Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Ministrja për Ekonominë dhe Inovacionin, Delina Ibrahimaj, prezantoi sot në seancën plenare të Kuvendit projektligjin “Për identifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital”, duke e cilësuar atë një hap të rëndësishëm për modernizimin e ekonomisë shqiptare dhe forcimin e sigurisë në ofrimin e shërbimeve elektronike.

Në fjalën e saj, ministrja Ibrahimaj theksoi se projektligji është thelbësor për zhvillimin e vendit në drejtim të inovacionit, përdorimit të teknologjisë së informacionit dhe rritjes së eficiencës së bizneseve.

“Ky projektligj është thelbësor në garantimin e zhvillimit të Shqipërisë në drejtim të inovacionit, në drejtim të përdorimit sa më të madh të teknologjisë së informacionit dhe në garantimin e sigurisë në ofrimin e shërbimeve”, deklaroi ministrja.

Sipas saj, projektligji kontribuon gjithashtu në përafrimin e legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian dhe në rritjen e standardeve të ofrimit të shërbimeve.

Ministrja Ibrahimaj nënvizoi se transformimi digjital tashmë po reflektohet gjerësisht në ekonominë shqiptare, ndërsa bizneset po përdorin gjithnjë e më shumë teknologjinë dhe platformat dixhitale në aktivitetin e tyre.

“99.4% e ndërmarrjeve përdorin internetin dhe teknologjinë digjitale në aktivitetin e tyre, ndërsa vetëm gjatë vitit të fundit bizneset që kryen shitje dhe shërbime online u rritën me 28%”, u shpreh ajo.

Projektligji krijon për herë të parë një kuadër të plotë ligjor për identifikimin elektronik, nënshkrimin elektronik, vulat elektronike, autentifikimin elektronik, shërbimet e besuara dhe portofolin e identitetit digjital.

“Ky kuadër ligjor përcakton standarde për vlefshmërinë juridike dhe sigurinë e transaksioneve elektronike, duke garantuar më shumë besueshmëri në ndërveprimet mes shtetit, qytetarëve dhe bizneseve”, tha ministrja Ibrahimaj.

Ajo theksoi se projektligji do të ndihmojë në përshpejtimin e procedurave administrative, uljen e kostove dhe reduktimin e vonesave në përpunimin e dokumenteve dhe ofrimin e shërbimeve.

Një nga elementët kryesorë të projektligjit është krijimi i portofolit të identitetit dixhital, i cili do t’u japë qytetarëve dhe bizneseve mundësinë të administrojnë dokumentet dhe identitetin elektronik në një platformë të vetme dhe me standarde të larta sigurie.

Ministrja bëri të ditur gjithashtu se AKSHI do të lançojë së shpejti “e-Albania 2.0”, platformë e cila do të ofrojë shërbime të avancuara të lidhura me ngjarjet e jetës së qytetarëve dhe do të lehtësojë aksesin në shërbimet publike.

Ministrja Ibrahimaj theksoi se transformimi dixhital është një komponent kyç i zhvillimit ekonomik dhe integrimit europian të Shqipërisë.

“Përmes këtij projektligji ne duam të ndërtojmë themelet e një ekonomie dixhitale që do t’i shërbejë shtetit shqiptar, biznesit shqiptar dhe qytetarëve shqiptarë për dekadën e ardhshme”, deklaroi ministrja.