Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

Ibrahimaj: Përjashtim nga tatimi për të ardhurat jashtë vendit dhe masa për përballimin e rritjes së çmimeve

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në  një deklaratë për mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ku u miratuan një sërë projektligjesh dhe u diskutuan zhvillimet më të fundit ekonomike në vend, theksoi se një nga aktet kryesore të propozuara nga Ministria e Financave është projektligji për ndryshime në ligjin mbi tatimin mbi të ardhurat, i cili synon forcimin e drejtësisë sociale dhe nxitjen e tërheqjes së diasporës shqiptare dhe të huajve në vend.

Sipas saj, projektligji parashikon që të gjithë shtetasit shqiptarë apo rezidentët tatimorë në Shqipëri, të cilët gjenerojnë të ardhura në vende të tjera të botës dhe i kanë paguar detyrimet tatimore në ato vende, do të përjashtohen nga tatimi në Shqipëri për këto të ardhura. Kjo masë synon të tërheqë veçanërisht pensionistët që jetojnë jashtë vendit, duke nxitur zhvillimin e të ashtuquajturës “ekonomi e argjendtë”.

Gjithashtu, Ibrahimaj tha se projektligji garanton vijimin e lehtësirave fiskale për personat e verbër, duke ruajtur përjashtimin e tyre nga tatimi sipas legjislacionit në fuqi.

Në deklaratën e saj, Ministrja u ndal edhe tek situata e çmimeve në vend, në kushtet e zhvillimeve ndërkombëtare. Ajo nënvizoi se qeveria po monitoron në mënyrë të vazhdueshme tregjet, veçanërisht pas konfliktit në Lindjen e Mesme dhe bllokimit të ngushticës së Hormuzit.

Sipas Ibrahimajt, Bordi i Transparencës ka qenë aktiv në përcaktimin e çmimeve të karburanteve, duke reflektuar së fundmi një ulje të çmimit të naftës në 210 lek/litër, në përputhje me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe marrëveshjen e armëpushimit.

Ministrja theksoi gjithashtu se institucionet monitorojnë çdo ditë çmimet, për të garantuar që ato reflektojnë situatën reale në treg.

Në lidhje me inflacionin, ajo bëri të ditur se në muajin Mars është shënuar një nivel prej 2.6%, me një rritje të lehtë, kryesisht si rezultat i rritjes së çmimeve të frutave dhe perimeve. Sipas saj, pjesa tjetër e produkteve të shportës ka mbetur e qëndrueshme.

Autoritetet monitorojnë çdo ditë rreth 80 produkte bazë në të gjithë vendin, për të garantuar transparencë dhe për të parandaluar abuzimet me çmimet.

Ibrahimaj siguroi se qeveria do të vijojë të mbështesë shtresat në nevojë, përfshirë pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta, për të përballuar çdo rritje të mundshme të çmimeve, duke minimizuar ndikimin e zhvillimeve ndërkombëtare në ekonominë shqiptare.

FOTO ALBUM