Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit

MEI zhvilloi konsultimin publik për projektligjin mbi pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare

Nën kujdesin e Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, u zhvillua më 15 qershor 2026, tryeza e konsultimit publik për projektligjin e ri “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 48/2014 ‘Për pagesat e vonuara në detyrimet kontraktore dhe tregtare’, të ndryshuar”, ku mblodhi përfaqësues të lartë të Bankës së Shqipërisë, Shoqatës së Bankave dhe dhomave më të rëndësishme të biznesit në vend, me fokus forcimin e likuiditetit në ekonomi dhe çlirimin e kapitalit qarkullues për sipërmarrjet shqiptare.

Ky konsultim përbën një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit evropian, ku Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, si institucioni lider për Kapitullin 20 “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”, po udhëheq procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me Direktivën Evropiane 2011/7/EU “Për luftën kundër pagesave të vonuara”.

Gjatë diskutimeve u evidentua një dakordësi e gjerë mbi rëndësinë e këtij projektligji për përmirësimin e pozicionit financiar të sipërmarrjeve, veçanërisht të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM), të cilat përballen më së shumti me sfidat e aksesit në financë.

Projektligji sjell ndryshime të rëndësishme që synojnë rritjen e sigurisë juridike dhe përmirësimin e marrëdhënieve tregtare ndërmjet bizneseve. Ndër risitë kryesore është vendosja e zbatimit automatik të kamatëvonesës, duke i dhënë kreditorit të drejtën të llogarisë interesin për pagesat e vonuara që nga dita e parë e vonesës, pa pasur nevojë për njoftim paraprak ndaj debitorit.

Gjithashtu, projektligji rishikon afatet kontraktuale të pagesave ndërmjet bizneseve, duke vendosur kufirin maksimal prej 60 ditësh kalendarike. Çdo afat që tejkalon këtë kufi do të konsiderohet i pavlefshëm në rast se vlerësohet si qartësisht i padrejtë ndaj kreditorit.

Një tjetër element i rëndësishëm është zgjerimi i konceptit të “sipërmarrjes”, duke përfshirë në fushën e mbrojtjes së ligjit edhe personat fizikë, tregtarët individë dhe profesionet e lira. Po ashtu, projektligji parashikon një metodologji të përditësuar për llogaritjen e normës bazë të interesit për kamatëvonesat, duke marrë në konsideratë edhe normat marxhinale të bankave qendrore emetuese për monedhat e huaja, në funksion të ruajtjes së vlerës së parasë në kushtet e tregjeve financiare.

Ky reformim është në përputhje me objektivat e Strategjisë Kombëtare për Zhvillimin e Biznesit dhe Investimeve 2021–2027 dhe synon reduktimin e barrës administrative, përmirësimin e klimës së biznesit dhe nxitjen e rritjes ekonomike përmes qarkullimit më efikas të kapitalit në ekonomi.

Në përfundim të konsultimit, Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit shprehu gatishmërinë për të mirëpritur komente dhe sugjerime nga të gjitha palët e interesuara mbi propozimet e paraqitura. Gjithashtu, u theksua se do të vijojë bashkëpunimi i ngushtë me dhomat dhe shoqatat e biznesit për të siguruar që kuadri i ri ligjor të adresojë nevojat e tregut dhe të shërbejë si një instrument efektiv për rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.

https://konsultimipublik.gov.al/Konsultime/Detaje/973