër marrëveshje e rëndësishme për zgjerimin e rrjetit të mbrojtjes sociale në Shqipëri dhe asaj që Shqipëria po ndërton për qytetarët e saj brenda dhe jashtë vendit.

Me këtë marrëveshje numri i marrëveshjeve të nënshkruara arrin në 21,  10 prej të cilave janë marrëveshje të nënshkruara me vende anëtare të Bashkimit Europian. Këto janë marrëveshje që përfaqësojnë instrumenta të rëndësishme të politikës sonë sociale dhe përfaqësojnë dhe garanci për qytetarët shqiptarë që punojnë dhe jetojnë jashtë shtetit. Përmes tyre vitet e punës dhe kontributet e paguara gjatë jetës njihen, mbrohen dhe shndërrohen në të drejta sociale të garantara. Ky rrjet marrëveshjes pasqyron progresin e Shqipërisë në harmonizimin e sistemit të saj të ,mbrojtjes shoqërore me standartet europiane. dhe forcimin e bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë.

Zhvillimet e viteve të fundit kanë sjellë një rritje të ndjeshme të lëvizjeve të njerëzve të kapitalit të sipërmarrjes. Shqiptarët sot studiojnë, punojnë, ndërtojnë karrierën e tyre në vende të ndryshme të Europës, ndërsa gjithmonë e më shumë qytetarë të huaj, investitorë europianë vendosin të zgjedhin Shqipërinë për të investuar dhe për të jetuar. Ky realitet i ri kërkon instrumenta të cilat garantojnë vazhdueshmërinë e të drejtave sociale të qytetarëve, pavarësisht kufijve shtetëror. Ky është qëllimi kryesor i marrëveshjes që ne kemi përpara. Marrëveshja krijon bazën ligjore dhe institucionale për koordinimin e skemave të sigurimeve shoqërore ndërmjet dy vendeve, duke garantuar vazhdimësinë e të drejtave sociale për qytetarët që lëvizin ndërmjet Shqipërisë dhe Polonisë. Rëndësia e kësaj marrëveshje mbështetet edhe në zhvillimin e marrëveshjeve edhe marrëdhënieve ekonomike, tregtare dhe njerëzore të Shqipërisë dhe Polonisë.

Polonia është një nga ekonomitë e mëdha të Bashkimit Europian, një nga historitë e suksesit të transformimit ekonomik në Europë. Ajo është një partner gjithmonë e një më rëndësishëm për Shqipërinë dhe një vend që ka mbështetur vazhdimisht rrugën tonë europiane. Thellimi i bashkëpunimit me Poloninë ka vlerë ekonomike, sociale dhe strategjike duke forcuar në lidhjen dhe në forcimin e marrëveshjeve midis dy vendeve dhe në afrimin e mëtejshëm të shteteve tona të përbashkëta. Marrëveshjet ekonomike, marrëdhëniet ekonomike mes vendeve janë zgjeruar ndjeshëm gjatë viteve të fundit duke sjellë më shumë investime, më shumë bashkëpunim dhe më shumë lëvizje të njerëzve. Ky zhvillim reflektohet shumë qartë në të gjithë treguesit ekonomik që ne analizojmë.

Ne arritëm të kemi importe nga Polonia 216 milion euro me një rritje prej 9.9% , ndërsa eksportet shqiptare ndaj Polonisë u rritën me 6.3% duke arritur në vlerën 26 milion euro. Në të njëjtën kohë stoku i investimeve polake në Shqipëri arriti 101 milion euro vetëm në tremujorin e tretë të vitit 2025. Sipas të dhënave të Agjensisë Kombëtare të Punësimit në Shqipëri janë gjithsej vetëm në tre vitet e fundit janë regjistruar 260 polakë, të cilët punojnë dhe kanë leje pune në Shqipëri. Nga ana tjetër, të dhënat e regjistrit tregtar kombëtar tregojnë për 137 kompani me kapital polak apo me ortakëri. Prej tyre 116 kompani janë vetëm me kapital të huaj, ndërsa 21 kompani janë me kapital të përbashkët. Këto kompani janë të shpërndara në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe i them këto të dhëna sepse tregohet qartë marrëdhënia ekonomike e Shqipërisë me Poloninë. Ato gjithashtu krijojnë hapësirë më të madhe bashkëpunimi ekonomik dhe investimesh për dy vendet tona.

Po ashtu në Poloni jetojnë rreth 1.000 shqiptarë ku 100 prej tyre janë studentë të cilët janë atje, studiojnë falë marrëveshjeve dhe programeve të shkëmbimit mes universiteteve tona. Pikërisht janë këta qytetarë që përfitojnë drejtpërdrejt nga kjo marrëveshje, sepse sa më shumë rriten investimet, tregtia dhe lëvizshmëria e punës ndërmjet dy vendeve, aq më e madhe bëhet nevoja për instrumente që garantojnë mbrojtjen e të drejtave sociale të qytetarëve tanë. Marrëveshja që po ratifikojmë sot pas miratimit i përgjigjet këtij realiteti ekonomik dhe social duke krijuar një siguri më të madhe për qytetarët. Ajo garanton trajtim të barabartë për personat e punësuar, të vetëpunësuar dhe për familjarët e tyre si dhe siguron ruajtjen e të drejtave të fituara apo në proces fitimi për qytetarët që kanë kontribuar në të dyja vendet.

Në praktikë, marrëveshja krijon një mundësi që periudhat e sigurimit të realizuara në Shqipëri dhe në Poloni të merren në konsideratë së bashku për përfitimin e pensioneve dhe përfitimeve të tjera të sigurimeve shoqërore, duke shmangur humbjen e viteve të sigurimit dhe duke garantuar akses të drejtë në përfitime. Marrëveshja mbulon pensionet e pleqërisë, të invaliditetit, pensionet familjare duke mundësuar njohjen e bashkimit të periudhave.

Siç thashë më sipër, mbulon përfitimet për sëmundje dhe barrëlindje duke siguruar mbrojtje në rast paaftësie të përkohshme për punë apo gjatë periudhës së lindjes apo kujdeset për fëmijën. mbulon përfitimet nga aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, mungon mbulon pagesat e papunësisë dhe mbështetjen financiare për familjarët në rast të humbjes së jetës së personit të siguruar. Për një qytetar shqiptar që ka punuar një pjesë të jetës së tij në Shqipëri dhe një pjesë në Poloni, kjo marrëveshje garanton që kontributet e paguara në të dyja vende të rriten.

Të nderuar deputetë, kjo marrëveshje ka dhe rëndësi strategjike në procesin e integrimit europian në Shqipëri. Ajo është hartuar mbi bazën e parimeve dhe standarteve europiane për koordinimin e sistemeve të sigurimeve shoqërore dhe reflekton praktikat më të mira të Bashkimit Europian në këto fushë. Ajo mbështetet në rregulloret europiane për garantimin e lëvizjes së lirë të punonjësve dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre sociale. Çdo marrëveshje e re e këtij lloji e afron Shqipërinë me standartet europiane dhe forcon kapacitetin institucional për t’u ofruar qytetarëve shërbime moderne dhe të krahasueshme me ata të vendeve të Bashkimit Europian.

Po aq e rëndësishme është dhe përvoja që Shqipëria ka krijuar ndër vite në zbatimin e marrëveshjeve të tilla. Deri më sot Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka trajtuar mbi 18.300 praktika të qytetarëve që kanë përfituar nga marrëveshjet ekzistuese të sigurimeve shoqërore ku 8.000 prej të cilave lidhen me marrëveshjen e firmosur me Italinë e cila pa diskutim është ndër më të rëndësishmet që ne kemi arritur të firmosim në vitet e fundit. Pas çdo praktike që neve analizojmë dhe procesojmë qëndron një qytetar, një familje dhe një e drejtë e garantuar për shtetasit shqiptarë. Dhe kjo është prova më e mirë e vlerës që këto marrëveshje sjellin në jetën e përditshme të njerëzve.

Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes me Italinë, siç e përmenda vitin e kaluar dhe me ratifikimin sot të marrëveshjes me Poloninë, Shqipëria zgjeron rrjetin e mbrojtjes sociale. Ështe një aspekt i rëndësishëm sepse përfitimet e kësaj marrëveshjeje mbështeten mbi parimin kontribues të skemave të sigurimeve shoqërore dhe financohen nga kontributet e paguara gjatë gjithë jetës së punës. Efektet financiare të saj janë afatgjata dhe lidhen drejtpërdrejt me kontributet e siguruara duke garantuar qëndrueshmërinë e skemës dhe mbrojtjen e të drejtave të përfituesve.

Kjo marrëveshje përfaqëson një angazhim konkret të shtetit shqiptar ndaj qytetarëve të saj dhe garanton mbrojtjen e kontributit të tyre, zgjeron hapësirën e mbrojtjeve sociale, mbështet lëvizshmërinë e punës dhe forcon bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Ndaj ju ftoj ta votoni atë.

Ju faleminderit!